Autoportret - Andromaqi Zengo- foto ATSH
“Dinastita” e piktorëve shqiptarë fillon në shekullin e XVI-të, me piktor Onufrin dhe birin e tij Nikollën; vijon në shekullin e XVII - XIX-të me vëllezërit ikonografë korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi, më tej me ikonografët Katro (Çetiri) që përbëhej nga 6 breza piktorësh; me dinastinë e piktorëve Zengo ku bën pjesë Vangjel Zengo dhe dy vajzat e tij Androniqi dhe Sofia; me piktorin ikonograf Mihal Anagnosti dhe djalin e tij Dhimitër.
Në shekullin e XX-të nga piktorët e traditës, përveç familjes Zengo, nuk kemi vazhdim të traditës së dinastive të piktorëve. Por mbas gjysmës së dytë të shekullit të XX-të, vërejmë një rigjallërim të kësaj tradite.
Autoportret i Sofia Zengo
Familja Zengo ka krijuar një dinasti piktorësh. Nga kjo familje kanë dalë 21 piktorë. Ndër ta, Sofia Zengo Papadhimitri konsolidoi stilin realist, duke realizuar me vërtetësi portrete, peizazhe dhe natyra të qeta. Andromaqi dhe Sofia janë piktoret e para shqiptare. Androniqi Zengo, lindi më 1913. Ndoqi studimet e larta në “Shkollën e Arteve të bukura”, në Athinë me rezultate të shkëlqyera. Më vonë u specializua në Paris. Me mbarimin e shkollës u kthye në Shqipëri për të punuar si mësuese në Institutin femëror “Nëna Mbretëreshë “ në Tiranë. Ekspozitën e saj të parë personale me 60 punime, e hapi në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë. Në Arkivin e Galerisë Kombëtare ruhen mbi 50 punime, portrete dhe peizazhe.
Sofia Zengo Papadhimitri është motra tjetër, e cila ndoqi pasionin e saj për pikturën dhe ikonografinë. Edhe ajo ndoqi studimet e larta në Athinë në Shkollën e Arteve të Bukura”. Ekspozitën e parë e hapi bashkë me motrën e saj. Piktura e saj dallohen për ndërtime me plane të mëdha, për ngjyrat e ngrohta e të thella. Ndërkohë në Muzeumin Mesjetar në Korçë, gjenden 5 ikona të punuara prej saj, të realizuara me nivel të lartë artistik.
Abdurrahim Buza, një piktor i njohur shqiptar, ka lënë gjurmë të thella në historinë e artit shqiptar. Ai u lind në Shkup më 1905, në një familje gjakovare. Abdurrahim Buza ishte një nga themeluesit e shkollës së parë të vizatimit në Tiranë në vitin 1933. Ai realizoi nudon e parë shqiptare në Shqipëri, duke pasur si modele të shoqen. Piktura e kësaj nudoje mbeti e fshehur për më shumë se 70 vite në shtëpinë e tij. Në vitin 2000, nudoja u ekspozua në një ekspozitë , ku u shfaqën edhe punët e të birit të piktorit Kujtim Buzës.
Dy djemtë e piktorit të madh Buza, Kujtim dhe Sokol Buza vazhduan traditën artistike të familjes, duke ndjekur gjurmët e babait të tyre. Kujtim Buza është një piktor i talentuar, më i njohuri ndër vëllezërit. Bashkë me të vëllain, ai u rrit mes pikturave të babait të tij, në një ambient dhe studio të mbushur me miq që diskutonin vazhdimisht për artin. Këtu u brumësua si piktor. Veprat e tyre, babë e bij, janë një pasqyrë e pasionit dhe talentit artistik që i shoqëron gjatë gjithë jetës. Në familjen dhe studion e tyre mbahej gjallë pasioni për artin. Pikturat e Kujtim Buzës shfaqin emocionin dhe realitetin e jetës, duke trashëguar vlerat unike të artistike të familjes së tij.
Sadik Kaceli dhe Buron kaceli- foto shqiptarja
Sadik e Buron Kaceli, dy piktorë at e bir, janë gur shënjues në historinë e artit shqiptar; njëri i takon brezit të parë të artit modern shqiptar, e tjetri brezit të dytë. Sadik Kaceli ishte piktor shumë i njohur. Ai studioi në Paris në Shkollën superiore të arteve të bukura nga viti 1936–1941, ndërsa njihet si krijuesi i parë i lekut shqiptar. Ai ishte nga të parët artistë që nisën të vinin themelet e zhvillimit të artit modern pamor shqiptar.
I biri i tij, Buron Kaceli, vazhdoi traditën artistike të familjes. Buroni është gjithashtu një piktor i talentuar që ecën në gjurmët e babait të tij piktor. Buron Kaceli që në fëmijëri ka pasur fatin të dëgjojë në shtëpinë e tij biseda speciale. Vinin personalitete të mëdha të kulturës shqiptare, si Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Pashko Gjeçi-përkthyesi i i Dante Aligierit e të të tjerë për të biseduar me mikun e artit Sadik Kacelin. Ky kontekst i pasur ka ndikuar në zhvillimin e aftësive artistike të tij. Ishte I destinuar fati I Buron Kacelit, që edhe ai të bëhej piktor. Sot, në studioja e Buron Kacelit, piktorit të njohur shqiptar, është e ndarë në dy kohë, në dy botë. Aty janë gjurmët e babait, Sadik Kacelit, që i kushtoi artit mbi 70 vite të jetës dhe e të birit, Buron që zhvillon individualitetin e tij artistik.
Nexhmedin Zajmi dhe bijën e tij piktore Anila Zajmi i lidh jo vetëm fija e padukshme e atit me bijën, por edhe ajo e trashëgimit të genit artistik. Veprimtaria artistike e piktorit Nexhmedin Zajmi është e gjerë dhe e larmishme. Arti i Zajmit shquhet në veçanti për ngjyra, pikturat e tij kanë forcë të madhe e të thellë në aspektin psikologjik dhe sidomos në portretizimin e karaktereve. Ai është një piktor me emër në traditën shqiptare të pikturimit, me ndikim të madh tek brezat, edhe për vetë profilin e tij si mësues i pikturës.
Vajza e tij, Anila Zajmi, u rrit në një atmosferë të tillë krijuese. Ndonëse babai i saj piktor, duke njohur natyrën e vështirë të punës së artistit, nuk ka dashur asnjëherë që e bija të bëhej piktore, Anila nuk mund t’i devijonte fatit të saj artistik. Sot Anila Zajmi është piktore dhe restauratore e veprave të artit dhe prej vitesh jeton në Itali.
Kristaq dhe Edi Rama është një tjetër shëmbull i trashëgimisë familjare në art. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vjen nga një familje artistësh. Babai i tij, Kristaq Rama ishte me profesion skulptor dhe kjo gjë ka nxitur Edi Ramën, të ndjekë rrugën e artit.
Kristaq Rama lindi në Durrës dhe u shkollua për skulpturë në ish- Bashkimin Sovjetik. Për disa vite dha mësim si pedagog i arteve, ndërkohë që është autor ose bashkëautor i disa vepravë të mëdha monumentale në vend.
Ndërkohë, i biri, Edi Rama ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura për degën Pikturë dhe në vitin 1998, ka qenë pedagog në Akademinë e Arteve. Ai prezantohet si një artist antikonformist, si në pikturë ashtu edhe në jetë. Edhe pse tashmë ushtron profesionin e politikanit, ai vazhdon të pikturojë e të hapë ekspozita në ndryshme nëpër sallone arti në botë.
Familja Shima bën pjesë në familjet e dinastive të piktorëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të XX-të. Ajo fillon me piktorin Alush Shima dhe vazhdon me djemtë e tij Orion e Rubens.
Alush Shima është piktori më i suksesshëm bashkëkohor shqiptar, që ka ngjallur te publiku një interes të jashtëzakonshëm për nivelin e tij artistik dhe suksesin e veçantë që ka arritur prej disa vitesh dhe vazhdon të arrijë në disa nga Galeritë e rëndësishme të botës. Piktori Alush Shima është piktori më i suksesshëm i tablosë “intime” si: natyrat e qeta dhe peizazhet. Ai këtyre gjinive të nënvlerësuara para viteve 90 nga arti zyrtar i kohës, u ka dhënë vendin e duhur dhe të nderit në artin bashkëkohor shqiptar. Shima me veprën e tij piktorike, që arrin në mbi 1500 tablo në vaj, ka shpalosur në vazhdimësi një talent të jashtëzakonshëm, ku evidentohet veçanërisht aftësia e tij si një kolorist i lindur.
Adrian Paci- piktor - foto Wikipedia
Autoprtret i Ferdinand Pacit - foto art house
Ferdinand dhe Adrian Paci janë at e bir, një simbiozë e natyrshme dushurie dhe trashëgimie, por është rasti kur fama e të birit, e kalon atë të të atit. Kjo për arsye se piktori shkodran Ferdinand Paci u nda shpejt nga jeta, pas një aksidenti tragjik kur i biri ishte 7vjeçar. Megjithatë, Adriani u rrit në studion e punimeve të të atit, duke soditur veprat e tij, në mungesë të pranisë fizike të babait. Në një farë mënyre, marrëdhënia me të atin mund të përcaktohet si një marrëdhënie profesionale që u krijua përmes pikturës, krahas asaj ndjeshmërie që ka një fëmijë për prindin e vet.
Sot Adrian Paci është ndër piktorët më të njohur shqiptarë jashtë kufijve. Ai jeton e punon në Itali, ndërsa ka marrë dhe merr pjesë një ekspozita të ndryshme të artit bashkëkohor, sikundër ekspozon herë pas here edhe në atdhe.
Të tjerë piktorë që bëjnë pjesë që trashëgojnë vlerat e tyre tek pasardhësit janë Foto – Vladimir – Vjollca Stamo; vëllezërit piktorë Agim – Bujar; Qamil – Ermir Grezda; Hasan – Shpëtim Reçi; Vilson – Alba – Gesi Kilica; Hysen – Ardian Devolli ; Muntaz – Lumturi – Mirela Dhrami; Jakup – Adriana Kerraj; Hasan – Andi Nallbani; familja Edi – Klod Hila (Agostini); Gazmend – Gjergji – Alba Leka.
Neritana Kraja