Sunak anulon takimin me homologun Mitsotakis, për shkak të debatit për skulpturat e Partenonit
2023-11-28 15:41:40

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis akuzoi homologun e tij britanik Rishi Sunak se kishte anuluar një takim të planifikuar mes tyre për të martën në Londër, për shkak të një mosmarrëveshjeje diplomatike mbi skulpturat e Partenonit. 

Greqia i ka kërkuar shpesh Muzeut Britanik që të kthejë skulpturat 2500-vjeçare që diplomati britanik Lord Elgin mori nga tempulli i Partenonit në fillim të shekullit të 19-të kur ai ishte ambasador në Perandorinë Osmane. 

“Shpreh keqardhjen që kryeministri britanik anuloi takimin e planifikuar mes nesh, vetëm disa orë para se ai të mbahej”, tha zoti Mitsotakis në një deklaratë. "Qendrimet e Greqisë për çështjen e skulpturave të Partenonit janë të mirënjohura. Shpresoja t'i diskutoja ato me homologun tim britanik. Cilido që beson në drejtësinë e qendrimeve të veta nuk ka frikë kurrë të përballet me argumente," tha ai. 

Qeveria greke ka qenë në diskutime me kryetarin e Muzeut Britanik, George Osborne, për një marrëveshje të mundshme për skulpturat, të cilat kanë qenë një burim mosmarrëveshjesh midis dy vendeve për shekuj me radhë. Kryeministri Mitsotakis shprehu pakënaqësinë në një intervistë me BBC-në të dielën se bisedimet mbi një kthim të mundshëm të skulpturave në Athinë nuk po përparonin aq shpejt sa ç’duhej.