Shqipëria turistike në optikën e mediave botërore edhe për periudhën e vjeshtës
2023-11-27 15:02:15

Malet e Shqiperise ne ofertat e mediave te huaja-foto ATSH

Sezoni i vjeshtës dhe tani ai i dimrit nuk e ka zbehur aspak fluksin e turistëve të huaj që shfaqin interes për Shqipërinë. Vërtet që vera solli një fluks të paparashikuar  turistësh, por jehona e një vere të sukseshme, ia la vendin turizmit të vjeshtës dhe destinacioneve të reja.

Sipas Institutit të Statistikave, deri në tetor numri total i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri ishte 8.98 milionë. Ndërkohë, vetëm në tetor 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është rreth 600 mijë. Ky numër është rritur me 45,2%, krahasuar me tetorin e vitit 2022. Sërish sipas Instat, turistët e huaj që kanë preferuar ta vizitojnë Shqipërinë gjatë kësaj periudhe të vitit, vijnë nga Evropa, nga Amerika dhe nga Azia Lindore/Paqësori.

Mediat ndërkombëtare vazhdojnë t’i kushtojnë shkrime të rëndësishme ofertave dhe destinacioneve të reja, duke orientuar lexuesit e tyre që t’i drejtohen Shqipërisë.

Media britanike dhe suplementi i “Sunday Times” ka promovuar Shqipërinë si destinacioni “hot” i Evropës për vitin 2024. “Gjirokastra, vera lunxhiote, ujërat termale të Bënjës, kishat e Voskopojës dhe arkitektura që po zhvillohet në Tiranë, janë vetëm disa prej vendeve që i prezantohen publikut britanik, duke theksuar se përpos plazheve perlë, Shqipëria është interesante në çdo stinë të vitit e në çdo cep të territorit”, shkruan gazeta britanike. 

Mediat britanike per Shqiperine- foto ATSH

E përditshmja meksikane “Zelosos por Buenas Renovables”, i ka kushtuar një artikull të rëndësishëm turizmit në Shqipëri, duke veçuar Tiranën, si destinacion i rëndësishëm. Kur bëhet fjalë për qytetin më të madh të Shqipërisë, ai që bie më shumë në sy është Tirana. “Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është jo vetëm qyteti më i madh në vend, por edhe qendra politike, ekonomike dhe kulturore”, shkruan gazeta. “Tirana është një qytet që ndërthur në mënyrë perfekte të vjetrën me të renë. Karakterizohet nga një ndërthurje e arkitekturës osmane, italiane dhe komuniste, duke demonstruar historinë e larmishme të qytetit. Sheshi Skënderbej është një pikë referimi qendrore dhe vendtakimi për vendasit dhe turistët. Qyteti ka gjithashtu një skenë të gjallë kulturore, me muze të shumtë, galeri arti, teatro dhe vende muzikore. Pavarësisht nëse jeni të interesuar për historinë, artin ose thjesht dëshironi të përjetoni atmosferën e gjallë të kryeqytetit, Tirana është një destinacioni thelbësor në Shqipëri”, përfundon gazeta, duke shenjëstruar në artikull edhe një tjetër destinacion: Butrintin. Në artikull përmendet fakti se Butrinti mbrohet nga Unesco dhe se “mbetjet arkeologjike të gjetura në Butrint japin dëshmi të ekzistencës së qytetit prej më shumë se 2000 vjetësh”.

Në vlerësimin dhe reklamimin e Shqipërisë si vend turistik, nuk mbetet pas as media polake. Vetëm para pak javësh, revista polake e udhëtimeve “Tanie Loty”, i kushtoi një artikull të gjatë vendit tonë. “E cilësuar shpesh si perla e fshehur e Evropës, Shqipëria është destinacioni i përsosur për adhuruesit e aventurave, historisë dhe plazheve”, shkruan ajo. “Shqipëria ka një histori magjepsëse, e dukshme në çdo hap.  Nga rrënojat e lashta të Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, deri te qytetet e vjetra si Berati dhe Gjirokastra, Shqipëria ofron një pasuri thesaresh historike. Çdo qytet dhe fshat tregon historinë e tyre unike, duke krijuar një mozaik kulturor që është jashtëzakonisht tërheqës për turistët. Shqipëria krenohet me disa nga plazhet më të bukura në Evropë, por edhe peizazhe natyrore mbresëlënëse. Parqet kombëtare si Llogaraja dhe Thethi janë një parajsë për adhuruesit e natyrës. Shqipëria është destinacioni ideal për udhëtarët që kërkojnë eksperienca të paharrueshme, peizazhe të bukura, kulturë dhe histori të pasur, kuzhinë të shijshme dhe mikpritje që vështirë mund t’i rezistosh. Nëse jeni duke kërkuar për aventura, eksperienca kulturore apo thjesht dëshironi të pushoni në një plazh të bukur, Shqipëria ka gjithçka që ju nevojitet për të përmbushur këto pritshmëri”.

Pamje nga veriu i Shqipersie- foto ATSH

Edhe media amerikane është e përfshirë në këtë fushatë publicitare për Shqipërinë.  “Evropa, një kontinent i zhytur në histori dhe kulturë, ka qenë gjithmonë një nga destinacionet e preferuara të çdo udhëtari amerikan”, shkruan gazeta, “megjithatë, ndërsa industria e udhëtimeve zgjerohet dhe evoluon, turistët kanë filluar të kërkojnë përvoja më unike, vende të panjohura, të cilat i shtojnë një tipar të veçantë arratisjes tradicionale evropiane”.  Për ata që janë në kërkim të destinacionit të tyre të ardhshëm për pushime, revista amerikane “The Travel off Path” ka publikuar listën e shumëpritur të vendeve më emocionuese për t’u vizituar në mbarë botën në vitin 2024, ku Shqipëria është renditur mes pesë destinacioneve evropiane më të mira për t’u eksploruar. “Dikur një perlë e fshehur e vendosur në zemër të Gadishullit Ballkanik, Shqipëria tashmë është destinacioni me rritjen më të shpejtë në Evropë, duke tërhequr një numër rekord turistësh me pamjet idilike, mikpritjen e ngrohtë dhe çmimet e arsyeshme”, shkruahet në artikull.  Pasi përshkruan rivierën shqiptare, gazeta fton lexuesit që të vizitojnë Alpet. “Nëse do të udhëtonit pak më në veri, do të mund të eksploroni Alpet mahnitëse shqiptare, një rajon i thyer dhe i pacenuar që u premton vizitorëve përvojën më të paharrueshme. Këtu, udhëtarët mund të nisin shëtitjet piktoreske në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, Parkun Kombëtar të Thethit dhe Liqenin e Komanit dhe të shijojnë florën dhe faunën endemike të dorës së parë”.

Pamje nga riviera shqiptare- foto ATSH

Nëse deri para pak vitesh, artikujt reklamues për Shqipërinë turistike, numëroheshin me gishtat e dorës, këtë vit ata për nga numri kanë kaluar çdo pritshëmri. Një pjesë e artikujve, përveçse zbulojnë destinacionet dimërore, ku renditen Korça, Tirana, Shkodra e Berati, orientojnë lexuesit e tyre për sezonin e ri të 2024, ku Shqipëria parashikohet të jetë ndër destinacionet më të kërkuara.

Sa i takon ofertës së sezonit të tanishëm, Korça kryeson si destinacioni më i pëlqyer edhe për turistët e huaj, krahas atyre vendas që e preferojnë Korçën gjithmonë. Korça, e cila deri në fund të vitit i ka pothuajse të mbyllura të gjitha rezervimet nga turistë vendas, por edhe shumë të huaj. Korça njihet si destinacion i pëlqyer i dimrit, por këtë vit si asnjëherë tjetër, ajo ka shënuar numër rekord turistësh.

Korça, është kthyer në një destinacion turistik të klasit të parë, si dhe një nga shembujt më domethënës të qyteteve shqiptare që shfrytëzojnë turizmin vjetor, kryesisht atë malor dhe kulturor. Vizitorët që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet, por edhe të vizitojnë fshatrat turistike si Voskopoja, Dardha, ndërsa nuk mungon në itinerarin e tyre edhe Pazari i Korçës, i cili pas transformimit është kthyer në një destinacion.

Neritana Kraja