Zona ekonomike në Kamboxhia e mbështetur nga “Një brez, një rrugë” ndihmon në kushtet e jetesës dhe ekonominë vendase
2023-11-24 10:33:04


Foto nga Xinhua

Zona e Posaçme Ekonomike Sihanoukville (SSEZ), në Kamboxhian jugperëndimore, një sipërmarrje e përbashkët midis kompanive kineze dhe atyre kamboxhiane, jo vetëm që ka ndikuar pozitivisht në jetën e banorëve vendas, por gjithashtu ka kontribuar ndjeshëm në rritjen ekonomike të vendit.

Një projekt historik nën nismën kineze “Një brez, një rrugë” (BRI), zona e posaçme ekonomike prej 11 km katrorë ka 175 fabrika nga Kina, Evropa, SHBA-ja, Azia Juglindore dhe rajone të tjera, duke gjeneruar rreth 30.000 vende pune lokale.

24-vjeçarja Em Sreyda, punonjëse në fabrikën “General Tire Technology”, në zonën e posaçme ekonomike, tha se puna në fabrikë i ka mundësuar asaj të ketë të ardhura të mira dhe aftësi specifike.

“Më pëlqen puna ime, sepse nuk ka presion pune dhe kur nuk dimë t'i bëjmë gjërat, kolegët kinezë gjithmonë na mësojnë. Këtu, ne mund të përmirësojmë aftësinë tonë të gjuhës kineze dhe pagat janë gjithashtu të mira. Unë fitoj 600 deri në 700 dollarë amerikanë në muaj”,- tha ajo gjatë një interviste për “Xinhua”.

Sreyda tha se kjo zonë është shumë e rëndësishme pasi shërben si një burim i qëndrueshëm i vendeve të punës për banorët vendas.

Say Udom, 22 vjeç, një mbikëqyrës magazine në fabrikën e produkteve mjekësore “Jiangxi 3L”, tha se paga e tij bazë është 500 dollarë amerikanë në muaj dhe shtohet edhe me pagesën dhe bonusin e tij jashtë orarit.

“Duke punuar në fabrikë, kam të ardhura të mira, kështu që mund të mbaj familjen time dhe të kursej disa para për të blerë gjëra që më pëlqejnë. Së fundmi sapo bleva një motoçikletë të re. Me këtë punë më janë përmirësuar shumë kushtet e jetesës, sepse fabrika na ka ofruar akomodim dhe ushqim dhe kështu mund të reduktoj shumë shpenzime”, shtoi ai.

Foto nga Xinhua

Udom tha se zona e posaçme ekonomike është thelbësore për punëtorët vendas, pasi fabrikat e saj jo vetëm që kanë ofruar punë, por edhe ushqim dhe akomodim.

“Do të doja të falënderoja investitorët kinezë për investimin në Kamboxhia, veçanërisht në këtë zonë ekonomike, sepse investimet e tyre kanë ndihmuar shumë në përmirësimin e kushteve të jetesës”, tha ai.

28-vjeçari Yeak Chhit, drejtues i ekipit të kontrollit të cilësisë në fabrikën e produkteve mjekësore “Jiangxi 3L”, tha se puna i mundëson atij të fitojë mbi 700 dollarë amerikanë në muaj. Sipas tij, kjo punë ia përmirësuar shumë kushtet e jetesës, pasi tani ka para për të blerë çdo gjë që u nevojitet.

Zona e Posaçme Ekonomike, që ndodhet rreth 20 kilometra në verilindje të portit autonom ndërkombëtar të ujërave të thella Sihanoukville, është zona më e madhe industriale në Kamboxhia.

Ky Kheng, 38 vjeç, shitës pijesh dhe ushqimesh brenda zonës, tha se zona ekonomike e ka transformuar ish-fshatin e peshkimit në një qytet të gjallë me infrastrukturë të mirë, pika karburanti, dyqane telefonash, berberë, tregje dhe restorante.

“Jam i kënaqur me zhvillimin e zonës sepse shitjet këtu janë shumë më të mira se në vendet e tjera, kështu që të ardhurat e mia janë gjithashtu të larta. Kjo zonë ekonomike ka shumë punëtorë dhe fabrika dhe shitjet e mia janë mjaft të mira”,- tha ai, duke shtuar se kjo zonë ka sjellë jetë më të mirë për punëtorët vendas dhe banorët që jetojnë përreth saj.

Foto nga Xinhua

Menaxherja e fabrikës së produkteve mjekësore “Jiangxi 3L”, Chen Juan, tha se nisma “Një brez, një rrugë” ka mundësuar përfitime ekonomike, trajnime të personelit dhe reputacion të mirë për ndërmarrjet në zonë.

““Një brez, një rrugë” ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e përfitimeve të markës së kompanisë sonë. Në tre aspektet e përfitimeve ekonomike, trajnimit të personelit dhe reputacionit, kompania jonë ka fituar vërtet dividentë nga “Një brez, një rrugë””,- tha ajo për “Xinhua”.

Presidenti i Zonës së Posaçme Ekonomike Sihanoukville, Chen Jiangang, deklaroi se vlera e importeve dhe eksporteve që kalojnë nëpër zonë u rrit në 2.7 miliardë dollarë amerikanë në 10 muajt e parë të vitit, me një rritje prej 33 për qind në bazë vjetore.

“Vlera e importeve dhe eksporteve përmes Zonës së Posaçme Ekonomike përbën 7.13 për qind të xhiros totale tregtare të Kamboxhias. Kjo arritje është mjaft e mahnitshme. Mund të thuhet se investimi i ndërmarrjeve tona në Kamboxhia i ka sjellë vitalitet kësaj toke dikur djerrë dhe gjithashtu ofron një ndjenjë arritjeje për njerëzit vendas”,- tha ai.

Chen theksoi se aktualisht, mesatarisht një punëtor kamboxhian i punësuar në parkun industrial mund të fitojë më shumë se 300 dollarë amerikanë në muaj.

E themeluar në vitin 2008, Zona e Posaçme Ekonomike Sihanoukville pritet të ketë deri në 300 ndërmarrje në vitet e ardhshme, duke gjeneruar deri në 100.000 vende pune.