Komisioni Evropian akordon 6 miliard euro për Ballkanin Perëndimor
2023-11-27 11:18:49

KE fondet(Foto syri.net)

KE fondet(Foto syri.net)

Qeveria shqiptare po bashkëpunon me komunitetin e biznesit në vend për të ngritur strukturat dhe instrumentet e përshtatshme për të tërhequr fondet e vëna në dispozicion nga Bashkimi Europian për sipërmarrjet, në kuadër të procesit të integrimit të rajonit. Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027. Sipas planit, nga kjo shumë deri në 2 miliardë euro do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në takimin me sipërmarrësit në panelin me temë: Instrumentet e BE-së për ndërmarrjet dhe politikat industriale sipas Kapitullit 20 të negociatave të anëtarësimit.

Zv.kryeministrja Balluku (Foto Monitor)

Zv.kryeministrja Balluku (Foto Monitor)

“Growth Plan është një paketë prej 6 miliardë eurosh që do të aksesohet përmes granteve dhe kredive dhe që është e destinuar për rajonin tonë. Nga ana tjetër duhet pasur parasysh që një program shumë i rëndësishëm është Horizon, i cili ka një disponueshmëri prej 95.5 miliardë eurosh, të cilat përmes konkurrencës, projekteve dhe instrumenteve të ndryshëm që ne do të diskutojmë me njëri-tjetrin mund të aksesohet nga bizneset private për të mbështetur iniciativat, projektet e tyre në sektorë të ndryshëm dhe duke pasur parasysh të gjitha ato kritere dhe axhenda prioritare të Bashkimit Europian. “- tha Balluku.

Sipas Zv.Kryeministres e rëndësishme është të ngrihet infrastruktura për të përthithur këto fonde.

“Kështu që sot ka ardhur momenti që ne të diskutojmë me njëri-tjetrin dhe të punojmë për ngritjen e infrastrukturës dhe të instrumenteve të duhur, të cilët do t’i shërbejnë biznesit për të aksesuar fondet e programeve ekonomike të Bashkimit Europian. Kemi konstatuar që nuk e kemi pasur deri më sot një strukturë, një instrument për të mbështetur dhe për të udhëhequr sipërmarrësit tanë në këtë proces të ri për Shqipërinë, por që ka kohë që ndodhet aty dhe që vendet e tjera edhe ato të rajonit e kanë aksesuar. Kështu që ky është momenti për të bashkëpunuar dhe për t’ju krijuar ju mundësinë që të aksesohen këto programe  dhe  që tashmë është i hapur dhe shumë i rëndësishëm Growth Plan.”- tha Balluku.

Balluku vlerësoi ekipin negociator të anëtarësimit për në BE.

“Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë që sot jemi në një momentum historik, në një momentum të artë, kur Shqipëria tashmë ndodhet e ulur në tryezën e negociatave të anëtarësimit, e përfaqësuar nga grupe që vijnë nga radhët e administratës shqiptare, por të cilët janë vlerësuar shumë pozitivisht për performancën dhe profesionalizmin e tyre. Gjej dhe një herë rastin të falënderoj kryenegociatoren, Majlinda Dhukën, e cila drejton me aftësi këtë grup negociator që përfaqëson vendin tonë dhe sa më shumë ne ulemi në tryezat e Brukselit, sa më shumë ne ndërveprojmë me Komisionin apo me të gjithë strukturat e tjera të Bashkimit Europian kemi filluar të identifikojmë fusha ndërveprimi të rëndësishme, sidomos ato ekonomike.”- tha Balluku.

Biznese (Foto Gazeta si)

Biznese (Foto Gazeta si)

Strategjitë e Specializimit Inteligjent S3 sipas Ballukut e kanë afruar edhe më shumë marrëdhënien mes bizneseve dhe ekspertëve në fusha të ndryshme.

“S3 është një platformë e cila na ka dhënë mundësi që ne të kemi një dialog të hapur me më shumë se 1300 përfaqësues të biznesit, të shoqërisë civile, akademikë, duke na krijuar mundësinë e një ndërveprimi të dendur, në këto muajt e fundit, që tashmë e kanë ngritur strukturën e tij, e ka një shtyllë kurrizore dhe duhet vetëm që ta intensifikojmë dhe të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, mos të bëjmë atë gabimin që e nisim një program, një platformë, me shumë dëshirë dhe pastaj rrugës venitet dhe pastaj harrohet. Kjo është diçka që unë jam e angazhuar personalisht dhe nuk do të ketë asnjë mundësi që ta lemë pas dore”- tha Zv.Kryeministrja.

Ajo ndërkohë vlerësoi kontributin e Sekretarit të  Këshillit Ekonomik Kombëtar.

“Ne tashmë shihemi shumë shpesh me njëri-tjetrin, e kemi intensifikuar këtë marrëdhënie, ashtu siç duhet, mes Qeverisë dhe biznesit. Kemi ngritur një kanal komunikimi të pastër me njëri-tjetrin dhe ajo çfarë është më e rëndësishme që sot ne adresojmë shqetësimet tuaja dhe ju mirëkuptoni politikat tona dhe përgatiteni për to. Mendoj që Këshilli Ekonomik Kombëtar do të fillojë të funksionojnë ashtu siç duhet dhe ashtu siç parashikohet në mënyrën e tij të funksionimit si një derë e  hapur, përveç asaj që keni pasur deri më sot.”- shprehet Balluku.

Theksohet rëndësia e aksesimit të fondeve dhe e përthithjes në të njëjtat nivele me vendet e rajonit.

“Unë dua t’ju falënderoj për të gjithë bashkëpunimin dhe  për mënyrën sesi punoni ngushtësisht me ne. Qeveria Shqiptare tashmë ka edhe një ministër, i cili merret me sipërmarrjen dhe me klimën e biznesit dhe unë jam shumë e sigurt që do të jetë një krah i fuqishëm pranë jush për të realizuar të gjitha këto që ne themi, që nuk janë as fjalë, nuk janë as propagandë, por janë programe të mirëfillta ekonomike në dispozicionin tuaj. E vetmja gjë që ne duhet të ngremë sot janë instrumentet për të pasur një aksesim sa më të plotë, sa më të shpejtë dhe për të qenë në të njëjtin nivel të konkurrencës me të gjithë sektorët e biznesit privat në rajonin tonë.”

Plani i ri për rritje në Ballkanin Perëndimor është i bazuar në katër shtylla. Shtylla e parë është forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së. Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje. Shtylla e dytë e këtij plani është forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal. Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind. Shtylla e tretë e këtij plani është përshpejtimi i reformave fundamentale. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal. Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.