Kina bën thirrje për paqen dhe drejtësinë në samitin e BRICS-it mbi çështjen palestinezo-izraelite
2023-11-22 11:39:14

Udhëheqësit e vendeve të BRICS-it u mblodhën të martën për një samit të jashtëzakonshëm virtual mbi çështjen palestinezo-izraelite.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Duke folur në samit, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm si hapi i parë për realizimin e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme.

Palët në konflikt duhet t'u japin fund armiqësive dhe të arrijnë një armëpushim menjëherë, të ndalojnë çdo dhunë e sulm kundër civilëve, si edhe të lirojnë civilët e mbajtur peng, theksoi Xi, duke shtuar që korridoret humanitare duhet të ruhen të sigurta e të lirshme dhe banorëve në Gazë duhet t'u jepet më shumë ndihmë humanitare.

Duhet të ndalojë ndëshkimi kolektiv i banorëve të Gazës, si zhvendosja e detyruar e ndërprerja e furnizimit me ujë, energji elektrike dhe karburant, u shpreh Xi.

Kreu i shtetit i Kinës i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar zgjerimin e konfliktit dhe rrezikimin e qëndrueshmërisë së përgjithshme në Lindje të Mesme.

Për të ndihmuar në zbutjen e krizës humanitare në Gazë, Kina ka ofruar 2 milionë dollarë ndihmë urgjente humanitare nëpërmjet Autoritetit Kombëtar Palestinez dhe agjencive të OKB-së, si edhe 2.1 milionë dollarë furnizime emergjente humanitare, si ushqime e ilaçe, me ndihmën e Egjiptit për banorët në Gazë. 

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Kina do të ofrojë më shumë furnizime dhe ndihmë sipas nevojave të banorëve të Gazës, bëri të ditur presidenti kinez në samitin virtual.

Që nga shpërthimi i konfliktit të fundit palestinezo-izraelit, Kina ka punuar në mënyrë aktive për të promovuar bisedimet e paqes dhe arritjen e armëpushimit, vuri në dukje presidenti Xi.

Si vend kryetar i radhës i Këshillit të Sigurimit të OKB-së këtë muaj, Kina ka nxitur miratimin e rezolutës për ndërprerjen e përkohshme të luftimeve për arsye humanitare dhe krijimin e korridoreve humanitare, për të mbrojtur civilët dhe për të ofruar ndihmë humanitare në Gazë.

Më 15 nëntor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën nr. 2712, duke bërë thirrje për ndërprerje të përkohshme e të gjata luftimesh dhe funksionimin e korridoreve urgjente humanitare në Gazë "për një numër të mjaftueshëm ditësh". Rezoluta ishte produkti i parë konkret i Këshillit të Sigurimit për Gazën pas përshkallëzimit të konfliktit më 7 tetor.

Një delegacion i përbashkët i ministrave të Jashtëm nga vendet arabe dhe islamike, duke përfshirë Arabinë Saudite, Jordaninë, Egjiptin, Indonezinë dhe Palestinën, dhe sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, nisën të hënën një vizitë dyditore në Kinë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Delegacioni zgjodhi Kinën si ndalesën e parë të turneut për të nxitur përfundimin e armiqësive midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Ministrat e jashtëm të vendeve arabe dhe islamike vlerësuan qëndrimin e drejtë prej një kohe të gjatë që ka mbajtur Kina për çështjen e Palestinës dhe presin që Kina të luajë një rol më të madh në përfundimin e konfliktit palestinezo-izraelit, në zgjidhjen e çështjeve përkatëse dhe në arritjen e barazisë e të drejtësisë.

“Pa një zgjidhje të drejtë për çështjen palestineze, nuk mund të ketë paqe e siguri të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, vuri në dukje Xi të martën në samit.(Zhang Yan/Artan)