Kinë, Japonia dhe Koreja e Jugut bien dakord për krijimin e kushteve për takimin e liderëve
2023-11-27 11:57:11

Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut arritën konsensus gjatë një takimi  të dielën mes ministrave të tyre të jashtëm në Busan të Koresë së Jugut, që të krijojnë kushtet për takimin e liderëve të të tre vendeve.


Në Takimin e 10-të Trepalësh të Ministrave të Jashtëm Kinë-Japoni-Kore e Jugut, kreu i diplomacisë kineze Wang Yi tha që bashkëpunimi trepalësh ka “një bazë të fortë, kërkesë të shëndetshme, potencial gjigant dhe perspektivë të gjerë”.


Ai i nxiti të tre vendet të bëjnë më shumë përpjekje për të luajtur një rol më aktiv në promovimin e zhvillimit rajonal dhe global, në një situatë me ndryshime të shpejta të papara gjatë një shekulli dhe me një mëkëmbje të dobët ekonomike.


Kina, sipas Wang, do të vazhdojë t'i përmbahet politikës bazë të diplomacisë së saj, që është nxitja e miqësisë dhe e partneritetit me vendet fqinje, duke u përpjekur bashkë me Korenë e Jugut dhe Japoninë për ta rikthyer bashkëpunimin trepalësh në shinat e duhura dhe për ta bërë atë të shëndetshëm e të qëndrueshëm, duke dhënë kontribute të reja për paqen dhe lulëzimin në rajon e në botë.


Ministri i Jashtëm i Kinës theksoi në vijim rëndësinë e respektimit të rrugës së zhvillimit dhe interesave thelbësore të njëri-tjetrit, trajtimin siç duhet të çështjeve të ndjeshme dhe ruajtjen e marrëdhënieve të shëndetshme dypalëshe, për të hedhur një bazë të mirë për rinisjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të bashkëpunimit trepalësh.


Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Wang shtoi gjithashtu që të tre vendet duhet të rifillojnë bisedimet mbi marrëveshjen e tregtisë së lirë Kinë - Japoni - Kore e Jugut, për të ruajtur impulsin e integrimit rajonal ekonomik.


Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut duhet të shtojnë bashkëpunimin në shkencën e teknologjinë moderne, si të dhënat e mëdha, zinxhiri i blloqeve e inteligjenca artificiale, dhe të punojnë me njëra-tjetrën për të ruajtur qëndrueshmërinë e zinxhirëve të industrisë dhe të furnizimit, vuri në dukje më tej kreu i diplomacisë kineze.


Ai u bëri gjithashtu thirrje tre palëve të zgjerojnë shkëmbimet njerëzore dhe të përshpejtojnë bashkëpunimin lidhur me përballimin e çështjeve të tilla si plakja e popullsisë dhe ndryshimet klimatike.


Ministrat e jashtëm të Koresë së Jugut dhe Japonisë theksuan nga ana e tyre që të tre vendet duhet të shtojnë komunikimin e shkëmbimet, të nxitin bashkëpunimin në sektorë të ndryshëm dhe të krijojnë më shumë fryte konkrete për popujt e tyre.


Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut Park Jin dhe ministrja e Jashtme japoneze Yoko Kamikawa u shprehën po ashtu që të tre vendet mund të zhvillojnë bashkëpunim të vazhdueshëm në fusha si ekonomia, tregtia, shkenca e teknologjia, transformimi digjital, shkëmbimet kulturore, mbrojtja mjedisore, plakja e popullsisë etj.


Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Foto nga Ministria e Punëve e Jashtme e Kinës

Tre palët ranë dakord që bashkëpunimi mes tyre të shkojë përtej rajonit të Azisë Verilindore dhe të luajë një rol pozitiv në paqen dhe lulëzimin e rajonit dhe të botës.


Të tre kryediplomatët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi çështjet me interes të përbashkët ndërkombëtare dhe rajonale.


Wang Yi theksoi që Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut duhet të hedhin poshtë ndarjen e bashkëpunimit rajonal në kampe të ndryshme.


“Ne duhet të veprojmë si stabilizues të paqes e të sigurisë rajonale, të praktikojmë konceptin e sigurisë së përbashkët, të gjithanshme, të vazhdueshme e në bashkëpunim dhe të ngulim këmbë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve e të dallimeve nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve me anë të mjeteve paqësore,” tha ministri i Jashtëm i Kinës. (Jiang Lei)