Posteri i shfaqjes (Foto nga Instagrami )
Vepra e pavdekshme e Shekspirit "Mbreti Lir", rikthehet në skenën e Teatrit Metropol në kryeqytet, si përgjigje e drejtpërdrejtë e kërkesave të publikut. "Mbreti Lir", një sagë e fuqishme që zbulon dinamikat e pushtetit, të çmendurisë dhe të dashurisë rrëfen përplasjen tragjike të mbretit të plakur Lir me pasojat e vendimeve të tij, të cilat çojnë në një sërë ngjarjesh që shpërthejnë në konflikt, mashtrim dhe humbje. Duke u përfshirë në një botë ku vlerat morale shndërrohen dhe tradhtia mbizotëron, personazhet përfundojnë në një udhëtim të dhimbshëm të vetëzbulimit dhe ndëshkimit.
Në rikthimin e kësaj shfaqjeje në Teatrin Metropol, aktorët do të sjellin një interpretim edhe më të thelluar të këtyre personazheve kompleksë, duke zhytur publikun në një botë ku çdo replikë dhe çdo gjest ka një rëndësi të veçantë. Skenografia dhe kostumografia pasqyrojnë thellësitë e ndryshme të dramës, duke e bërë "Mbretin Lir" jo vetëm një shfaqje për t'u parë, por edhe një përvojë për t'u jetuar.
Mbreti Lir (Foto nga instagrami i Teatrit Metropol)
Kjo shfaqje është vënë në skenë për herë të parë në Shqipëri vetëm një herë në vitet ’60, u rikthye në vitin 2022 me premierën e tij pas rreth 6 dekadash. Tashmë për të gjithë artdashësit e teatrit, mund ta ndjekin sërish këtë vit përgjatë muajve nëntor dhe dhjetor. “Mbreti Lir” kjo tragjedi e famshme e Shekspirit, rikthehet në teatrin Metropol me regji nga Jonida Beqo. Teatri shkruan në faqen e tij në Instagram se “Në botën e teatrit ka vepra që tronditin thelbin e qenies njerëzore, dhe "Mbreti Lir" i William Shakespeare është një prej tyre. Kjo tragjedi, e mbushur me pasion, tradhti, dhe çmenduri, na rrëfen për mbretin plak Lir që ndan mbretërinë mes të bijave, duke shkaktuar një vorbull të pafund të tradhtive dhe konfliktit. Karakteri i Lirit, një monark në rrënimin e tij, është një studim magjepsës në krenari dhe humbje. Duke u transformuar nga një sundimtar të fuqishëm në një të moshuar të brishtë dhe të braktisur. Lir na paraqet thellësinë e natyrës njerëzore dhe pasojat e vendimeve të nxituara”. Ajo që e bën veprën "Mbreti Lir" akoma më të jashtëzakonshëm është gjuha e Shekspirit. “Fjalët rrjedhin si muzikë, nganjëherë të ëmbla dhe nganjëherë të hidhura, por gjithmonë të fuqishme dhe prekëse. Çdo dialog është një pikturë e ndërlikuar e emocioneve njerëzore”.
Foto nga shfaqja (Foto nga instagrami)
Aktori i mirënjohur Lulzim Zeqja, në prononcimin e tij në media në lidhje me këtë shfaqje tha: “Shekspiri ka shumë mesazhe, unë e kam quajtur atë ‘autorin e autorëve’. Nuk e di nëse ai ka lënë gjë pa konsumuar apo pa thënë, një problematikë, një filozofi pa e thënë, një gabim njerëzor, pra ai ka folur për gjithçka. Nuk është thjesht kalimi i pasurisë dhe marrja e pushtetit, mosmirënjohja, të rinjtë të cilët largojnë babain e tyre thjesht për t’i marrë pushtetin, kjo është tema bazë, por “Mbreti Lir” ka shumë tema të tjera, të cilat sqarohen shumë mirë. Ka qenë një sfidë mjaft e madhe për mua, deri tani kam luajtur personazhe pozitive, ndërsa ky personazh, i biri i mbretit, më futi në një sfidë tjetër. Jam shumë i kënaqur që kam luajtur këtë rol dhe jam mjaft i kënaqur që kam luajtur në krah të artistëve Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Roerd Toçe dhe aktorëve shumë të mirë të cilët interpretojnë në këtë shfaqje”.
Aktori Viktor Zhusti në rolin e mbretit Lir (Foto Instagram)
Premiera e “Mbretit Lir” vepër e Shekspirit do të shfaqet sonte në Teatrin Metropol për të vijuar përgjatë gjithë nëntorit deri më 17 dhjetor. “Mbreti Lir” është një tragjedi me pesë akte nga Shekspir, e interpretuar në vitet 1605 – 1606 dhe e botuar në vitin 1608. Kjo është një nga tragjeditë më të mira, duke e bërë atë një vepër mjaft të preferuar të shekullit XX. Shfaqjen “Mbreti Lir” e sjell për publikun kryeqytetas regjisorja Jonida Beqo, me pjesëmarrjen në skenë të aktorit Viktor Zhusti, si dhe me interpretimin e aktorëve Sokol Angjeli, Amri Hasanlliu, Armela Demaj, Dinorah Beqiraj, Edvin Mustafa, Erdet Miraka, Klea Konomi, Klesta Shero, Kriks Dumo, Luisa Dinellari, Lulzim Zeqja, Mariglen Domi, Mario Bali, Marius Dhrami, Roerd Toçe, Sara Koçi, Sedmir Memia, Silva Brahimataj, Silvio Goskova, , Stiv Osmanaj, Xhino Musollari, Xhoni Spahi. As.regjisore Joana Omeraj, Ana Guçe, formulues muzikor Robert Bisha, kostumografia Jonida Beqo, as. kostumograf Frenci Gjerasi, skenograf Elvis Themeli, ndriçimi Ergys Baki, grimi i realizuar nga Marinela Halilaj. “Mbreti Lir” do të vihet në skenë mbrëmjet e datave 23, 24, 25, 26, 30 nëntor, për të vijuar dhe në 1, 2, 3, 7, 8, 9, 10, 14, 15, 16, 17 dhjetor në orën 19.00 në teatrin Metropol.
Sava Lena
(Foto nga instagrami i Teatrit Metropol)