Vilson Zani, këngëtari gramshiot turne koncertesh në Australi
2023-11-25 16:13:52

Kengetari Vilson Zani gjate xhirimeve te nje videoklipi (Foto personale)

Kengëtari Vilson Zani gjatë xhirimeve të nje videoklipi (Foto personale)

Vilson Zani është këngëtar i muzikës popullore nga qyteti i Gramshit. Ai ka nisur të interpretojë këngë popullore që në moshë të vogël, duke u aktivizuar në koncertet e shkollës dhe pallatit të kulturës. Kënga e tij e parë që e bëri të njohur për publikun ka qenë një këngë dasme “Ngrehu moj nuse”, dhe më pas vijoi me produksione të tjera muzikore. Vilsoni ka sjellë për artdashësit krijimtari të re popullore, por nuk mungojnë në repertorin e tij dhe këngët polifonike, të cilat ai i pëlqen shumë. Ka marrë pjesë në koncerte dhe gëzime familjare brenda dhe jashtë vendit  dhe aktualisht ndodhet bashkë me grupin në një turne në Australinë e largët. Së shpejti Vilsoni do të sjellë për publikun produksione të reja muzikore. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për fillimet në muzikë, aktivitetet ku ka marrë pjesë si dhe projektet në vazhdim. 

CMG: Si lindi pasioni për muzikën popullore tradicionale?

Vilson Zani: Unë jam rritur me këngën popullore, sepse që në moshë të vogël kam marrë pjesë në shumë aktivitete artistike të shkollës dhe të pallatit të kulturës dhe të rriturit më jepnin gjithmonë komplimente. Këto komplimente mua më jepnin një forcë të brendshme që të vazhdoja më tej me muzikën.

CMG: Ti e ke të trashëguar këngën popullore nga familja apo je i vetmi që këndon?

Vilson Zani: Nga familja ime nuk janë të njohur në tregun e muzikës popullore, por gjyshi, babai dhe vëllai kanë kënduar dhe kanë pasur një zë shumë të bukur. Ata këndonin kur mblidheshin në tavolina, që tradita dhe zona jonë i ka dhe i ka pasur më të shpeshta, por nuk kanë qenë të njohur në tregun muzikor dhe pse vërtetë kanë pasur një zë shumë të bukur kur këndonin.

Kengëtari Vilson Zani gjatë xhirimeve të nje videoklipi (Foto personale)

CMG: Cila ka qenë kënga juaj e parë që të bëri të njohur dhe si është pritur nga publiku?

Vilson Zani: Kam qenë në moshën 17 vjeçare kur kam realizuar këngën time të parë “Ngrehu moj nuse”, e cila është pritur shumë mirë. Unë duke shkuar në shumë aktivitete muzikore vendosa që të realizoja një këngë timen dhe falenderoj Zotin që u prit shumë mirë dhe më dha një shtysë për të ecur përpara.

CMG: Produksionet muzikore që ke sjellë deri tani janë krijimtari e re apo ke dhe materiale të bazuara në këngët e vjetra popullore?

Vilson Zani: Këngët e mia janë me tekste të reja  dhe disa këngë i kam me tekste popullore të polifonisë. Janë këngë të vjetra popullore që i kam interpretuar sepse i kam qejf.

CMG: Të pëlqejnë këngët polifonike?

Vilson Zani: Më pëlqejnë shumë këngët polifonike, duke filluar nga kënga “Mbeçë more shok mbeçë”, një këngë që e këndoj nëpër evente apo koncerte jashtë shtetit.

CMG: Me kë ke bashkëpunuar për të realizuar produksionet muzikore?

Vilson Zani: Unë kam bashkëpunuar me disa kompozitorë, duke nisur nga qyteti im, aty ku e kam nisur këngën popullore, që nga studio e Festim Kovaçit i cili njihet në qytetin tonë dhe me Ildi Bora. Ndërkohë që produksionet e fundit kanë qenë me mikun tim dhe kompozitorin e mirënjohur Alban Hoxhaj, me të ciin kam realizuar shumë produksione të mira muzikore.

CMG: Ke marrë pjesë në koncerte jashtë shtetit, si je pritur nga publiku?

Vilson Zani: Unë kam marrë pjesë në shumë evente jashtë shtetit, në koncerte, festa dhe dasma, ku jam pritur shumë mirë dhe i falënderoj. Jam shumë mirënjohës të gjithëve, sepse tashmë u bënë vite që po shkoj pranë tyre për të festuar. Kam qenë në disa koncerte në Greqi, Itali, Maqedoninë e Veriut dhe Belgjikë.

CMG: Përveç këngëve si solist ke realizuar duete me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?

Vilson Zani ne interviste per CMG

Vilson Zani në intervistë për CMG

Vilson Zani: Një nga bashkëpunimet që mund të përmend është me një person të afërt, Xhevahir Bora që përveçse një këngëtar shumë i mirë për polifoninë, unë kam fatin që ta kem dhe njeriun tim. Kemi bërë bashkë dy këngë shumë të bukura që janë pritur shumë mirë nga publiku.

CMG: Mendon se të rinjtë sot e pëlqejnë muzikën popullore tradicionale?

Vilson Zani: Deri tani unë shoh të rinj që janë rritur me traditën dhe e pëlqejnë, por ka dhe të rinj që nuk e duan shumë muzikën popullore sidomos atë polifonike, sepse ndoshta i merr rutina e jetës që kanë. Jam shumë i kënaqur deri tani sepse kur shkojmë nëpër koncerte në Greqi apo Itali janë mbledhur dhe të rinj që e duan këngën popullore.

CMG: Si ka qenë sezoni i këtij viti për dasmat dhe gëzimet e tjera familjare?

Vilson Zani: Ky vit ka qenë shumë i suksesshëm për mua, ku kam pasur shumë ngarkesë, por mbi të gjitha unë jam i kënaqur sepse ky vit ka qenë me shumë punë të bukura, dhe njerëzit kanë ngelur të kënaqur prej nesh.

CMG: Në cilën trevë je më i pranishëm për gëzimet familjare?

Vilson Zani: Unë pothuajse kam qenë i pranishëm në gjithë jugun e vendit në evente familjare, por më tepër kam punuar në juglindje.

CMG: Nga ndryshon muzika popullore e juglindjes me atë të jugut të Shqipërisë?

Vilson Zani: Mendoj se çdo zonë ka theksin dhe gjuhën e vet dhe muzika ashtu funsionon. Gramshi ka tjetër karakter, ndërsa zona e Korçës ka karakter tjetër, po ashtu Përmeti apo Vlora ka tjetër karakter, por jugu e pëlqen të gjithë muzikën. Korça pëlqen muzikën vlonjate dhe Vlora pëlqen këngët korçare.

Vilson Zani (Foto personale)

Vilson Zani (Foto personale)

CMG: Kur je në evente familjare besoj se këndon këngë nga të gjitha trevat

Vilson Zani: Mundohem të përshtatem me të gjitha trevat e jugut, ku grupin tim muzikor e kam shumë të përgatitur dhe në evente familjare të zonës së Shqipërisë së mesme apo veriut mundohemi të bëjmë një punë të mirë, duke ftuar dhe një këngëtar tjetër për t’i bërë qejfin të gjithëve.

CMG:  Kostumin popullor të trevës suaj e ke veshur ndonjëherë?

Vilson Zani: Kostumin popullor e kam veshur në rastet kur pallati i kulturës ka organizuar ndonjë festival, apo dhe në moshë të vogël në eventet e shkollës. Kostumi popullor tregon një gjë shumë të bukur dhe unë e pëlqej shumë.

CMG: Cili është kalendari juaj artistik për festat e nëntorit dhe ato të fundvitit?

Vilson Zani: Këto festa do na gjejnë ndryshe, kam një koncert në Santorini të Greqisë dhe pastaj do të jem në Australinë e largët. Jam shumë i lumtur për këtë gjë, ndaj gjej rastin t’i falënderoj nga zemra që më bënë këtë ftesë. Atje do të jem me kolegë të mrekullueshëm, me Albanin një koleg dhe mik i mirë, profesor Drinin dhe Dea Hysenin. Në Australi ka shumë shqiptarë, të cilët ruajnë traditën e muzikës popullore, madje e ruajnë më mirë se ne. Unë për këtë gjë jam shumë i kënaqur, sepse duke pasur këtë repertor besoj se do të kënaqen me këngët e mia.

CMG: Sa kohë do të qëndroni në Australi?

Vilson Zani: Do të qëndrojmë tre javë atje, sepse kemi katër koncerte të mbyllura dhe dy-tre gëzime familjare, ku besoj se do kalojmë mirë.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?

Vilson Zani ne nje event familjar (Foto personale)

Vilson Zani në një event familjar (Foto personale)

Vilson Zani: Kam në plan disa projekte muzikore, ku më i afërmi do të jetë kur të kthehem nga turneu i Australisë dhe do të jetë një këngë dasme. Këngët e mia janë me tekste të reja, që gjithmonë i shkruan Andi Bora.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Vilson Zani: Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që më bëjnë gjithmonë komente në çdo video dhe këngë që publikoj dhe më mbështesin në çdo koncert.

Intervistoi: Gazmend Agaj