BSH shpjegon arsyet e rritjes së norms bazë të interesit
2023-11-22 10:23:33

Inflacioni(Foto ATSH)

Inflacioni(Foto ATSH)

Ekspertë të Bankës së Shqipërisë kanë shpjeguar arsyet e rritjes së normës bazë të interesit nga 3% në 3.25%. Erald Themeli, Drejtor i Departamentit të Politikës Monetare pranë bankës qendrore në vend, teksa bëri një përmbledhje të  gjetjeve të fundit, tha se arsyeja kryesore pse u mor ky vendim ishte sepse në gjykimin e analistëve të bankës, kërkesa agregate në ekonomi, për mallra dhe shërbime mbetet e fortë dhe qëndrueshme dhe në këtë kontekst kjo kërkesë është burim presionesh inflacioniste.

“Rritja e normës bazë të interesit nga Këshilli Mbikëqyrës në mbledhjen e fundit të tij u konsiderua një hap i nevojshëm për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2024. Arsyeja kryesore pse u mor ky vendim ishte sepse në gjykimin tonë, kërkesa agregate në ekonomi, për mallra dhe shërbime mbetet e fortë dhe qëndrueshme dhe në këtë kontekst kjo kërkesë është burim presionesh inflacioniste. Për të qenë më i detajuar, ndërkohë që inflacioni mesatar i tremujorit të tretë ishte 4.1 %,  inflacioni bazë shënoi 4.2 % duke mbetur dukshëm mbi objektivin tonë të inflacionit prej 3%. Pra kjo lëvizje e politikës monetare, e cila besoj ishte e komunikuar në avancë, vendimet dhe njoftimet që ka shpallur Këshilli Mbikëqyrës, synon pikërisht një balancim më të mirë të kërkesës dhe të ofertës agregate për të pasur një zhvillim më të qëndrueshëm të vendit.”

Sipas Themelit, kjo ishte një lëvizje e domosdoshme për të arritur objektivat e inflacionit që ka Banka e Shqipërisë.

“Një konkluzion i rëndësishëm i analizave ishte në veçanti që kjo kërkesë e lartë për mallrat dhe shërbimet, po shoqërohet si me rritje të shpejtë të pagave ashtu dhe marzhe relativisht të forta fitimi, për bizneset shqiptare, sikundër dëshmohet dhe nga situata mjaft e mirë e likuiditetit të tyre. Mendoj se ishte lëvizje e domosdoshme për të respektuar kthimin e inflacionit në objektiv dhe për të garantuar një ecuri më të qëndrueshme çmimesh si një parakusht për një rritje ekonomike më të shëndetshme në afatin e mesëm dhe të gjatë.”

Banka e Shqipërisë (Foto ATSH)

Banka e Shqipërisë (Foto ATSH)

Sipas Themelit, rezultatet e deritanishme të normalizimit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë janë pozitive.

“Normalizimi i politikës monetare ka qenë një hap i duhur dhe ka pasur pasoja pozitive si në ekonomi ashtu dhe në tregjet financiare. Duke qëndruar në aspektin ekonomik, ky normalizim ka mundësuar kontrollin e inflacionit gjatë vitit 2022 përballë goditjes së fortë që morëm nga tregu i huaj dhe po ashtu ka mundësuar trendin rënës të inflacionit që ne po përjetojmë gjatë vitit 2023. Ndërkohë paralelisht me të ne kemi pasur dhe një ecuri relativisht të qetë të tregjeve financiare, kemi patur një rritje të përgjithshme të normave të interesit, por për faktin që rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë ka qenë më e ngadaltë se ajo e partnerëve tanë tregtarë dhe në veçanti ajo e Bankës Qendrore Evropiane, po ashtu rritja e normave të interesit në tregjet financuare shqiptare ka qenë më e ulët në krahasim me partnerët tanë dhe kjo është një veçanti, çmimi i kredisë në lekë është i barabartë ose më i ulët sesa çmimi i kredisë në valutë.”- shprehet Themeli.

Zhvillimet ekonomike në vend vlerësohen pozitive nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

“Konkluzionet e analizës që ne bëmë në raportin 3 mujor të politikës monetare sugjerojnë që Shqipëria ka patur një trend pozitiv zhvillimi në vitin 2023. Rritja ekonomike gjatë 6 mujorit të parë ishte në nivelin 3%, dhe bazuar në të dhënat indirekte ne presim një përmirësim të ritmit të rritjes në 6 mujorin e dytë të vitit. Paralelisht me të kemi patur një trend rëndës të inflacionit gjatë 3 tremujorëve të parë të vitit, ndonëse ky trend ka ardhur në ngadalësim. Pra diferenca mes tremujorit të dytë tremujorit të tretë, ishte diçka më e ulët se ajo që e prisnim ne. Nga ana tjetër treguesit kryesor të stabilitetit ekonomik dhe monetar, dhe të makroekonomik të vendit kanë ardhur në përmirësim. Deficiti i llogarisë korente është reduktuar, punësimi dhe rritja e pagave kanë qenë të shpejta, dhe po ashtu borxhi i jashtëm dhe publik i vendit, kanë ardhur në rënie. “

Shifrat flasin për optimizëm edhe krahasuar me vendet fqinje.

“Në tërësi, duke faktorizuar kontekstin e zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, mendojmë se ecuria e ekonomisë shqiptare ka qenë poziviteve. Ne kemi pasur ritmin më të lartë të rritjes, ndër vendet e rajonit dhe në të njëjtën kohë kemi pasur po ashtu edhe normën më të ulët të inflacionit. E gjithë kjo situatë, dëshmon qoftë reagimin e duhur të politikave enkomike dhe  në veçanti të politikës monetare, nëpërmjet normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, po ashtu dhe rezistencën e sektorit privat dhe fleksibilitetin që ka dëshmuar në përballimin e situatës.”

Erald Themeli ( Foto Banka e Shqiperise)

Erald Themeli ( Foto Banka e Shqiperise)

Pritshmëritë janë  pozitive edhe për të ardhmen sa i takon rritjes ekonomike në Shqipëri.

“Pritjet për të ardhmen mbeten pozitive, në analizat dhe parashikimet tona, mendojmë se ekonomia shqiptare pritet të ketë trend pozitivi rritje dhe zhvillimi si në vitin 2024 ashtu dhe në horizontin e mëtejshëm kohor, ne presim që duke gjykuar mbi situatën e përgjithshme financiare të bizneseve duke gjykuar mbi kushtet ende të favorshme dhe stimuluese të financimit në tregun e brendshëm, ekonomia shqiptare do vazhdojë të shënojë rritje çka do mundësojë rritje të punësimit, të pagave, mirëqenies së familjeve por po ashtu do të mbajë të shëndetshme bilancet e biznesit privat dhe po ashtu do të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm të vendit në horizontin afatgjatë.”

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja  e  konkurrencës  si  edhe  optimizmi  i  bankave  mbi  ecurinë  e  ardhshme  të  ekonomisë  shqiptare  u  pasqyruan  në  politika  më  favorizuese  kreditimi  në  tremujorin  e  tretë.  Kërkesa  për  kredi,  edhe  në  këtë  tremujor,  u  paraqit  në  përmirësim, më e dukshme te individët. Përqasja e bankave në kreditimin e individëve vijoi të mbetet mbështetëse në tremujorin e tretë, e shprehur në lehtësimin e standardeve, kushteve e termave  të kreditimit, për të gjitha llojet e kredive. Kërkesa për kredi u raportua në rritje, më së shumti  nga  individët,  për  të  gjitha  llojet  e  përdorimit  të   kredisë  tek bizneset, balanca neto pasqyron kërkesë  të shtuar për kreditë për investime dhe kërkesë të ulët për likuiditete.