Arseldi Muça & Ea Zoga, fituesit e çmimit “Simon Gjoni” në Festivalin “Luleborë”
2023-11-26 11:57:01

Ea Zoga te Gjeniu i vogel (Foto nga youtube)

Ea Zoga te Gjeniu i vogël (Foto nga youtube)

Arseldi Muça dhe Ea Zoga janë dy këngëtarë të rinj, të  talentuar. Ata në duetin që interpretuar në Festivalin “Luleborë” në Shkodër fituan çmimin “Simon Gjoni”. Arseldi është 17 vjeç dhe është angazhuar me muzikën prej disa vitesh, duke  marrë pjesë në festivale për fëmijë. Ai është angazhuar në disa aktivitete muzikore ku ka marrë dhe një çmim të parë. Ai është një nxënës shumë i mirë veçanërisht në lëndët ekzakte. Në muajin dhjetor 2017, Arseldi interpretoi në festivalin ‘Ylberi’ këngën "Duam Europën", për të vijuar më pas me këngën  "Nëna Jonë". Ai ka marrë pjesë dhe në talent show-n ‘Voice Kids Albania’ për të vijuar me konkurrimin në festivalin ‘Ylberi’ në vitet 2018 dhe 2019, përkatësisht me këngët "Melodia e gjumit" dhe "Më e shtrenjta në botë".

Ea Zoga është 12 vjeç dhe ka qenë fituese në disa kompeticione muzikore. Ea ka fituar çmimin e parë në festivalin “Bilbilat e vegjël të Shkodrës Këndojnë”, por është edhe fituesja e çmimit të parë në Talent Show-t ‘Gjeniu i vogël 8’ në vitin 2022, ku  arriti të kalojë sfida me këngëtarë të talentuar dhe për 16 javë me radhë triumfoi mes 36 konkurrentëve.

Në edicionin e fundit të festivalit “Luleborë” ata i bëri bashkë kompozitori i  këngës “Loti n’buzë”, Roland Guli, i cili besoi në vokalet e tyre. Edhe pse më të vegjëlit e festivalit, ata arritën që të fitonin me interpretimin  e tyre, me një këngë për paqen në botë, një nga çmimet më të rëndësishme të atij festivali, çmimin “Simon Gjoni” , që mban emrin e kompozitorit të këngës së famshme “Luleborë”. Të ftuar në Radio Ejani, ata tregojnë emocionet e këtij çmimi, por edhe për planet e tyre artistike. 

Ea Zoga & Arseldi Muça  fitues të Festivalit Luleborë (Foto nga instagrami)

Ea Zoga & Arseldi Muça  fitues të Festivalit Luleborë (Foto nga instagrami)

CMG: Ju sapo keni fituar një çmim shumë të rëndësishëm në Festivalin "Luleborë", çmimin "Simon Gjoni". Çfarë do të thotë kjo për ju?

Ea: Jam shumë e lumtur sepse çmimi “Simon Gjoni” është dhënë për interpretuesit më të mirë të festivalit.

Arseldi: Edhe për mua është kënaqësi shumë e madhe të vlerësoheshim me çmimin “Simon Gjoni”, një çmim që mban emrin e kompozitorit të këngës së famshme “Luleborë”. Eshtë kënaqësi që merrnim pjesë për herë të parë në këtë festival dhe ishim konkurrentët më të vegjël.

CMG: Interpretuat këngën 'Loti n'buzë'. Si u bëtë bashkë për të realizuar këngën?

Ea: Profesori Roland Guli është ai i cili na bashkoi në këtë duet. Ndoshta ka parë ndonjë ngjashmëri te vokalet tona apo te emocioni.

Arseldi: Po ashtu është. Kur unë mora telefonatën nga kompozitori i këngës Roland Guli, ai më propozoi duetin me këngëtaren Ea dhe që në momentin e parë isha shumë dakord për këtë bashkëpunim sepse e dija që do dilte diçka shumë e bukur.

CMG: Për çfarë flet kjo këngë dhe a e patët të lehtë ta bënit tuajën ?

Ea: Kënga flet për luftrat që ndodhin në botë dhe për paqen që ne kërkojmë. Sidomos për fëmijët që duhet të jenë të lumtur dhe jo të hidhëruar. Këngën e mësuam shumë shpejt se na ka pëlqyer shumë që në momentin e parë.

Arseldi: Ashtu si edhe Ea e tha, kënga trajton një temë shumë aktuale, si ajo e luftës dhe që kërkojmë paqen në botë, në këto kohë të trazuara. Edhe pse këngën e mësova në një kohë shumë të shpejtë sepse më tërhoqi shumë, mu desh që ta praktikoja edhe nga ana emocionale, sepse tematika ishte prekëse. Mund të them se më emociononte dhe mund të ndikonte negativisht në performancën tonë.

CMG: Ju ishit më të vegjëlit e këtij festivali, si u ndjetë krah artistëve të tjerë konkurrentë?

Ea: Jemi ndjerë shumë mirë, të gjithë na mbanin afër  dhe jemi kënaqur shumë edhe në prova.

Ea Zoga & Arseldi Muça  në Festivalin Luleborë (Foto nga instagrami)

Ea Zoga & Arseldi Muça  në Festivalin Luleborë (Foto nga instagrami)

Arseldi: Edhe unë kështu mendoj, madje e shoh edhe si vlerësim për ne që u ngjitëm në një skenë ku ishin edhe artistë të afirmuar të qytetit të Shkodrës, por jo vetëm.

CMG: Mendoni se ky çmim  do jetë një ogur i mirë për vijimësinë e karrierës tuaj artistike?

Ea: Patjetër që çdo pjesëmarrje e çdo çmim që fitohet, mund të jetë një shtysë shumë e madhe për të ardhmen.

Arseldi: Edhe për mua do të thotë shumë që të vlerësoheshim me një çmim në festivalin “Luleborë”, dhe mendoj se kjo do të shërbejë për motivim, për të punuar sa më fort në karrierën tonë artistike,  të marrin pjesë edhe në edicione të tjera të këtij festivali, por edhe në festivale edhe më të mëdha.  

CMG: Arseldi, t’i nuk ke studiuar për muzikë, por ke qenë pjesë e mjaft kompeticioneve apo talent show për fëmijë e të rinj. Si ka lindur muzika tek ty?

Arseldi:E vërtetë që unë nuk studioj për muzikë, por muzika do të ecë gjithmonë si një drejtim paralel në jetën time, krahas studimeve të mia. Unë karrierën artistike e kam nisur nga Qendra Kulturore e Fëmijëve , në festivalin e fëmijëve “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë”, aty ku jam shpallur disa herë fitues i çmimeve, për të vijuar me Festivalin Mbarëkombëtar për Fëmijë, ku për fat të mirë jam vlerësuar me çmime nga juria. Daljen e parë televizive e kam pasur në “The Voice Kids of Albania”, aty ku pata sukses për të vijuar me pjesëmarrjen në një Festival Internacional të Gjuhës dhe Kulturës ku përfaqësova Shqipërinë në festival në Amerikë, Gjermani edhe Francë.

CMG: Arseldi, na trego si kanë qenë për ty  këto vite me muzikën?

Ea Zoga & Arseldi Muça  pas fitores ne Festivalin Luleborë (Foto nga instagrami)

Ea Zoga & Arseldi Muça  pas fitores në Festivalin Luleborë (Foto nga instagrami)

Arseldi: Në fakt nuk zgjodha të studioj për muzikë, pasi kam një rezultat shumë të mirë në arsimin e përgjithshëm dhe besoj se muzika është një talent që Zoti ma ka dhuruar dhe do ta kem gjithmonë pas vetes. Vazhdoj që të punoj privatisht me muzikën dhe në të njëjtën kohë të studioj  në shkollë. Muzika më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës sime, mund të them se më ka dhuruar shumë momente të bukura, kujtime nga fëmijëra që janë të arta dhe nuk do t’i harroj kurrë. Pjesëmarrjet në televizione kombëtare, apo në festivalet ndërkombëtare më kanë dhuruar shumë eksperienca të reja nga të cilat kam mësuar dhe jam rritur shumë artistikisht.

CMG: Ea, një emër shumë i veçantë. Ti edhe pse je vetëm 12 vjeç je angazhuar në shumë kompeticione, ku je vlerësuar. Na fol për këto eksperienca muzikore

EA: Unë kam filluar të këndoj që kur kam qenë shumë e vogël në shkollë, kam marrë pjesë në kompeticionet që zhvillonin në shkolla të ndryshme. Më pas mora pjesë në festivalin “Bilbilat e vegjël të Shkodrës Këndojnë”, ku fitova çmimin e parë, e më pas te “Gjeniu i vogël 8” ku fitova sërish çmimin e parë, vijova me pjesëmarrjen time në  “Junior Fest 2023”,  si dhe jam e angazhuar në shumë koncerte të tjera që zhvillohen në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës.

CMG: Ea, çfarë do të veçoje nga këto pjesëmarrje?

Ea: Do të veçoja emocionet që kam kur dal në skenë, kur këndojmë në prova dhe miqësitë që kam krijuar, sidomos te “Gjeniu i vogël”, që do mbetet një eksperiencë e paharruar për mua.

CMG: Ju të dy jeni të rinj në fushën e muzikës, si e shihni të ardhmen tuaj në muzikë?

Arseldi Muça  (Foto nga instagrami)

Arseldi Muça  (Foto nga instagrami)

Arseldi: Muzika do të ecë gjithmonë krah meje, paralelisht do të kem një profesion tek i cili do të bazohem, por muzika do të mbetet një pasion për të cilin do të punoj fort. Në të ardhmen shpresoj të kem suksese edhe më të mëdha në fushën e  muzikës.   

Ea: Unë sigurisht që do angazhohem nëpër festivale apo koncerte, por që do e doja edhe një profesion tjetër përveç muzikës.

CMG: Cilat janë planet tuaja më të afërta?

Ea: Mbase do marr pjesë në “Junior fest”, pasi fituesi i këtij festivali përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion.

Arseldi: Ndyshe nga Ea, unë nuk kam plane të afërta të paracaktuara sepse po fokusohem shumë me shkollën pasi jam maturant. Pavarësisht kësaj, besoj se do jem pjesë e aktiviteteve që Shkodra do të organizojë.

CMG: Ku e shihni vetes pas 10 vjetësh, në aspektin artistik?

Ea: Nuk e di, koha do e  tregojë , por unë kam qejf që të kem një repertor me këngë të mira.

Arseldi: Të them të vërtetën me këtë pyetje më ke vënë pak në vështirësi, më pëlqen shumë t’i jem besnik të tashmes, për atë punoj fort dhe po mundohem të nxjerr maksimumin nga vetja. Të ardhmes nuk i dihet, por për sa kohë ka talent, ka punë, ka mund, do të vijë dita që do të na shpërblehet dhe do të shohim rezultat të mirë secili prej nesh.

Ea Zoga & Arseldi Muça  në Festivalin Luleborë ne Shkoder (Foto nga instagrami)

Ea Zoga & Arseldi Muça  në Festivalin Luleborë ne Shkoder (Foto nga instagrami)

Intervistoi: Sava Lena