Insituti “Konfuci” në Universitetin e Tiranës vlerësoi me certifikata 41 studentë të gjuhës kineze. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe i ngarkuari me punë i Ambasadës Kineze në Tiranë, Wang Dexin. Studentët që u vlerësuan me certifikata ishin të përzgjedhur nga pedagogët e tyre shqiptarë dhe kinezë. Çmimet për studentët më të mirë të gjuhës kineze janë dhënë disa herë, por këtë vit përkojnë me 10-vjetorin e themelimit të Institutit “Konfuci” në Universitetin e Tiranës. Drejtori i Institutit “Konfuci” në UT Erion Malaj dhe disa prej studentëve të vlerësuar me certifikata u prononcuan për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).
I ngarkuari me punë i Ambasadës Kineze Wang Dexin me studentet e vleresuar me certifikata (CMG)
Erion Malaj: Ky është një aktivitet që i bën studentët të ndjehen mirë për faktin se gjithë mundi i tyre vlerësohet dhe njëkohësisht janë në qendër të vëmendjes për arsyen e vetme sepse kanë zgjedhur dhe studiuar në mënyrë shumë sistematike gjuhën dhe kulturën kineze. Sot kishim 40 studentë, plus një çmim special për studentin më të mirë. Të gjithë këta studentë janë përzgjedhur për meritë nga pedagogët e tyre shqiptarë dhe kinezë, ndaj dua që të falenderoj Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës për mbështetjen që jep ndaj këtyre studentëve. Kjo nuk është hera e parë sepse ata e kanë bërë disa herë më përpara këtë dhënie çmimesh, por këtë vit përkon edhe me 10 vjetorin e themelimit të Institutit Konfuci në UT. Pra kemi vënë një gur goxha të madh në themelet tona, shpresojmë dhe urojmë që të vazhdojmë kështu.
CMG: Studentët që vijnë në Institutin “Konfuci” besoj janë të moshave të ndryshme dhe numri i të interesuarve për gjuhën kineze ka ardhur në rritje çdo vit.
Erion Malaj: Ne në fakt i quajmë studentë të gjithë ata qytetarë të cilët vijnë dhe janë të interesuar për gjuhën dhe kulturën kineze. Ne kemi dhe të moshave të ndryshme deri në 40-50 vjeç, të cilët vijnë dhe studiojnë pranë institutit tonë dhe sigurisht që janë studentë edhe ata. Kjo gjë është për t’u vlerësuar, por ky është thjesht një informacion më shumë që gjithë këta qytetarë kanë marrë për Kinën, dhe kjo ju ka hapur atyre një dritare dhe rritur dëshirën për të studiuar gjuhën, historinë apo kulturën e një vendi kaq të madh.
CMG: Mjaft prej studentëve shrehën dëshirën për të shkuar për studime në Kinë, pra një rrugëtim që nis me mësimin e gjuhës si fillim dhe më pas për studime në Kinë.
Erion Malaj: Rrugëtimi nis me fillimin e gjuhës dhe më pas janë disa mundësi që ne ju ofrojmë atyre, duke nisur që nga kampet verore që organizojmë në Kinë, por edhe bursa të ndryshme studimi, duke nisur nga bursat tre mujore, gjashtë mujore dhe një vjeçare dhe deri në studimet bachelor, master e doktoraturë. Prandaj mendoj se të gjithë kanë mundësinë për të arritur atë që mund të jetë ndoshta ëndrra e tyre në nivel akademik, ndaj i ftojmë që të jenë gjithmonë sa më seriozë dhe sa më të impenjuar në mësimin e gjuhës dhe kulturës kineze. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim studentët ashtu siç kemi bërë deri më sot.
Drejtori i Institutit Konfuci ne UT Erion Malaj (Facebook)
Studenti i kursit te gjuhes kineze Redi Hajdari (Foto personale)
Redi Hajdari ka përfunduar studimet për mjekësi dhe ishte një prej studentëve të vlerësuar me certifkatë. Ai ka dëshirë në të ardhmen të bëjë biznes në Kinë.
Redi Hajdari: Unë jam niveli i tretë i gjuhës kineze pranë Institutit “Konfuci”. Ndjehem shumë mirë për vlerësimin dhe shpresoj të arrij nivele akoma më të larta sepse më pëlqen shumë gjuha kineze.
CMG: Si lindi dëshira për gjuhën kineze?
Redi Hajdari: Dëshira për mësimin e gjuhës kineze ka nisur thjesht si pasion për të studiuar edhe një gjuhë tjetër sepse është gjuha e të ardhmes, një gjuhë që do patjetër dhe kohë për t’u mësuar. Kam dëshirë që në të ardhmen të bëj ndonjë biznes me Kinën. Unë kam mbaruar studimet për mjekësi dhe nisa të mësoja gjuhën kineze për pasion.
Për Besart Hoxhën mësimi i gjuhës kineze është një sfidë, por e quan veten me fat që ka mundësi ta mësojë.
“Unë punoj në fushën e marketingut dhe dëshira për të mësuar gjuhën kineze ka lindur prej disa vitesh në fakt, por më në fund kam pasur kohën për tu dedikuar dhe për të kaluar në nivele më të larta, jo thjesht fillestar, por të mësuarit e karaktereve dhe të shkruarit në kinezisht. Kjo është një sfidë e madhe për mua”, u shpreh Besarti.
CMG: Ke dëshirë të shkosh në Kinë dhe t’i zgjerosh më shumë njohuritë për kulturën dhe historinë e Kinës?
Besart Hoxha: Gjuha kineze më intereson sepse është gjuhë e vështirë dhe është fat që kemi mundësi ta mësojmë, por nga ana tjetër ta kem një derë të hapur në të ardhmen.
CMG: Si ndjeheni që u vlerësuat me certifikatë?
Besart Hoxha: Ndjehem shumë i vlerësuar dhe nuk e prisja, por është një inkurajim për të gjithë që të vazhdojmë të mësojmë më shumë dhe të përkushtohemi për ta mësuar gjuhën kineze. Gjithashtu inkurajoj dhe të tjerët që ta ndjekin këtë rrugëtim.
Griselda aktualisht studion në nivelin e tretë të gjuhës kineze pranë Institutit Konfuci.
I ngarkuari me punë i Ambasadës Kineze në Tiranë, Wang Dexin me studenten e gjuhes kineze (CMG)
Griselda Zekthi: Ndjehem shumë mirë për këtë vlerësim dhe në fakt është një motivim shumë i mirë për ne, për të pasur miqësi me Kinën dhe për të mësuar më shumë rreth kulturës së tyre. Unë kam qenë në verë në Kinë në një program shkëmbimi dhe ishte vërtet një kënaqësi shumë e madhe për mua dhe një nder që isha e përzgjedhur nga ambasada kineze për të shkuar në Kinë. Ishte një eksperiencë shumë e mirë, dhe në çdo aspekt Kina ishte perfekt. Unë studioj në degën e administrim-biznes në bachelor viti i fundit dhe kam shumë dëshirë të vazhdoj masterin në Kinë.
Admiri është 18 vjeç që sapo ka mbaruar gjimnazin dhe i është dedikuar gjuhës kineze.
“Kam filluar nivelin e katërt dhe ndjehem shumë mirë edhe pse është pak e vështirë” shprehet ai.
CMG: Si lindi pasioni për të mësuar gjuhën kineze?
Admir Çekrezi: Ndikoi pak babai im, por ishte dhe dëshira ime sepse doja të shikoja gjëra të reja dhe zgjodha gjuhën kineze. Jam shumë i lumtur që u vlerësova me certifikatë dhe shumë mirënjohës. Unë kam qenë një herë në Kinë dhe dëshiroj të shkoj sërish. Eksperienca në Kinë ka qenë e paharrueshme, shumë e bukur dhe dua ta provoj sërish sepse kam qëllim në të ardhmen të vazhdoj studimet për biznes në Kinë.
Xhulia Prishka studion për informatikë-biznes dhe u vlerësua me çmimin special të mësimit të gjuhës kineze.
“Ndjehem shumë mirë dhe krenare për veten dhe mirënjohëse për mësuesit që më kanë mbështetur” shprehet Xhulia
CMG: Pse zgjodhe për të mësuar gjuhën kineze?
I ngarkuari me punë i Ambasadës Kineze në Tiranë, Wang Dexin me studentet e gjuhes kineze (CMG)
Xhulia Prishka: Unë në fakt e kam zgjedhur shumë rastësisht para dy vitesh, thjesht kur e kam dëgjuar si gjuhë më ka tërhequr dhe vendosa ta studioj, ku me kalimin e kohës ju përkushtova shumë. Një nga synimet e mia është të shkoj në Kinë për të studiuar ose jetuar disa vite, që mendoj se do ishte diçka pozitive.
Sonita prej vitesh pëlqen gjuhën dhe kulturën kineze, por i pëlqen shumë dhe Kina. “Ndjehem shumë mirë për vlerësimin, ku tani jam në nivelin B1, niveli i tretë i gjuhës kineze dhe jam shumë e lumtur pasi dëshiroj të vazhdoj më tej. Ka vite që më pëlqen kultura dhe gjuha kineze, më pëlqen edhe si vend. Prandaj jam shumë e lumtur që kam mundësinë që të vazhdoj një kurs në Universitetin e Tiranës. Shpresoj që në një të ardhme të shkoj në Kinë” shprehet Sonita për mikrofonin e Radio Ejani.
Gazmend Agaj