Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi kërkoi të shtunën më shumë përpjekje për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm dhe korrekt të marrëdhënieve Kinë-Japoni. Wang, i bëri këto komente gjatë takimit me homologen japoneze Yoko Kamikawa në kuadrin e mbledhjes trepalëshe të ministrave të Jashtëm të Kinës, Japoninë dhe Republikës së Koresë, e cila po zhvillohet në qytetin jugkorean Busan.
Foto: Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi takohet me homologen japoneze Yoko Kamikawa në Busan, Kore e Jugut, 25 nëntor 2023. /Ministria e Jashtme e Kinës
Kryediplomati kinez u shpreh se në bisedimet e fundit midis krerëve të dy shteteve në San Françisko, u theksua zbatimi i parimeve dhe konsensusit të arritur në katër dokumentet politike midis dy vendeve, duke rikonfirmuar gatshmërinë për nxitjen në mënyrë gjithëpërfshirëse të marrëdhënieve dypalëshe strategjike dhe reciprokisht të dobishme.
Kjo, sipas Wang, ka vendosur një kurs të rëndësishëm politik për marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa nxiti përpjekjet për të zbatuar konsensusin e arritur nga të dy liderët për zhvillimin e shëndetshëm dhe të drejtë të marrëdhënieve Kinë-Japoni.
Duke theksuar se bashkëjetesa paqësore, miqësia e qëndrueshme, bashkëpunimi me leverdi të ndërsjellë dhe zhvillimi i përbashkët u shërbejnë interesave të të dy popujve, ministri Wang u bëri thirrje të dyja palëve të formulojnë udhërrëfyesin dhe kalendarin përkatës për zbatimin e marrëdhënieve dypalëshe strategjike dhe reciprokisht të dobishme. Për këtë qëllim të dyja palët duhet të krijojnë një mirëkuptim korrekt të ndërsjellë, duke u siguruar që të dy vendet nuk përbëjnë kërcënim për njëri-tjetrin, por janë partnerë bashkëpunues, tha Wang.
Duke theksuar nevojën e respektimit të shqetësimeve legjitime të njëri-tjetrit, ai tha se Japonia duhet të mbajë angazhimet e saj mbi çështjen e Tajvanit, t'i përmbahet me vendosmëri parimit të “një Kine” dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës.
Foto: Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi takohet me homologen japoneze Yoko Kamikawa në Busan, Kore e Jugut, 25 nëntor 2023. /Ministria e Jashtme e Kinës
Lidhur me shkarkimin në det të ujit të ndotur bërthamor nga centrali i dëmtuar bërthamor në Fukushima, Wang tha se kjo ka të bëjë me sigurinë detare dhe shëndetin publik dhe se Kina kundërshton praktikat e papërgjegjshme të Japonisë, duke kërkuar krijimin e një mekanizmi
gjithëpërfshirës, efektiv dhe të pavarur monitorimi afatgjatë për të gjitha palët e interesuara.
Ai gjithashtu bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë dhe për t’i rezistuar së bashku anti-globalizimit dhe proteksionizmit për të ruajtur stabilitetin dhe rrjedhën e qetë të zinxhirëve industrialë dhe atyre të furnizimit.
Nga ana e saj, znj. Kamikawa tha se Japonia është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me Kinën për të përmirësuar dialogun dhe për të grumbulluar vazhdimisht faktorë pozitivë për të promovuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të ecur përpara në drejtimin e përcaktuar nga të dy liderët.
Pozicioni i Japonisë për çështjen e Tajvanit nuk ka ndryshuar, tha ajo, duke shprehur gatishmërinë për të miratuar një qëndrim konstruktiv dhe për të gjetur mënyra të përshtatshme për të zgjidhur çështjen e shkarkimit të ujit të ndotur bërthamor përmes dialogut.
Bashkëbiseduesit ranë dakord të eksplorojnë në mënyrë aktive mbajtjen e një raundi të ri të dialogut ekonomik dhe takimeve të nivelit të lartë brenda mekanizmit të shkëmbimeve kulturore e njerëzore, si dhe zhvillimin e dialogut strategjik dhe të sigurisë Kinë-Japoni.
Kryediplomatët e të dyja vendeve shkëmbyen mendime edhe për çështjen e Gadishullit Korean. (Zhang Yan/Edmond)