CMG-ja: Tre fqinjët rirregullojnë pagazhet për një pikënisje të re
2023-11-28 11:37:48

Foto nga VCG

Foto nga VCG

外长---[wàizhǎng]---ministër i jashtëm

Pas më shumë se katër vjetësh, ministrat e Jashtëm të Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut u takuan sërish. Të dielën, në takimin e 10-të të ministrave të Jashtëm Kinë-Japoni-Kore e Jugut, të tre palët ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit mes tyre, duke shkëmbyer mendime për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët. Analistët mendojnë gjerësisht që ky takim i ministrave të jashtëm do të krijojë kushtet dhe atmosferën për takimin e liderëve shtetërorë të të tre vendeve.


Në historinë e lidhjeve mijëravjeçare ndërmjet tyre, të tre vendet kanë formuar konceptet e përbashkëta të vlerës që “paqja është e çmuar” dhe të "harmonisë në diversitet”. Në vitin 1999 u formua zyrtarisht mekanizmi Kinë-Japoni-Kore e Jugut, që u bë gradualisht mekanizmi i bashkëpunimit nënrajonal me ndikim më të fuqishëm në Azi, duke ofruar gjallëri të rëndësishme për modernizimin e të tre vendeve dhe të mbarë Azisë, thuhet në një koment të CMG-së.


Analistët kanë vënë në dukje që takimi i kohëve të fundit ndërmjet liderëve shtetërorë të Kinës e të ShBA-së në San-Francisko ka krijuar kushtet për kontaktet diplomatike Kinë-Japoni dhe Kinë-Kore e Jugut. Më e rëndësishmja është që, ndërsa tani mëkëmbja ekonomike globale është e dobët, Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë interesa dhe kërkesa të përbashkëta për thellimin e bashkëpunimit praktik dhe stabilizimin e zinxhirëve të prodhimit e të furnizimit. Nën nxitjen e këtyre faktorëve, ka rinisur takimi i zyrtarëve të lartë trepalësh.


Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Popullsia dhe GDP-ja e Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut zënë përkatësisht rreth 70 % dhe 90 % të Azisë Lindore. Kina, Japonia e Koreja e Jugut janë partnere të rëndësishme zhvillimi, me përplotësim të fortë ekonomik dhe integrim të lartë industrial, të cilat mbështesin në mënyrë të vendosur multilateralizmin e tregtinë e lirë dhe janë fuqitë kryesore ekonomike të Azisë Lindore dhe të integrimit ekonomik në rajon. Për një kohë të gjatë, Kina ka qenë partnerja më e madhe tregtare e Japonisë dhe e Koresë së Jugut. Në vitin 2022, vëllimi i tregtisë së Kinës me Japoninë dhe Korenë e Jugut arriti përkatësisht në 357.4 dhe 362.3 miliardë dollarë. Bashkëpunimi ndërmjet Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut ka sjellë mundësi të mëdha dhe përfitime për qarqet e biznesit dhe popujt e të tre vendeve dhe ka luajtur gjithashtu një rol pozitiv në nxitjen e zhvillimit rajonal dhe të ekonomisë globale.


Këtë herë, në takimin e krerëve të diplomacive, Kina ka paraqitur tre propozime për thellimin e bashkëpunimit trepalësh, duke bërë thirrje për rinisjen e shpejtë të bisedimeve për tregtinë e lirë, forcimin e bashkëpunimit në teknologjitë moderne, si të dhënat e mëdha dhe zinxhiri i blloqeve, shtimin e shkëmbimeve njerëzore, rritjen e bashkëpunimit në përballimin e plakjen e popullsisë dhe krijimin e më shumë projekteve të bashkëpunimit të të tre vendeve me vendet e rajonet në nevojë. Këto propozime mbulojnë fusha si ekonomia dhe tregtia, teknologjia, kultura, shoqëria dhe zhvillimi i vazhdueshëm, për të cilat të tre palët tregojnë vëmendje të madhe dhe të cilat kanë potencial të madh bashkëpunimi. Propozimet janë pritur në mënyrë pozitive nga Japonia dhe Koreja e Jugut.


Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Është normale që të tre vendet të kenë divergjenca. E rëndësishme është që të ruhet njohja e drejtë e njëri-tjetrit dhe të mos lejohet kufizimi i bashkëpunimit. Kina respekton lidhjet e Japonisë dhe Koresë së Jugut me vendet e tjera të botës, por asnjë marrëdhënie nuk duhet të kufizojë, madje edhe më keq, të bllokojë fqinjët, theksohet në këtë koment të CMG-së. Në këtë takim, Kina paraqiti disa çështje parimore, si respektimi i rrugës së zhvillimit dhe i interesave thelbësore të njëri-tjetrit, trajtimi siç duhet i çështjeve të ndjeshme, kundërshtimi i ndarjes sipas vijave ideologjike dhe molejimi i ndarjes në kampe të bashkëpunimit rajonal. Ndërkohë, tre palët duhet të bëhen “stabilizues” të paqes dhe sigurisë rajonale e të ngulin këmbë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet konsultimeve dhe në mënyrë paqësore. Gjatë takimeve të veçanta me palën japoneze dhe palën koreanojugore, ministri i Jashtëm kinez e nxiti Japoninë të zbatojë me rigorozitet parimin e "Një Kine" dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës dhe i vuri në dukje palës koreanojugore që Pekini dhe Seuli duhet të kundërshtojnë politizimin e çështjeve ekonomike, instrumentalizimin e çështjeve shkencore dhe teprimin me konceptin e sigurisë në çështjet ekonomike e tregtare.


20 vjet më parë, Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut publikuan deklaratën e parë të përbashkët, ku vihet në dukje që “bashkëpunimi trepalësh synon nxitjen e zhvillimit, shtimin e bashkëpunimit të Azinë Lindore dhe ruajtjen e paqes e të lulëzimit në rajon e botë”. Ky është thelbi origjinal i bashkëpunimit trepalësh. Në gjendjen botërore në ndryshim të thellë, të tre vendet janë fqinjë të palëvizshëm dhe partnerë të pandashëm. Edhe lidhjet ndërmjet popujve të të tre vendeve janë të pandara. "Kina i trajton gjithmonë fqinjët në mënyrë miqësore dhe shpreson që Japonia dhe Koreja e Jugut të tregojnë të njëjtën dëshirë dhe vullnet, të dëshmojnë më shumë autonomi strategjike, të ecin në të njëjtin drejtim me palën kineze dhe të nxisin rinisjen e bashkëpunimit trepalësh dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bashkëpunimit përkatës," mbyllet komenti i CMG-së. (Jiang Lei)