Rruge ne Shqiperi (Foto Panorama)
Dëmet mesatare vjetore në infrastrukturë që vijnë nga fatkeqësitë natyrore po bëhen gjithmonë e më shqetësuese.
Në një dokument të qeverisë shqiptare bëhet e ditur se vlera mesatare vjetore është 147 milionë dollarë, duke përfshirë dëmet e shkaktuara nga tërmetet, përmbytjet, rrëshqitjet që prekin rrjetin rrugor dhe urat, shkruan “Panorama”.
Infrastruktura rrugore dhe e urave të Shqipërisë është e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimaterike dhe fatkeqësive natyrore, kryesisht përmbytjet dhe tërmetet. Dëmet mesatare vjetore vlerësohen në 147 milionë dollarë në vit, me ngjarje katastrofike, siç ishte për shembull tërmeti i 2019-s, që mund të ndodhë 1 në 100 vjet, duke shkaktuar më shumë se 2 miliardë dollarë dëme.
Përmbytjet lumore janë një rrezik i madh në rrjetin rrugor primar në Shqipëri dhe përbën 84 për qind të totalit të dëmit mesatar vjetor, krahasuar me 11 për qind nga rrëshqitjet e dheut dhe 5 për qind nga tërmetet, vlerësojnë institucionet shqiptare.
Duke marrë parasysh të gjithë rrjetin rrugor kombëtar, urat dhe kanalet janë infrastruktura kyçe që janë më të cenueshmet dhe elementët më të ekspozuar, te të cilat vlerësohet një dëm mesatar vjetor prej 18.7 milionë euro, thuhet në dokument. (Irma)