Gjuha e muzikës
2023-11-23 15:34:00


Foto nga China Daily

Ishte një mbrëmje e ngrohtë në gushtin e vitit 1995. Robert Blocker po shkonte me makinë për në universitetin “Yale” pasi u emërua si dekan i fakultetit të muzikës “Henry dhe Lucy Moses”. Ai nuk priste të shihte shumë njerëz, por një grup studentësh e takuan dhe i treguan vendin.

“Kur pashë historinë e universitetit dhe mënyrën se si njerëzit investuan në programet e artit të shkollës, e vlerësova shansin që m’u dha për të punuar atje. Mezi prisja të filloja punë. Dhe ai emocion nuk ndryshoi kurrë, sepse çdo ditë ishte ndryshe. Puna ime si dekan nuk ishte e planifikuar. Unë shëtisja nëpër kampus dhe studentët flisnin me mua. Ndiqja provat e studentëve me profesorët dhe u frymëzova prej tyre”,- tha Blocker në një intervistë për “China Daily”.

Pas gati tre dekadash, 77-vjeçari dha dorëheqjen si dekan më 31 gusht. Por, si një pianist i arrirë, ai qëndroi në fakultet në rolin e profesorit të pianos në shkollën e muzikës, si dhe profesor i strategjive të udhëheqjes në “Yale School of Management”.

Gjatë kohës kur ishte dekan, Blocker zhvilloi marrëdhënie afatgjata me kolegë muzikantë në Kinë.

Nga 23 tetori deri më 9 nëntor, ai vizitoi disa qytete, duke përfshirë Shenzhen, Shangai dhe Hangzhou, duke dhënë recitale dhe klasa master.

“Kina është një vend shumë i veçantë për mua. Jam shumë i lumtur që jam kthyer pas pandemisë për të takuar miqtë dhe kolegët e mi”,- tha ai, duke u shprehur tepër i emocionuar përballë studentëve të rinj.

Gjatë një prej recitaleve të tij më 27 tetor, Blocker performoi në Festivalin e 11-të të Muzikës së Pianos në Shenzhen, duke luajtur pjesë nga Domenico Scarlatti, Schubert e Beethoven.

“Kam vënë re ndryshime në Shenzhen, ka shumë ndërtesa të reja. Po ashtu edhe në Shangai, me qendra të reja të artit. Njerëzit dalin për të shijuar muzikën”,-tha ai, duke vënë në dukje se turneu mbuloi kryesisht pjesën jugore të Kinës dhe ai shpreson të udhëtojë së shpejti në veri të vendit, duke përfshirë Pekinin dhe Xi'an, në provincën Shaanxi.

Yang Suxian, drejtor i Festivalit të Muzikës së Pianos në Shenzhen, i cili u lançua për herë të parë në vitin 2013, deklaroi se Blocker ka qenë shumë mbështetës dhe ka marrë pjesë në Festivalin e Muzikës së Pianos në Shenzhen për vite me radhë, madje edhe gjatë pandemisë. “Ai ka vizituar gjithashtu vende të ndryshme në qytet, nga shkollat dhe ndërmarrjet e deri te komunitetet lokale. Ai e njeh shumë mirë qytetin”,- tha Yang.

Kur ishte dekan, Blocker nisi një sërë iniciativash të përbashkëta me shkollat e muzikës kineze, si Konservatori i Muzikës i Shangait dhe Konservatori Qendror i Muzikës, si dhe interpretime me Orkestrën Simfonike të Kinës.

Përpara Lojërave Olimpike Pekin 2008, ai organizoi një event në bashkëpunim me Konservatorin Qendror të Muzikës në Pekin, për të paraqitur Filarmoninë e universitetit “Yale”, në shfaqje në kryeqytetin kinez dhe Shangai.

“Për shkollat e muzikës, misioni është i njëjti, të ndihmohen studentët të kenë sukses dhe të krijohen ndryshime të qëndrueshme dhe pozitive në shoqëri. Ideja ishte e thjeshtë kur doja të ndërmerrja iniciativa me shkollat e muzikës kineze: shkollat duhet të lidhen. Doja të ndërtoja lidhje me shkollat kineze të muzikës, pasi ne kemi shumë studentë dhe mësues nga Kina dhe kolegët tanë punojnë gjithashtu në Kinë”,- tha Blocker.

Vizioni i tij për një botë më shpresëdhënëse reflektohet në besimin e tij se muzika shton mirëkuptimin mes njerëzve.

“Muzika sjell shpresë. Njerëzit mund të flasin gjuhë të ndryshme dhe të kenë ide të ndryshme, por muzika flet me zemrën e njëri-tjetrit, dhe kjo është arsyeja pse ne e vazhdojmë këtë punë dhe pse puna nuk përfundon kurrë. Detyra jonë është të lejojmë muzikën të shërojë botën duke na lejuar të kuptojmë dhe të gjejmë një vend të përbashkët në zemrat tona”,- tha ai.

Duke filluar studimin e tij për piano në moshën 5-vjeçare dhe duke dhënë recitalin e tij të parë publik dy vjet më vonë, Blocker thotë se ai zakonisht ushtrohej herët në mëngjes ose vonë në mbrëmje kur ishte dekan, duke u përpjekur të gjente ekuilibrin e tij midis të qenit një drejtues akademik dhe një pianist.

“Njerëzit më pyesin, pse luan akoma? Unë do të thosha se kjo është një pjesë e asaj që jam. Mësoj një pjesë të re çdo vit sepse nuk dua të përsëris të vjetrat. Truri im duhet të punojë së bashku me gishtat e mi”,- thotë ai.

Blocker ia atribuon pasionin për muzikën mësueses së parë të pianos. Duke e përshkruar atë si modelin e jetën e tij, Blocker thotë se ajo i mësoi atij se si ta donte muzikën. Ai kujton se kur dha një shfaqje publike në moshën 7-vjeçare, ai luajti “Kalorësi i egër” nga Schumann, shpejt dhe me tingull të lartë. Mësuesja e pianos e pyeti pse e luajti në atë mënyrë dhe ai iu përgjigj ngaqë pjesa titullohej “Kalorësi i egër”. Më pas ajo më pyeti se çfarë ngjyre kishte kali, kush e drejtonte dhe nëse kalorësi mbante kapelë. Ajo më bëri shumë pyetje dhe më tha: “Përgjegjësia jote nuk është vetëm të shikosh titullin, por edhe të portretizosh imazhe me muzikën”. Ajo më tha të mendoja gjerësisht dhe thellë si pianist. Ajo u bë si një farë që mbinte tek unë”,- kujton Blocker, duke shtuar se dëshiron t'u thotë të njëjtën gjë studentëve të rinj që mësojnë muzikë.

Për dekada, Blocker ka dëshmuar zhvillimin e shpejtë të Kinës dhe skenën e saj emocionuese të muzikës klasike, me salla të reja koncertesh dhe të rinj që mësojnë të luajnë instrumente muzikore.

Ai gjithashtu vë në dukje se teknologjia digjitale ndihmon në popullarizimin e muzikës klasike, duke lejuar që muzikantët e rinj të shihen dhe dëgjohen nga një audiencë më e gjerë.

Pas mbarimit të epokës si dekan, Blocker thotë se miqësia e tij personale me Kinën do të vazhdojë të rritet.

“Miqësitë e shkëlqyera që kam krijuar gjatë udhëtimeve të mia janë një pasuri për mua”,- thotë ai.