Ndërtimi i përbashkët i "Një brez, një rrugë" kontribuon në uljen e varfërisë në botë
2023-11-22 10:08:10

Që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, qeveria kineze ka nisur luftën kundër varfërisë me pjesëmarrjen e banorëve të të gjitha kombësive, duke gjetur një rrugë me karakteristika kineze në zbutjen e varfërisë. Pas përpjekjesh të pandërprera, në vitin 2021 Kina deklaroi se të gjithë banorët dolën nga varfëria absolute, gjë që jo vetëm përfundoi këtë problem mijëravjeçar për popullin kinez, por edhe bëri që Kina të arrijë dhjetë vjet përpara afatit të përcaktuar Agjendën për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 të Kombeve të Bashkuara në fushën përkatëse.

Foto:VCG

Foto:VCG

Varfëria është një problem i vjetër i shoqërisë njerëzore. Në rrugën e kërkimit të lumturisë, asnjë vend apo komb nuk duhet të lihet pas. Si vendi më i madh në zhvillim në botë, Kina nuk është vetëm një model dhe pionier në uljen e varfërisë globale, por edhe një propozuese dhe pjesëmarrëse në bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë drejtim.

Ndërtimi i përbashkët i "Një brez, një rrugë" është në përputhje me Agjendën për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 të OKB-së 2030 sa u përket ideimit, masave, synimeve etj. Ajo është një veprim i rëndësishëm i Kinës për të zgjeruar hapjen ndaj botës së jashtme dhe për të nxitur zhvillimin cilësor nëpërmjet ndarjes së mundësive të zhvillimit të saj me vendet e tjera. Ajo është edhe një projekt zgjidhës i ofruar nga Kina për trajtimin e problemeve të zhvillimit global, duke promovuar modernizimin e të gjitha vendeve dhe duke përshpejtuar procesin e globalizimit ekonomik në mënyrë më dinamike, gjithëpërfshirëse e të vazhdueshme, në mënyrë që banorët e vendeve të ndryshme të përfitojnë nga rezultatet e zhvillimit në mënyrë të barabartë.

Në dhjetë vjetët e fundit, nisma "Një brez, një rrugë" ka tërhequr afro një trilion dollarë investime. Mekanizmi i bashkëpunimit bujqësor brenda kësaj nisme ka ngritur aftësinë e vendeve pjesëmarrëse në sigurimin e drithërave dhe në përballimin e krizës ushqimore. Projekte të mëdha industriale dhe investimet infrastrukturore kanë krijuar miliona vende pune, duke ndihmuar mbi 40 milionë banorë të vendeve pjesëmarrëse të dalin nga varfëria, gjë që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zbutjen e varfërisë në mbarë botën.

Foto:VCG

Foto:VCG

Të marrim bashkëpunimin bujqësor për ngritjen e aftësisë së sigurimit të drithërave të vendeve pjesëmarrëse si shembull. Që nga paraqitja e nismës "Një brez, një rrugë" para dhjetë vjetësh, Kina është integruar në mënyrë aktive në rrjetin botëror të risive tekniko-shkencore bujqësore dhe ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi strategjik me Organizatën e Ushqimit dhe të Bujqësisë (FAO) dhe Programin Botëror të Ushqimit (WFP), duke krijuar stacione dhe baza eksperimentale në Kamboxhia, Kongo (Brazavil), Ekuador, Mikronezi, etj. Ndërkohë, Kina ka publikuar "Vizionin dhe veprimet për promovimin e bashkëpunimit bujqësor brenda nismës 'Një brez, një rrugë'”dhe ka nënshkruar më shumë se 100 dokumente bashkëpunimi në bujqësi e peshkim me afro 90 vende dhe organizata ndërkombëtare, duke realizuar 139.4 miliardë dollarë import-eksporte të produkteve bujqësore me to.

Krahas zbatimit të nismës "Një brez, një rrugë", Kina ka promovuar në mënyrë aktive ndërtimin e parqeve industriale dhe ka inkurajuar ndërmarrjet kineze të krijojnë vende pune për banorët vendas nëpërmjet bashkëpunimit industrial, duke arritur qëllimin që e gjithë familja të dalë nga varfëria nëpërmjet punësimit të të paktën një anëtari. Ndërkohë,  kolegjet profesionale kineze kanë bashkëpunuar me homologët në më shumë se 20 vende në Azi, Afrikë  e Evropë për të ndërtuar një sërë punishtesh “Lu Ban”, duke dhënë kontribute të rëndësishme në përmirësimin e punësimit të të rinjve vendorë. Një raport kërkimor nga "McKinsey & Company" tregon se shkalla e lokalizimit të punonjësve të kompanive kineze në Afrikë arrin në 89 %, gjë që ka nxitur ndjeshëm punësimin vendor. Banka Botërore parashikon se, deri në fund të vitit 2030, investimet lidhur me ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" pritet të nxjerrin 7.6 milionë njerëz nga varfëria ekstreme dhe 32 milionë nga varfëria mesatare.

Foto:VCG

Foto:VCG

Trajnimi i talenteve është një metodë e rëndësishme për t'i dhënë fund varfërisë. Brenda kornizës së nismës "Një brez, një rrugë", Kina ka dërguar më shumë se 2000 ekspertë dhe teknikë bujqësorë në më shumë se 70 vende dhe rajone, ka përhapur më shumë se 1500 teknika bujqësore demonstruese, si Juncao dhe orizi hibrid, në shumë vende aziatike, afrikane, të Paqësorit Jugor, të Amerikës Latine dhe Karaibeve, duke ndihmuar në uljen e varfërisë dhe shtimin e të ardhurave të banorëve vendorë në zonat rurale. Duke u mbështetur te Aleanca e Trajnimit të Talenteve Mjekësore "Një brez, një rrugë", Aleanca e Bashkëpunimit Spitalor, Rrjeti i Kërkimit të Politikave Shëndetësore, Plani i Trajnimit të Talenteve Shëndetësore Kinë-ASEAN etj., janë përgatitur dhjetëra mijë talente të shëndetësisë publike profesionale në vendet pjesëmarrëse të nismës "Një brez, një rrugë".

Deri në fund të qershorit të vitit 2023, Kina ka nënshkruar "Memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunimin shëndetësor në kuadër të nismës "Një brez një Rrugë" me OBSh-në", ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit shëndetësor me më shumë se 160 vende e organizata ndërkombëtare dhe ka qenë nismëtare dhe pjesëmarrëse në nëntë mekanizma bashkëpunimi shëndetësor ndërkombëtar dhe rajonal me vendet afrikane, arabe, të ASEAN-it etj. Po ashtu, Kina ka nënshkruar dokumente bashkëpunimi me 14 vende lidhur me mjekësinë tradicionale dhe tetë vende të tjera për mbështetjen ligjore ndaj mjekësisë tradicionale kineze. Janë ndërtuar 30 qendra jashtë shtetit të mjekësisë tradicionale kineze. Më shumë se 100 lloje të barnave të përpunuara kineze janë regjistruar dhe futur në tregjet vendëse.

Foto:VCG

Foto:VCG

Risia është forcë thelbësore e zhvillimit. Në tetorin e vitit 2016, Kina publikoi Planin për Promovimin e Bashkëpunimit të Risive Tekniko-Shkencore brenda kornizës së“Një brez, një rrugë". Në majin e vitit 2017, ky plan filloi zbatimin zyrtar, dhe me anën e kërkimit të përbashkët, transferimit të teknologjisë, shkëmbimeve shkencore  e njerëzore, si dhe bashkëpunimit mes parqeve industriale, ka ngritur aftësinë e vendeve pjesëmarrëse në këtë fushë. Deri në fund të qershorit të vitit 2023, Kina ka nënshkruar marrëveshje ndërqeveritare për bashkëpunimin tekniko-shkencor me më shumë se 80 vende pjesëmarrëse të nismës "Një brez, një rrugë" dhe numri i anëtarëve të Aleancës së Organizatave Shkencore Ndërkombëtare (ANSO) arriti në 58.

Gjithashtu, që nga viti 2013, Kina ka mbështetur më shumë se 10 000 shkencëtarë të rinj nga vendet pjesëmarrëse për kërkime dhe shkëmbime afatshkurtra në Kinë, dhe ka trajnuar më shumë se 16 000 veta personel teknik dhe menaxherial, ka krijuar nëntë platforma ndërkombëtare të transferimit të teknologjisë në vendet e ASEAN-it, Azinë Jugore, vendet arabe, Afrikë, Amerikë Latine dhe rajone të tjera, duke ndihmuar më shumë se 50 vende afrikane të ndërtojnë më shumë se 20 qendra teknologjike  bujqësore dhe ka krijuar mbi 50 laboratorë të përbashkët në fushat e bujqësisë, energjive të reja, shëndetësisë dhe higjienës.