Buxheti i Shtetit 2024 përqëndrohet në zhvillimin rural dhe bujqësinë
2023-11-24 10:48:51

Sektori i bujqësisë (Foto Gazeta Panorama)

Sektori i bujqësisë (Foto Gazeta Panorama)

Pas miratimit në parim të Buxhetit të Shtetit nga Kuvendi i Shqipërisë qeveria shqiptare parashikon të zbatojë programet për zgjerimin e hartës së eksporteve për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin, për përmirësimin e infrastrukturës së ujitje-kullimit të tokave bujqësore, për fuqizimin e sigurisë ushqimore, rritjen e financimit nga Skema Kombëtare e Mbështetjes dhe menaxhimin e qëndrueshëm të tokave, përmes digjitalizimit. Kuvendi i Shqipërisë miratoi edhe Paketën Fiskale 2024, ku me ndryshimet në Ligjin për TVSH, përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import kafshët e racës së pastër për riprodhim, bletët dhe insektet që zëvendësojnë pesticidet.

Këto lehtësi fiskale ndihmojnë sektorin e prodhimit bujqësor, me rritjen e numrit të krerëve në blegtori dhe nxitjen e prodhimit blegtoral, zhvillimin e sektorit të bletarisë, stimulimin e prodhimit organik dhe luftës me metoda organike në bujqësi, si dhe përdorimin e metodave inovative në bujqësi, për kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme.

 

Ndërkohë, eksportet bujqësore vijuan rritjen edhe gjatë 10-mujorit janar-tetor 2023, ku u shënua vlera 46.3 miliardë lekë eksporte ose 445 mln euro, nga 41.1 miliardë lekë, ose 395 mln euro, që ishte në të njëjtën periudhë një vit më parë.

Ecuria e qëndrueshme e sektorit e bën qeverinë shqiptare besimplotë për përmbushjen e objektivit të saj për 1 miliardë dollarë eksporte të prodhimeve bujqësore, brenda kësaj dekade, deri në vitin 2030. Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar(KASH), specialist i bujqësisë dhe zhvillimit rural në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës komentoi buxhetin e shtetit në zhvillimin rural dhe bujqësinë

Agim Rrapaj në intervistë për CMG

Agim Rrapaj në intervistë për CMG

CMG: Z. Rrapaj, nga fondi prej 14 .18 miliardë lekësh që Buxheti i Shtetit jep për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin e ardhshëm, qeveria ka rritur me një të katërtën, në krahasim me vitin 2023, fondet për ujitje-kullim dhe sigurinë ushqimore. A është qasja e duhur, sipas jush?

 

Agim Rrapaj: Po, është qasja e duhur, për arësye se ujitja dhe kullimi lidhen drejtpërdrejt me prodhimin dhe me rezultatet ekonomike të prodhimit bujqësor, duke ndikuar në uljen e kostove. Ajo lidhet drejtpërdrejt dhe me situatën që po kalojmë të turizmit të rritur ndjeshëm.

Ndërsa siguria ushqimore është ndër fjalët dhe veprimet kyçe, që ne duhet të kishim dhe kemi pasur parasysh në këtë Projekt Buxhet 2024, pasi akoma nuk ka kaluar në Parlament nen për nen.

Të dyja, edhe ujitja dhe kullimi, edhe siguria ushqimore, janë shumë të rëndësishme për veprimtarinë në zonat rurale, veçanërisht për ushqimin, por edhe për turistët.    

CMG: Duket se kryefjala e qasjes së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është togfjalëshi “bashkim i operatorëve”, në këtë sektor jetik për ekonominë tonë. Komenti juaj, ju lutem.

Agim Rrapaj: Bashkimi i operatorëve është një proces i vështirë. Është i tillë, sepse ne kemi një ligj, Ligjin Nr. 7501, i cili quhet Ligji për Tokën dhe e ka ndarë tokën për frymë të popullsisë. Kjo përbën pengesën kryesore, pse bashkimi i operatorëve është i vështirë.

Është i ndërlikuar, sepse toka nuk bashkohet edhe për disa arësye të tjera të qenësishme. E para, jo të gjithë operatorët kanë tokë me prodhimtari të njëjtë, të ujitshme ose jo, të mekanizuar apo tokë të pa mekanizuar.

Disa operatorë punojnë për tregun apo për eksportin. Disa të tjerë punojnë për konsumin vetjak dhe të blegtorisë së tyre.

Në këtë shumëllojshmëri problemesh, bashkimi i fermereve-operatorë paraqitet shumë i vështirë. E kemi provuar këtë bashkim për tridhjetë vjet dhe nuk kemi arritur.

Nuk kemi arritur të bashkojmë tokat, pasuritë dhe asetet, për arësyet që thashë. E para është Ligji Nr. 7501. E dyta është diversifikimi i madh i tokës, terreni ynë i veçantë. Ne kemi kodër, mal dhe fushë. Shpërndarja e tokës për një operator është në të tre zonat, në kodër, mal dhe fushë dhe kjo jep vështirësinë e madhe të bashkimit.

Po për çfarë po punohet dhe çfarë ne si KASH kemi sugjeruar? Ne kemi sugjeruar kooperimin dhe koordinimin e operatorëve, por edhe koordinimin me subjektet publike dhe private, në mënyrë të tillë që, përmes kooperimit dhe koordinimit, ne të arrijmë të minimizojmë efektet negative që ka ligji Nr. 7501 dhe efektet penguese që ka ferma jonë e vogël në sipërfaqe dhe në veprimtari.

Përmes kooperimit dhe koordinimit, që janë të mundura dhe kërkojnë pak investime, por më shumë informacion dhe ndërgjegjësim, ne mund t’ia arrijmë që të kemi një subjekt kompetitiv në zonat rurale.

Ai duhet të ketë mundësi që të konkurrojë brenda vendit, por edhe jashtë, përmes eksporteve. Si rezultat i ligjit për kooperimin dhe koordinimin, në Shqipëri janë krijuar tre grupime fermerësh.       

Të parët janë fermerë që punojnë për vete dhe për blegtorinë e tyre, por kanë tokë më tepër nga ç’ka ata kanë mundësi që ta punojnë. Ka një grupim të dytë fermerësh, që kanë tokë, kanë asete, mund të prodhojnë edhe një sasi për treg, por nuk e çojnë dot këtë sasi në treg.

Pastaj ka dhe një grupim tjetër, që është i konsoliduar dhe ka ferma të mëdha, me sipërfaqe të konsiderueshme. Ai punon për treg dhe për eksport.  Ky grupim është grupimi që duhet të furnizohet nga të dyja grupimet e tjera të fermerëve.

Ky proces nuk po ecën ashtu si duhet dhe prandaj ne si KASH themi që duhet të kooperojnë të trija grupimet, në mënyrë të tillë që grupimi që punon për treg dhe për eksport, të jetë grupimi më i fuqishëm, sikurse dhe është, por ai të jetë edhe grupim në rritje.              

CMG: Një nga objektivat për vitin 2024, që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i ka vënë vetes, është edhe zgjerimi i hartës së eksporteve bujqësore. Kemi biseduar më parë edhe bashkë, për rritjen me dhjetëra herë të eksportit të vajit të ullirit ekstra të virgjër, nga Shqipëria për në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Itali, ku Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) që ju drejtoni, ka qenë protagonist në kooordinim. Deri tani, eksportojmë në 80 vende të botës. Si duhet punuar për depërtimin më shumë në tregje elitare, ku vlera e shtuar e produkteve që eksportojmë është më e madhe? Do ta vijoni bashkëpunimin me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural?

 

Agim Rrapaj: Fatos, KASH dihet që është edhe partner, edhe oponent i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe i qeverisë në tërësi. Në rastin konkret, për eksportin, ne jemi partner, më shumë se sa oponent.

Jemi partner më shumë, sepse ne i dimë problemet që janë. Ju përmendët vajin e ullirit. Është realisht një nga produktet, që për vitin e kaluar mbeti stok, madje prej disa vitesh.

Nuk lejohej të eksportohej. Nuk kishin mundësi fermerët për ta eksportuar, për arësye të ndryshme. Përfundimisht, bashkimi, kooperimi dhe koordinimi bënë të mundur që të çelet eksporti i vajit të ullirit për në Itali. Nga 70-80 tonë që ne kishim eksportuar në vitin 2022, këtë vit eksportet e vajit janë në nivele rreth 7 mijë tonë dhe në vendet e Bashkimit Evropian.

 CMG: Një histori e vërtetë suksesi.

Agim Rrapaj: Po. Kjo solli që për herë të parë në vendet e BE-së, të eksportohet vaji i ullirit shqiptar. Pse ndodhi? Ndodhi për arësye se kooperuan dhe koordinuan 14 subjekte. Të dyja ministritë, Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural në Shqipëri dhe Ministria e Bujqësisë dhe e Pylltarisë në Itali, por dhe shumë subjekte të tjera private dhe shtetërore. Të dyja ministritë së bashku arritën që të eliminojnë barrierat burokratike. Disa barriera që ishin vënë, për arësyet e tyre të bllokimit të vajit të ullirit nga vendet jashtë BE-së në Itali.

Përfundimisht, mirëkuptimi mes dy strukturave arriti që ne të futemi në tregun e vajit të ullirit të BE-së. Kjo çfarë bëri? Kjo e rriti çmimin e produktit tonë nga 3.5 euro për litër në 5 euro për litër vaj.

Ne kemi potencial shumë të madh të vajit të ullirit esktra të virgjër. Në vitet me prodhimtari të bollshme, ne prodhojmë rreth 30 mijë tonë vaj në vit. Por konsumi ynë nuk shkon më shumë se 15-16 mijë tonë. Kështu që ne na ngelen 10-14 mijë tonë për të eksportuar.

Ne kemi eksportuar rreth 10 mijë tonë vaj në total, me çmimin 3.5 euro për litër, që bëjnë 35 milionë euro eksport. Çmimi minimal i vajit të ullirit ekstra të virgjër, i standardizuar dhe i çertifikuar, nuk është më pak se 10 euro për litër.    

    CMG: Pra trefishi.

Agim Rrapaj: Po është trefishi. Pra 100 milionë euro. Kjo është ajo që ne kemi synuar. Dhe këtu janë bashkuar të gjithë, sektor privat, sektor publik në Itali dhe në Shqipëri, dhe u bë e mundur ajo që ju thashë.

Agim Rrapaj Kryetar i KASH (Foto CMG)

Agim Rrapaj Kryetar i KASH (Foto CMG)

 

CMG: Si po punohet, në gjykimin tuaj, për vaksinimin dhe çertifikimin, që duket se janë përparësi të qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për vitin e ardhshëm? Po për akreditimin e laboratorëve që kemi?

Agim Rrapaj: Ndër vendet e Ballkanit Perendimor, Shqipëria është e vetmja që ka një grup çertifikimi të Global Gap, të njohur nga Global Gap-i ndërkombëtar. Ky grup koordinon dhe stimulon çertifikimin Global Gap në përgjithësi. Në veçanti, çertifikimin Global Gap e kërkojnë supermarketet në vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Ai është një ndër elementët kyçë, që ne duam të rrisim më shumë, për prodhimet e çertifikuara, dhe veçanërisht për çertifikimin e atyre subjekteve që janë në grupimet e fermerëve që përmendëm më sipër, të cilat kanë mundur të koordinojnë veprimtarinë e tyre.

Ky është elementi i parë i rëndësishëm. Pra, Shqipëria nga 50 ha që ka patur të çertifikuar me Global Gap, këtë vit ka shkuar në 500 ha. Ne shpresojmë që kjo sipërfaqe e çertifikuar të trefishohet në vitin që vjen. Kjo, për arësye, sikurse dhe ju e përmendët, se Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural ka vendosur në Skemën Kombëtare të Mbështetjes, si një zë të veçantë, subvencionin për çertifikimin Global Gap.

Çertifikimi është cilësi dhe cilësia është vlerë. Ne përmendëm se sa është vlera e rritur tek vaji i ullirit i çertifikuar. Për këtë arësye, vëmendja jonë është përqëndruar edhe në këtë drejtim.

  CMG: Si është përgatitja jonë për fondet IPARD III të Bashkimit Evropian? Qeveria ka aplikuar për të nëntë masat e Programit. Pra, është një kapërcim shumë i madh, nga katër masat e programit IPARD II, me sfida të forta.

Agim Rrapaj: Programet IPARD të BE-së për Shqipërinë janë mjaft të rëndësishme. Siç janë shumë të rëndësishme të gjitha fondet grant që Shqipëria merr nga donatorët e huaj, që operojnë në vendin tonë.

Bashkimi Evropian zë peshën kryesore të donacioneve në Shqipëri dhe programi më i madh i BE-së është Programi IPARD.

IPARD II është programi me 94 milionë euro, ku Shqipëria arriti një sukses në disbursim, pra në thithje fondesh të tij. Fakti që u lidhën kontratat dhe u disbursuan 94 milionë euro është një rezultat i kënaqshëm.      

CMG: Pra përthithje fondesh 100 përqind.

Agim Rrapaj: Po, njëqind përqind. Unë këtë e kam quajtur dhe vazhdoj ta quaj një histori suksesi.

Elementi i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me përgatitjet për Programin IPARD III. Këto përgatitje u bënë përsëri, përmes një procedure mjaft transparente dhe u arrit që Bashkimi Evropian të miratojë për Shqipërinë 146 milionë euro. Një rritje e ndjeshme kjo, nga fondet e IPARD II.

Njëkohësisht, pati një rritje të numrit të masave, veprimeve që mbështeste IPARD II, në Programin IPARD III. I pari mbështeste katër masa, ndërsa i dyti mbështet nëntë masa. Kjo do të thotë që Bashkimi Evropian është angazhuar më shumë tek IPARD III, si sasi fondesh, por edhe në gjerësi veprimesh dhe aktiviteti.

Duhet të kemi parasysh që tashmë janë futur masa të reja, si ajo e grupeve lokale të veprimit, e cila është një masë mjaft e dobishme, për ecurinë e Programit IPARD në tërësi, por edhe për situatën që ne kemi. Nga ana tjetër, janë futur masat e asistencës teknike, masa të pylltarisë dhe të rrugëve rurale.

Të gjitha këto së bashku e kompletojnë atë gamën e gjerë që ka nevojë ekonomia rurale në Shqipëri.

Ka një moment që duhet ta përmendim. Jemi në pritje të hapjes së IPARD III. Për arësye të një strukture që ka punuar për kontrollin e vlefshmërisë dhe efiçiencës së Programit IPARD, kuptohet që programet e fondeve grant kanë një kontroll të rreptë. Ato kalojnë pesë filtra, deri në momentin që këto fonde të shkojnë atje ku duhet.     

Intervistoi Fatos Çoçoli