Foto nga instagrami
Në kuadër të Javës Kulturore Ndërkombëtare, Shqipëria mikpret botën. Kjo javë i dedikohet javës kombëtare, ku në mbarë vendin po mbahen aktivitete kulturore. Java Kulturore Kombëtare vjen me aktivitete të larmishme, me këngë, valle, e krijimtari artistike.
Nga data 20- 27 nëntor mbahet Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” në Tiranë. Një javë parakalimi shfaqjesh të këtij Festivali, i cili nisi vitin e kaluar si iniciativë e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit. Vitin e kaluar edicioni i parë i këtij Festivali u mbajt në Shkup, këtë vit në Tiranë dhe vitin e ardhshëm, sipas rotacionit, do të mbahet në Prishtinë. Publiku do t’i ndjekë shfaqjet në dy orare, 19.00 dhe 21.00 në sallën e Teatrit Kombëtar dhe sallën e Teatrit Kombëtar Eksperimental.
Mbrëmja e fundit ka rezervuar premierën përshëndetëse, “Shtëpia e Zotit”, bashkëprodhim mes Teatrit Kombëtar, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar Shkup, vepër nga Ledian Gjeçi, me regji të Ilir Bokshit.
Vallja Arbëreshe kërcyer nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore (Foro nga instagrami)
Më datë 22 nëntor ishte një moment tjetër i veçantë, ku u mbajt në Tiranë ‘Dita e Arbëreshëve’, një mbrëmje e organizuar nga Samiti i Diasporës me përkushtimin dhe përkujdesje të veçantë me në fokus ruajtjen e vlerave kombëtare.
Më 22 nëntor në orën 19:00, u zhvillua aktiviteti artistik “Udhëtimi i flamurit”, i cili përcjell gëzimin dhe krenarinë e festave mes një shfaqjeje të Orkestrës Frymore “Fanfara Tirana” dhe grupeve të ndryshme artistike të moshave të ndryshme në Universitetin e Arteve në Tiranë, në Amfiteatrin Veror.
Më 24 nëntor ora 20.00 Shpat Deda vjen në Tiranë në Javën Kulturore Kombëtare! Kantautori i mirënjohur do të interpretojë këngë prej repertorit të tij dhe kjo natë premton të jetë e paharrueshme, pranë Katedrales Ortodokse nëTiranë
Samiti i Diasporës (Foto nga instagrami)
Më 26 nëntor mbahet një aktivitet në Galerinë Fab. Me pjesëmarrjen e artistëve të mirënjohur: Aleksandër Filipi, Anastas Konstandini, Adrian Devolli, Andi Hila, Artan Buca, Ardit Boriçi, Agron Mesi, Buron Kaceli, Dea Tili, Denisa Brahimi, Eniela Veveçka, Erion Bardhi, Erina Dibra, Fatmir Juka, Gazmend Leka, Hasan Çapari, Ksenofon Dilo, Kujtim Buza, Llazar Taçi, Merita Selimi, Meri File, Nikolin Ivanaj, Nesti Taço, Pandeli Lena, Shpëtim Kërçova, Pëllumb Bylyku, Orlis Vathi, Zef Shoshi. Të ftuar do të jenë Besnik Erebara dhe Lec Shkreli. Galeria FAB e ndërtuar në ambientet e Fakultetit të Arteve të Bukura pranë Universitetit të Arteve është një ndër hapësirat më atraktive në Tiranë për ekspozim.
Më 26 nëntor ora 11:00 do të mbahet aktiviteti "Festojmë edhe ne” në Hollin Koncertor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Qëllimi kryesor i projektit "Festojmë edhe ne", është organizimi dhe zhvillimi i sa më shumë ativiteteve kulturore për fëmijë për të promovuar aftësitë e tyre artistike, për të zbuluar talentet e reja, si dhe për të rritur pjesëmarren e tyre në shoqërinë civile.
Foto nga instagrami
Më 26 nëntor ora 19:00 mbahet aktiviteti “Muzika e filmave shqiptarë”, në hollin e Akademisë së Arteve në Tiranë. Do të shfaqet për publikun një mbrëmje me orkestrën që luan live muzikën e filmave më të famshëm, projeksione që shfaqin momentet më kulminante të filmave, e cila nuk do i mungojë Javës së Kulturës Kombëtare, si një homazh për kompozitorët të cilët nuk jetojnë më, por që kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare.
Më 26 nëntor ora 12.00 do të mbahet në Teatrin "Petro Marko" në Vlorë, koncerti “Atdheu ynë”. Ky koncert ka si qëllim promovimin e muzikës vokale-instrumentale, nëpërmjet veprave më të arrira të kompozitorëve të njohur shqiptarë. Nina Muho, Aredion Lici dhe Sokol Hidërsha do të përcjellin emocione të jashtëzakonshme, jo vetëm për gjeneratat e reja të artistëve, por edhe për publikun e gjerë artdashës.
Samiti i Diasporës (Foto nga instagrami)
Më 27 nëntor në orën 19.00 do të mbahet në Tiranë një “Mbrëmje Gala” me rastin e 70-të vjetorit të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Më 28 Nëntor në Sheshin Skënderbej në Tiranë do të mbahet eventi festiv ‘Rrënjët Kuq e Zi’. Këtë vit në këtë datë të veçantë për kombin tonë, Tirana mikpret për herë të parë Paradën e Shqiptarëve, në bashkëpunim me “Albanian Roots". Pjesëmarrës do të jenë mbi 125 bashki nga trojet shqiptare, përfshirë edhe arbëreshët e Italisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në postimin e tij në rrjetet sociale është shprehur për këtë aktivitet me anë të një video mesazhi: “Të dashur vëllezër e motra shqiptarë këtej dhe andej kufirit, përshëndetje të përzemërta nga Tirana, kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve. Më datë 28 nëntor shqiptarët festojnë 111 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj (Foto nga instagrami)
Në bulevardin “Dëshmorët e kombit” vjen parada e shqiptarëve, një festë e paharuar për festën e pavarësisë, me shqiptarët nga të gjitha trevat e qytetet shqipfolëse të rajonit, për t’u mbledhur së bashku në një paradë kushtuar historisë, trashëgimisë dhe kulturës sonë. Jam shumë i lumtur që kjo paradë do të mbahet në Tiranën tonë të transformuar kaq shumë vitet e fundit, e që do mirëpresë krahëhapur çdo shqiptar që ka dëshirë të na bashkohet në festën tonë të madhe. Por kam edhe një falenderim për rrënjët shqiptare ‘Albanian Roots’, që pas 15 vitesh organizimi në New York, ka vendosur që ta sjellë paradën e saj këtu, ku janë dhe rrënjët e saj në Shqipërinë tonë dhe në kryeqytetin e gjithë shqiptarëve. Mezi pres t’ju takoj të gjithëve në Tiranë më 28 nëntor. Shihemi në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, me një flamur në dorë dhe me familjen tuaj në krahë. Shihemi shpejt!” ka përfunduar Veliaj.
Do jenë të shumta aktivitet e planifikuar këtë vit, si festimet që do të mbahen në qytetin e Vlorës, por edhe në kryeqytetin e vendit në Tiranë. Këto aktivitete do të kurorëzohen më datë 28 nëntor 2023, ku Tirana mikpret për herë të parë Paradën e Shqiptarëve, në bashkëpunim me “Albanian Roots". Më 28 nëntor 2023 shqiptarët do të festojnë të gjithë së bashku 111 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Pritet të jetë një festë e paharuar dita e pavarësisë, e cila do të mbesë gjatë në memorien e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Në këtë festë ku të gjithë do të jenë kuq e zi, do të mund të festojnë së bashku të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat e qytetet shqipfolëse të rajonit, duke u mbledhur së bashku në paradën kushtuar historisë, trashëgimisë dhe kulturës shqiptare.
Sava Lena