Nxënësit marrin pjesë në kursin e kërcimit në Qendrën e Artit të Masave të Shangait, ku filloi semestri i vjeshtës i shkollës së natës më 11 shtator. / Foto nga Xinhua
Në krahasim me dëfrimin në klubet e natës, shumë punonjës të rinj në Shangai zgjedhin pjesëmarrjen në shkollat e natës gjatë kohës së lirë, gjë që ka ngjallur një prirje të re të aktiviteteve të jetës së natës në brezin e ri.
Çdo mbrëmje të mërkure qysh prej 11 shtatorit, një grup të rinjsh mblidhen për të mësuar artin e gravurës kineze në një qendër aktivitetesh të lagjes në distriktin Changning të Shangait.
Klasa fillon në orën 7 të mbrëmjes, por që para orës 6:30 shumë kursistë mbërrijnë për t'u praktikuar. "Gjatë kohës së shkollës, zakonisht arrinim në klasë në kohë. Por tani që punojmë dhe ndjekim shkollën e natës pas punës, nuk na durohet dhe vijmë më herët," thonë nxënësit e rritur.
Ata po marrin pjesë në një shkollë publike nate, të çelur nga Administrata e Kulturës dhe e Turizmit e qytetit të Shangait që prej tetë vjetësh, për ta zgjeruar edukimin kulturor e artistik në masat më të gjera popullore. Banorët vendorë të moshës nga 18 deri në 55 vjeçe kanë të drejtë të regjistrohen.
Kurset organizohen nga Qendra e Artit të Masave e Shangait dhe jepen në semestrat e pranverës dhe të vjeshtës. Për këtë vjeshtë janë hapur 382 kurse, duke përfshirë që nga kultura tradicionale, moda dhe teknikat e kulturës jomateriale, deri te muzika, kërcimi, kafja, kuzhina, makijazhi, gjuha, aftësitë e softuerit dhe stili i jetës.
Një mësues udhëzon nxënësit lidhur me pikturën kineze në Qendrën e Artit të Masave të Shangait. / Foto nga Xinhua
Përveç larmisë së kurseve, edhe lehtësia e pjesëmarrjes në to i ka ndihmuar shkollat e natës të përhapen në gjirin e të rinjve. Këto kurse jepen në 123 pika mësimdhënieje, të shpërndara në 16 distrikte të Shangait. Për 12 leksionet e një kursi, të dhëna nga mësuesit profesionistë, një kursist shpenzon afro 500 juanë (70 dollarë amerikanë), një shumë më e ulët se çmimi i tregut.
Kur filloi regjistrimi në kurse në orën 10 të 11 gushtit, mbi 650 mijë veta u përpoqën të regjistroheshin dhe afro 10 mijë patën sukses. Vendet e regjistrimit në 12 kurse, përfshirë prodhimin e produkteve të lëkurës dhe pjekjen e bukës, që ishin më të parapëlqyera, u zunë brenda një minute.
"Pas punës, shpesh e kaloja kohën duke luajtur në celular dhe kjo më sillte një ndjenjë boshllëku e shqetësimi. Por gjatë klasës së gravurës për një orë e gjysmë në shkollën e natës, mund të përqendrohem plotësisht në një aktivitet të thjeshtë dhe kjo më bën të ndihem i përmbushur dhe i qetë," shprehet 29-vjeçari Yang Xu, një nxënës në klasën e gravurës kineze, që mori pjesë në shkollën e natës për herë të parë këtë vit.
"Sot të rinjtë duhet të përballojnë shumë trysni, të cilat na sjellin ankth. Pjesëmarrja në shkollën e natës është një mënyrë efikase për qetësimin e mendjes," shtoi Yang.
Një nxënës ndan rezultatet e mësimit të tij pas një klase të gjuhës së shenjave në Qendrën e Artit të Masave të Shangait. / Foto nga Xinhua
"Përballë konkurrencës shoqërore dhe stresit në punë, shkollat e natës mund të krijojnë një atmosferë të çlirët dhe miqësore. Shumë të rinj vijnë në shkollat e natës jo vetëm për të mësuar mjeshtëri, por edhe për të qetësuar mendjen dhe për të çliruar emocionet e tyre," tha Liu Jia, kreu i departamentit të përgatitjes artistike pranë Qendrës së Kulturës dhe Artit të distriktit Changning të Shangait.
"Ringjallja aktuale e shkollave të natës pasqyron aspiratat më të larta për vlerësimin e artit dhe përmbushjen shpirtërore, falë përmirësimit të jetesës," tha Jin Zhongming, profesor nga Universiteti Pedagogjik i Kinës Lindore.
"Arti është një shprehje e gjallërisë së jetës dhe brezi i ri, plot me gjallëri, kërkon një jetë më të pasur shpirtërore. Kjo kërkesë përshtatet mirë me përmbajtjen dhe vlerën e shkollës së natës," shtoi ai.
Shkollat e natës jo vetëm i ndihmojnë të rinjtë të përfitojnë nga shërbimet kulturore publike, por gjithashtu kthejnë në jetë kulturën dhe artin tradicional, sipas Li-ut.
"Në shumë aspekte, trashëgimia kulturore jomateriale dhe kultura tradicionale kineze janë kufizuar në një rreth relativisht të vogël dhe në disa vende kulturore publike mungojnë të rinjtë. Shkollat e natës i kanë ringjallur këto burime, duke i bërë ato më të arritshme për të rinjtë dhe, ndërkohë, u japin mjeshtërive të zejtarëve tradicionalë më shumë vlerë dhe rëndësi," tha Liu.
"Është e parashikueshme se do të ketë më shumë kërkesa për shërbimet publike të kulturës e të artit dhe kjo kërkon që qeveria të krijojë një platformë më të mirë për integrimin e burimeve, me qëllim që më shumë institucione të bëhen ofrues të shërbimeve," shtoi Jin. (Wang Lei/ Artam)