Sfidat e sipërmarrjes shqiptare në inovacion
2023-11-23 10:48:54

Inovacioni (Foto ATSH)

Inovacioni (Foto ATSH)

Sipas të dhënave të publikuara nga Indeksi Global për Inovacionin, Shqipëria jo vetëm që ka një radhitje të ulët botërore, por renditet dobët edhe në rajon, sa i takon inovacionit në disa sektorë. Kështu, sipas Indeksit, Shqipëria radhitet vetëm e 83-a në botë, sa i takon inovacionit. Në tërësi në indeks janë të llogaritura të dhënat për 132 vende të botës. Në krahasim me vendet e rajonit, ka një diferencë të dallueshme, ku për shembull, Serbia radhitet e 53-a, Maqedonia e Veriut në vendin e 54, Mali i Zi 75, apo edhe Bosnjë dhe Hercegovina, renditet përpara Shqipërisë, në vendin e 77-ë. Mes disa sektorëve të marrë parasysh, në pozita më të mira, vendi renditet kur flitet për sofistikimin e biznesit.

Renditje të mirë Shqipëria ka sa i takon infrastrukturës, duke u renditur e 53-a në botë. Këtu spikat mbi të gjitha ofrimi i shërbimeve online, përmes platformës e-Albania, ku Shqipëria renditet e 22-a në botë. Çfarë po ndodh me inovacionin dhe cilat janë sfidat që e presin sipërmarrjen shqiptare? Në një intervistë për mediat, Kushtrim Shala, ekspert i inovacionit dhe transformimit dixhital flet për situatën aktuale.

“Në përgjithësi ekonomia shqiptare është ndër të fundit në rajon dhe në Evropë, për sa i përket dixhitalizimit sepse është e përbërë nga dy sektorë të rëndësishëm siç është turizmi dhe bujqësia. Sektori i teknologjisë së informacionit po njeh një rritje  ndonëse nuk mund t’i numërojmë kompanitë e teknologjisë a janë të digjitalizuara. Sektorët e tjerë si bujqësia dhe turizmi janë një ndër sektorët më të padixhitalizuar në të gjithë ekonominë shqiptare dhe përbëjnë 50 % të të gjithë PBB-së së ekonomisë shqiptare dhe rrjedhimisht ka shumë punë për të bërë. Nuk mund të themi që janë në nivelin e duhur, pavarësisht se kompanitë teknologjike po rriten, kryesisht kompanitë e IT dhe transformimit digjital po ofrojnë shërbime eksporti, shërbime për palët e treta kryesisht në vendet e BE-së, por klientët e tyre janë në të  gjithë botë. Rrjedhimisht tregu shqiptar është jo shumë atraktiv, as për kompanitë shqiptare, si dhe  për kompanitë e huaja, sepse mungon edhe kultura dhe është një ndër vendet ku penetrimin bankar e ka ndër më të ulëtin”-tha Shala.

Kushtrim Shala (Foto Albania Tech)

Kushtrim Shala (Foto Albania Tech)

Eksperti i inovacionit jep një panoramë të tendencave aktuale.

“Kosova ka pasur uljet dhe ngritjet e veta dhe na kujtohet  që në edicionet e para kishte prurje të jashtëzakonshme të inovatorëve, të rinjve dhe të rejave që sillnin ide fantastike. Shqipëria deri në vitet 2017-2018 kishte një lloj stanjimi krahasuar me gjithë rajonin. Ndërsa ditët e fundit shfaqet pak më e ngurtë sepse ndoshta vjen dhe nga kultura edukative e sistemit në Shqipëri që priren për të gjetur një profesion më të sigurt, ndërsa në vendet e rajonit ka një sens sipërmarrje dhe  marrjen e rrezikut përsipër, të guxuarit. Familjet shqiptare kanë një lloj  konservatorizmi në raport me fëmijët dhe këshillat që u japin atyre, por përpjekja është për të qenë profesionistë për të marrë një vend pune që të pensionohesh tek pozicioni i parë që ti zgjedh.”- tha Shala.

Sipas Strategjisë së  Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2021-2027 të publikuar nga qeveria, objektivi është që veprimtaritë e startup-eve dhe ato inovative të rriten gradualisht dhe të promovohet specializimi dhe ndërlidhjet, me qëllim që të arrihet ‘masa kritike’, duke u fokusuar në sektorët dhe zinxhirët e vlerave me potencial më të lartë.

Duke marrë në konsideratë nevojat e ndryshme, fokusi kryesor i objektivit të parë strategjik është tek zhvillimi dhe shfrytëzimi i potencialit për inovacion dhe rritje, ndërsa objektivi i dytë adreson më në thellësi ekosistemin e sipërmarrjes dhe startup-eve. Në të gjithë fushën e ndërhyrjes, një theks i veçantë vendoset në promovimin e aftësive sipërmarrëse të grave dhe krijimin e një klime favorizuese për rritjen e numrit të grave sipërmarrëse dhe madhësisë së bizneseve ekzistuese që drejtohen nga gratë. Masat për përmirësimin e aksesit në financë konsiderohen me rëndësi kritike për forcimin e konkurrueshmërisë së NVM-ve dhe startup-eve. Është e nevojshme të shtohen skemat e granteve për NVM-të dhe të hartohen mjete dhe instrumenta të reja financiare, të tilla si garancia e kredive, kapitali sipërmarrës dhe financimi i turmës Kjo kërkon ndryshim të kuadrit ligjor-thuhet në Strategjinë e publikuar deri në vitin 2027

Inovacioni (Foto albanian post)

Inovacioni (Foto albanian post)

Për të realizuar këtë kërkohet bashkërendim

“Për të shpalosur plotësisht potencialet sipërmarrëse, mbështetja duhet të shtrihet në grupe të synuara përtej ‘startup-eve inovative’, duke kombinuar tipe të ndryshme ndërhyrjesh (infrastrukturë, financim, informacion, trajnim dhe shërbime këshillimi) të cilat adresojnë nevojat e sipërmarrësve aspirantë dhe NVM-ve të reja. Në këtë kontekst, veprimet mund të bazohen në masat dhe iniciativat ekzistuese të zhvilluara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Kjo përfshin, për shembull, skemën e IDEA, e cila mbështetet nga GIZ dhe ofron trajnime dhe grante për sipërmarrësit e rinj në bazë të konkurrencës”

Eksperienca ndërkombëtare tregon se skemat mbështetëse të përgjithshme për NVM-të dhe sipërmarrjen duhet të plotësohen me masa të cilat promovojnë ndërlidhjet dhe projektet bashkëpunuese.

“Rrjedhimisht, forcimi i lidhjeve ndërmjet të gjithë aktorëve dhe komponentëve të ekosistemit të sipërmarrjes dhe inovacionit përbën një faktor gjithëpërfshirës për sukses. Kjo përfshin forcimin e lidhjeve ndërmjet aktorëve të spirales së trefishtë në vend, por gjithashtu dhe integrimin ndërkombëtar të ekosistemit për të rritur veprimtaritë e startup-eve dhe inovacionit. Së fundi, për të shpalosur potencialin e specializimit inteligjent dhe për të arritur ‘masën kritike’ për procese zhvillimi të pavarura është e nevojshme të eksplorohen mënyra të reja për t’u përqendruar dhe për të bashkëpunuar në zinxhirët e vlerave duke përfshirë të gjithë aktorët - nga startup-et te kompanitë e mëdha, nga NVM-të lokale te investitorët ndërkombëtarë, nga akademia te kërkimi, nga institucionet mbështetëse publike te dhomat dhe shoqatat e tregtisë.”- thuhet në raportin e publikuar.

Strategjia e re vendos theksin mbi rëndësinë strategjike të investimeve dhe integrimit në  zinxhirin e vlerave dhe tregjet ndërkombëtare për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm.  Investimet nxisin krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e të  ardhurave, duke nxitur gjithashtu transferimin e teknologjisë, zhvillimin  e aftësive, dheeksportet. Integrimi në zinxhirin e vlerave ndërkombëtare luan një rol kritik  në rritjen e eksporteve dhe forcimin e konkurrueshmërisë së Ndermarrjeve të Vogla dhe të Mesme.