Griseld Hoxha hap ekspozitën fotografike personale në Milano
2023-11-22 09:26:52


Griseld Hoxha gjate ekspozites personale ne Milano

Griseld Hoxha është fotograf i njohur nga qyteti bregdetar i Durrësit dhe prej disa vitesh punon si fotograf profesionist në shumë evente brenda dhe jashtë vendti. Ai ka marrë pjesë në ekspozita fotografike kolektive dhe në muajin tetor hapi ekspozitën e parë personale në Milano me punime fotografike bardh e zi, foto urbane, një stil fotografik që pëlqehet shumë nga Griseldi. Gjithashtu ai ka realizuar kataloguan e parë fotografik “Fotografia që prek indet e qytetit”, që u prezantua në Panairin e Librit në Tiranë dhe së shpejti do të promovohet në qytetin e Durrësit. Në një intervistë për  Radio Ejani fotografi Hoxha tregon për mbresat nga ekspozita në Milano, realizimin e katalogut fotografik si dhe projetket për të ardhmen në fushën e fotografisë.

Griseld Hoxha ne panairin e librit ne Tirane

CMG: Para pak kohësh hapët ekspozitën fotografike personale në Milano. Si lindi ideja për këtë ekspozitë dhe pse në Milano?

Griseld Hoxha: Milanon si qytet nuk e zgjodha unë, madje ishte fat për mua që të realizohej kjo ekspozitë në Milano, sepse është një, një kryeqytet për Italinë dhe shumë i zhvilluar. Kjo nuk ishte iniciativë e imja, por mua ma sugjeruan miqtë e mi nga Durrësi që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, që  kanë metropol bërë dhe organizime në qytetin e Durrësit dhe kanë lidhje me Konsullatën shqiptare në Itali. Duke parë punën time, sepse mora pjesë në një ekspozitë fotografike kolektive, ishte një sugjerim i tyre për të bashkëpunuar dhe hapur këtë ekspozitë personale në Itali. Ekspozita ishte menduar të hapej në qershor, por u shty në fund të muajt tetor. Kjo është ekspozita ime e parë fotografike personale jashtë vendit.

CMG: Kishe vështirësi në organizimin e ekspozitës në Milano?

Griseld Hoxha: Më kanë ndihmuar miqtë e mi atje, me mbështetjen e Konsullatës shqiptare në Itali dhe të shoqatës atje që e drejton miku im Petrit Aliaj, të cilin e falenderoj sepse ishte ai shtysa për të organizuar këtë ekspozitë. Ata organizuan gjithçka dhe unë shkova si vizitor për të parë ekspozitën time.

Ekspozita fotografike e fotografit Griseld Hoxha ne Milano

CMG: Cilat ishin punimet fotografike të ekspozuara në këtë ekspozitë?

Griseld Hoxha: Këto ishin punimet e mia të ekspozuara dhe para një viti në ekspozitën kolektive që u zhvillua në qytetin e Durrësit, që janë fotografi të një koleksioni tim bardhë e zi dhe foto urbane, sepse janë pika ime e dobët që paraqesin diçka të realitetit shqiptar, foto ndërgjegjësuese dhe të përditshmërisë tonë. Unë si fotograf sigurisht që kam dhe foto të tjera, por ato më tërheqin më shumë sepse ka dhe një domethënie të këtyre fotove. Prandaj ekspozova 20 fotot më të mira, që prekin indet e qytetit të Durrësit dhe më gjerë. Kudo që të jesh ato fotografi e prekin realitetin tonë. Kështu që ekspozitën e titullova “Fotografia që prek indet e qyteti”.

CMG: Sa ditë qëndroi e hapur ekspozita në Milano dhe kishte vizitorë të huaj që erdhën për të parë këto fotografi?

Griseld Hoxha: Ekspozita qëndroi e hapur nga data 12 tetor deri në fund të tetorit në qendrën Slw Mill, që e falenderoj dhe administratorin e qendrës Alban Gjata. Ndërsa çelja e ekspozitës u bë me datë 29 tetor, ku u mblodhën të huaj dhe shqiptarë që jetojnë në qytete të ndryshme të Italisë, miqtë tanë që sapo e dëgjuan për ekspozitën erdhën për ta parë. Gjithashtu dhe miqtë e mi italianë që i kam njohur në Shqipëri erdhën aty, por dhe vendas që jetojnë në Milano erdhën për ta vizituar ekspozitën. Do kisha shumë dëshirë që të isha prezent nga dita e parë deri më 31 tetor për t’i shoqëruar vizitorët, por qëndrova vetëm ditën e çeljse së ekspozitës.

Griseld Hoxha duke prezantuar katalogun fotografik

CMG: Mendon se është arritja më e madhe për ju hapja e një ekspozite personale jashtë vendit?

Griseld Hoxha: Kjo është diçka me sukses të madh sepse ishte ekspozita e parë personale jashtë vendit, dhe që vlerësohet nga të huajt më shumë sesa nga pushteti vendor këtu në Shqipëri, që duhet të vlerësojë qytetarin që kontribon për qytetin dhe ka disa arritje jashtë vendit që e vlerësojnë të huajt. Kjo mendoj se është diçka e madhe në fushën time profesionale.

CMG: Je i vlerësuar dhe nga komuniteti artistik në qytetin e Durrësit për punën dhe profesionalizmin tuaj në fushën e fotografisë. Si ndjehesh kur të vlerësojnë qytetarët tuaj?

Griseld Hoxha: Unë jam i kudondodhur në Durrës, në çdo aktivitet të miqve tanë dhe jemi të gjithë bashkë për artin në qytetin e Durrësit, ku luftojmë aq shumë që të bëjmë art në qytetin tonë. Prandaj më ndihmojnë për çdolloj gjëje dhe une jam gjithmonë të gatshëm.

CMG: Në Panairin e Librit prezantove katalogun fotografik “Kur fotografia prek indet e qytetit”. Si u bë i munduar realizimi i këtij katalogu fotografik?

Griseld Hoxha: Ky katagol është menduar para një viti, qëkur ishte ekspozita kolektive në Durrës, sepse jo të gjithë e kuptojnë këtë zhaner të fotografisë urbane, fotografisë së rrugës apo fotografinë bardhë e zi. Pra jo të gjithë e kanë këtë ndjeshmëri për ta kuptuar fotografinë. Përzgjodha 40 fotografi për të qenë pjesë e këtij katalogu bardh e zi, që është një katalog fotografik me histori të treguara për çdo foto. Fotot janë të realitetit të përditshëm me mesazhe sensibilizuese dhe me ndjeshmëri që ta përcjell më afër fotografinë për ta ndjerë dhe kuptuar. Ky katalog është punuar së bashku në studion printuese “2M” në Durrës, të cilët i falenderoj, dhe u prezantua për herë të parë në Panairin e Librit që u zhvillua në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Dëshiroj që së shpejti t’i bëj dhe një promovim këtij katalogu me durrsakët e mi, që t’i bashkohen dhe miqtë nga Tirana.

Griseldi ne panairin e librit duke dhene autograf per katalogun

CMG: Ke zhvilluar një stil fotografie të rrugës, që në Shqipëri nuk është shumë i njohur, por jashtë vendit është shumë i zhvilluar. Mendon se po të ishe në një vend tjetër do kishe më shumë punë në këtë stil fotografik?

Griseld Hoxha: Është e vërtetë që në Shqipëri ky stil fotografik nuk është shumë i njohur, më shumë është i njohur stili panaromik apo fotot e dasmave, por miqtë tanë e kuptojnë këtë lloj stili dhe Shqipëria duhet të evoluojë dhe të kuptojë çdo lloj gjëje. Ndërsa jashtë vendit sigurisht që e kuptojnë, sepse këto janë fotot më të përdorura, fotot e rrugës, fotot urbane dhe ato bardh e zi, që është kryefjala e fotografisë dhe shpresoj që të vijë shumë shpejt në Shqipëri.

CMG: Cilat janë projektet tuaja në fushën e fotografisë në të ardhmen?

Griseld Hoxha: Kam në plane për të bërë diçka jashtë vendit, jo duke dërguar sërish këto fotografi, por ta zhvilloj komplet këtë projekt fotografik jashtë vendit me shqiptarët që jetojnë atje, duke parë arritjet e shqiptarëve jashtë vendit. Do të gjej dhe vendin ku do ta bëjmë, mbase mund të jetë dhe Kina që do të ishte shumë bukur. Kina me Shqipërinë ka marrëdhënie shumë të mira dhe besoj se ka shumë shqiptarë atje, dhe pse mos t’i promovojmë vlerat e këtyre shqiptarëve që punojnë jashtë vendit me anë të fotografisë. Fotografia është një mjet shumë i mirë për të promovuar punën e shqiptarëve jashtë vendit.

CMG: Do dëshiroje që në të ardhmen të hapësh një ekspozitë fotografike personale në Kinë?

Griseld Hoxha: Patjetër që po, çdo gjë mund të bëhet realitet sepse vetëm falë punës dhe pasionit arrihet çdo gjë.

Intervistoi: Gazmend Agaj