Kinë, përhapet ngrohja “e gjelbër”
2023-11-22 16:08:09

Në tetor ose nëntor, në krahinat në veri të Kinës nis gradualisht furnizimi me ngrohje sipas temperaturës vendore. Mirëpo "stina" e ngrohjes është edhe një periudhë e vështirë për të garantuar cilësinë e ajrit, sepse në shumë krahina djegia e qymyrgurit është ende mënyra kryesore për shumë banorë - sidomos për ata që jetojnë në zonat rurale - për t'i mbajtur shtëpitë të ngrohta në dimrin e ashpër.

Foto:CMG

Foto:CMG

Për të zgjidhur këtë kontradiktë, gjithnjë e më shumë krahina po kërkojnë metoda të tjera të ngrohjes me energji të pastra. Të dhënat statistikore nga Ministria e Ekologjisë dhe e Mjedisit tregojnë se tani mbi 37 milionë familje kanë mbaruar transformimin e lëndëve djegëse dhe po kalojnë një dimër të ngrohtë pa krijuar ndotje të ajrit.

Rajoni Autonom i Mongolisë së Brendshme ka përkatësisht 57 % dhe 21 % të burimeve të energjisë së erës  dhe diellore të vendit. Tani atje po përhapen pajisjet për ngrohje me energjinë diellore. Aotgenbajar është një blegtor nga lokaliteti Uxin i qytetit Ordos në Jugperëndim të Mongolisë së Brendshme. Në dimrat e mëparshëm, familja e tij duhej të harxhonte pesë tonë qymyrgur për ngrohje në temperatura deri në -30 gradë celsius. Sipas tij, djegia e qymyrgurit shkaktonte pluhur, tym dhe erë. Por tani problemi është zgjidhur.

Me financimin e qeverisë, lokaliteti i tij ka ndërtuar një central të prodhimit të energjisë elektrike me energji diellore. Këtë dimër 239 familje vendore kanë kryer transformimin e mënyrës së ngrohjes, duke kursyer 901 tonë qymyrgur e duke pakësuar lëshimin e 2703 tonëve dioksid karboni, të 9.01 tonëve tym dhe 7.66 tonëve sulfur.

Foto:CMG

Foto:CMG

Jo vetëm Ordosi, por edhe katër qytete të tjera të Mongolisë së Brendshme - Hohhot, Baotou, Bayan Nur e Ulanqab- janë përshirë në projektin e financimit dhe banorët do të fillojnë përdorimin e energjisë së pastër për ngrohje që nga viti 2024.

Nga 1 nëntori, në gjithë provincën Liaoning të Kinës Verilindore filloi furnizimi me ngrohje. Për të përmirësuar cilësinë e ajrit, autoritetet vendore përdorin kashtën si lëndë djegëse për ngrohje.

Në lagjen "Zhujia" të distriktit Hunnan të qytetit Shenyang, kryeqendër e provincës Liaoning, ngrohja e 3000 familjeve dhe e disa departamenteve publike bëhet me një kaldajë të madh që funksionon me djegie kashte. Në të kaluarën, kishte mbi 60 kaldaja të vegjël me djegie qymyrguri për të plotësuar kërkesat e banorëve.

Në krahasim me qymyrgurin, kashta nxjerr më pak sulfur dhe fosfor. Bashkë me teknologjinë e pastrimit të pluhurit gjatë djegies, kaldajë e re është zgjedhja më e mirë për mbrojtjen e mjedisit.

 Gjithashtu, kashta, përveç djegies së drejtëpërdrejtë për ngrohje, mund të jetë edhe lëndë e parë biologjike për të prodhuar elektricitet, i cili mund të shfrytëzohet edhe për ngrohje.

Foto:CMG

Foto:CMG

Në distriktin Tieling të qytetit Tieling të provincës Liaoning, ka një termocentral me biomasë, i cili përdor kashtën e thatë të orizit, grurit e misrit dhe copat e drurit të mbetura pas përpunimit. Çdo ditë ai mund të ofrojë energji elektrike për ngrohjen e 750 mijë metrave katrorë tokë, duke konsumuar rreth 340 mijë tonë mbeturina bujqësore dhe pyjore. Në të njëjtën kohë, kashta është bërë një tjetër burim i të ardhurave të fermerëve vendorë.

Siç mësohet, në provincën Liaoning tani ka 167 projekte të tilla, duke ofruar energji për një sipërfaqe mbi 3 milionë metra katrorë e duke kursyer gati 300 mijë tonë qymyrgur.

Provinca Hebei ka qenë një ndër zonat më të prekura prej ndotja e ajrit. Vitet e fundit, cilësia e ajrit atje është përmirësuar në mënyrë të dukshme. Një arsye është ndryshmimi i strukturës së konsumit energjetik.

Përveç zëvendësimit të qymyrgurit me gaz natyror dhe energji elektrike, provinca Hebei po shfrytëzon edhe burimet e pasura vendore - nxehtësinë nëntokësore - për të përshpejtuar transformimin e gjelbër të ngrohjes në dimër.

Foto:CMG

Foto:CMG

Uji i nxehtë nëntokësor nxirret jashtë dhe ngroh ujin e çezmës, i cili dërgohet nëpërmjet tubacionit në çdo familje. Pasi mbaron lëshimin e nxehtësisë, uji nëntokësor kthehet pas filtrimit të duhur. Në këtë mënyrë, sigurohet ngrohja dhe nuk ndikohet niveli i ujit nëntokësor.

Në qytezën Qinghe të qytetit Xingtai të provincës Hebei, tani 5.5 milionë metra katrorë banesa janë furnizuar me ngrohje të prodhuar prej nxehtësisë nëntokësore, gjë që pakëson mbi 100 mijë tonë lëndë ndotëse në krahasim me djegien e qymyrgurit. Shifra e pakësimit të lëshimit të lëndëve ndotëse për mbarë provincën arrin në 1.39 milion tonë.