Fitimet industriale të Kinës rriten për të tretin muaj radhas në tetor
2023-11-27 20:12:36

CFP

CFP

Fitimet industriale të Kinës vazhduan të rriten për muajin e tretë me radhë në tetor, duke u shtuar 2.7 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave të hënën. 

Në dhjetë muajt e parë të vitit, fitimet industriale ranë me 7.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, nga rënia prej nëntë për qind në nëntë muajt e parë. 

"Efektet e makropolitikave kanë vazhduar të shfaqen, prodhimi industrial ka mbetur i qëndrueshëm dhe të ardhurat e ndërmarrjeve industriale kanë përshpejtuar rimëkëmbjen," tha statisticieni nga Zyra Kombëtare e Statistikave Yu Weining.

Të ardhurat e ndërmarrjeve industriale në dhjetë muajt e parë u shtuan 0.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme, teksa në nëntë muajt e parë mbetën të pandryshuara. 

"Fitimet në sektorët e lëndëve të para dhe të mallrave të konsumit kanë vazhduar të përmirësohen," tha Yu. 

Ai shtoi që, ndërsa kërkesa në nivelin e poshtëm është rimëkëmbyer gradualisht, çmimet e produkteve në sektorin e lëndëve të para janë mëkëmbur në përgjithësi, rritja e të ardhurave është përshpejtuar dhe fitimet kanë vazhduar të shtohen.

Fitimet në industrinë e prodhimit të lëndëve të para në tetor u rritën 22.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke ruajtur ritmin e rritjes relativisht të shpejtë. Në dhjetë muajt e parë, fitimet në industrinë e prodhimit të lëndëve të para u ulën 10.5 për qind, nga një rënie prej 15.3 për qind në nëntë muajt e parë. 

Në të ardhmen, Kina do të përqendrohet në zgjerimin e kërkesës së brendshme, stimulimin e gjallërisë së bizneseve, nxitjen e transformimit dhe ngritjes së nivelit të industrive tradicionale dhe kultivimin e zgjerimin e industrive të reja, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave.