Diaspora shqiptare, një mbështetëse e madhe e ekonomisë së Shqipërisë
2023-11-28 11:50:09

Samiti i Diasporës (Foto ATSH)

Samiti i Diasporës (Foto ATSH)

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, organizuan më datën 23 nëntor 2023 panelin “Diaspora Shqiptare për Zhvillimin e Qëndrueshëm”, në kuadër të Samitit të III-të të Diasporës, i cili u zhvillua në Tiranë në datat 22-23 nëntor 2023.

Diskutimet e panelit u hapën nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, i cili e konsideroi Samitin e Diasporës si një mundësi e mirë për të thelluar komunikimin dhe bashkëpunimin, në nivel të nismave të sipërmarrjeve të përfaqësuesve të Diasporës në vendet ku ata jetojnë, me sipërmarrjet dhe projektet në Shqipëri, me qëllim përfshirjen sa më të gjerë të Diasporës shqiptare në zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Diaspora jonë renditet ndër diasporat më të mëdha në botë, për nga numri i popullsisë që jeton jashtë vendit, në krahasim me atë brenda vendit. Sipas të dhënave të EUROSTAT për vitin 2022, rreth 1.64 milionë shqiptare të Diasporës jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Një nga mekanizmat kryesorë, me të cilin Diaspora ndihmon në mënyrë të patjetërsueshme ekonominë e Shqipërisë, janë dërgesat e parave nga përfaqësuesit e këtyre 1.64 milionë shqiptarëve të Diasporës, në familjet e tyre në Shqiperi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, dërgesat e përfaqësuesve të Diasporës për në Shqipëri gjatë vitit të kaluar arritën një rekord absolut historik, me 833 milionë euro. Ky nivel është 9.6 përqind më i lartë se dërgesat e vitit 2021. Të dhënat paraprake të Bankës së Shqipërisë tregojnë për një nivel akoma më të lartë të parave nga Diaspora për këte vit.  

Ministri i Ekonomise dhe Financave Ervin Mete, në fjalën e tij theksoi se “Samiti i Diasporës, i kthyer tashmë në traditë, është një mundësi shumë e mirë për të thelluar më tej komunikimin dhe bashkëpunimin me qëllim përfshirjen sa më të gjerë të Diasporës në zhvillimin e vendit.

Punimet e Samitit të Diasporës (Foto Scan tv)

Punimet e Samitit të Diasporës (Foto Scan tv)

Diaspora përfaqëson një kapital të madh njerëzor, social dhe ekonomik, i cili nëse vihet në funksion në mënyrën e duhur, mund të sjellë përfitime të shumëfishta për ekonominë e vendit, por edhe për kontribuuesit nga Diaspora.

Ekonomia shqiptare po kalon një momentum pozitiv. Ajo është vlerësuar së fundmi si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, ndërkohë që kemi hyrë tashmë në një fazë të re zhvillimi.

Ky moment i mirë integrues, që kërkon në thelb ndërlidhjen e tregjeve të rajonit me tregjet e Bashkimit Europian dhe që synon konvergjencën ekonomike të këtyre vendeve me vendet anëtare të BE-së, është një mundësitë e mirë për përfshirjen e energjive, kapaciteteve njerëzore dhe financiare, por edhe të njohurive të Diasporës shqiptare në këtë drejtim.

Diaspora Shqiptare ka rol të posaçëm në vetë procesin e integrimit evropian, kjo edhe për faktin se Shqipëria renditet mes shteteve me numrin më të lartë të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijtë në raport me ata që jetojnë brenda vendit.

Në këtë drejtim, sipërmarrësit, personalitetet, profesionistët shqiptarë, të cilët janë integruar në shtetet ku jetojnë, posaçërisht në vendet e Bashkimit Evropian, janë ambasadorët më të mirë të vendit, si në kuadër të imazhit, ashtu edhe sa i përket kontributit konkret që mund të japin në këtë proces të rëndësishëm.

Kryeministri Rama gjatë Samitit (Foto Scan tv)

Kryeministri Rama gjatë Samitit (Foto Scan tv)

Diaspora ka gjithashtu një rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm social e ekonomik të vendit, duke kontribuar në sektorë si energjia, turizmi, inovacioni dhe aftësitë, arsimi, angazhimi i të rinjve, kultura, etj.

Përtej dërgimit të remitancave, Diaspora shqiptare ka potencial për të promovuar sipërmarrjen dhe investimet e huaja direkte.

Besoj se është momenti për të kaluar në konkretizim, duke angazhuar strukturat që janë ngritur, Dhomën e Biznesit të Diasporës, Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, të përkthejmë eksperiencën dhe mësimet e nxjerra gjatë kësaj periudhe, në veprime konkrete që bazohen në modelet më të mira që kanë funksionuar edhe në vendet e tjera”.

 

Rritja e remitancave përfaqëson një zhvillim shumë pozitiv për ekonominë tonë. Ato vijojnë të luajnë një rol parësor për anëtarët e familjeve të emigrantëve tek ne. Nga ana tjetër, duke marrë parasysh faktin që dërgesat e parave përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, si dhe efektin e tyre shumëzues në ekonomi, dërgesat e parave nga Diaspora ndihmojnë rritjen e konsumit në Shqipëri dhe në mënyrë direkte rritjen ekonomike të saj.

Paratë e Diasporës, ose ndryshe remitancat, ndihmojnë edhe politikën fiskale, duke ndikuar në arkëtimin e më shumë fondeve nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH). Ato mbështesin po ashtu edhe sektorin financiar, duke liruar presionin mbi kredinë dhe politikën monetare, si dhe duke ndihmuar tregun e punës dhe të vetëpunësuarit, pasi përbëjnë burim të rëndësishëm financimi për biznesin e vogël.

Ministri i ekonomisë Ervin Mete (Foto Scan tv)

Ministri i ekonomisë Ervin Mete (Foto Scan tv)

Banka e Shqipërisë, në botimin e saj “Pandemia dhe Remitancat”, ka theksuar se “Remitancat, në kontekstin e zhvillimeve aktuale ekonomike, mbeten një potencial i madh për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik shqiptar, prandaj ato duhet të karakterizohen dhe trajtohen si resurse dhe si një kategori thelbësore në ekonomi”.