Dario Rexhollari: Po investoj fuqishëm tek realiteti virtual
2023-11-21 11:25:34

Dario Rexhollari është autor, themelues dhe drejtues i Spontan Creative Media, një agjenci digjitale dhe kreative e vlerësuar ndërkombëtarisht. Me mbi 7 vite eksperiencë në fushat e marketingut, shitjes, multimedias dhe menaxhimit, Dario vjen për të ndarë eksperiencën e tij në tregun global dhe atë lokal. Së fundmi, Spontan Creative Media ka krijuar si spinoff "Billionaires Show VR" një lojë novatore në Realitetin Virtual me fokus përdoruesit (gamers) nga e gjithë bota. Përmes pasionit për inovacionin dhe kreativitetit, Dario vazhdon të udhëheqë Spontan Creative Media drejt suksesit të vazhdueshëm duke bashkëpunuar me organizata dhe kompani kyç në Shqiperi dhe jashtë saj.

Dario Rexhollari ( foto personale)

Dario Rexhollari ( foto personale)

CMG: E keni menduar ndonjëherë me veten se kush jeni dhe çfarë keni bërë deri tani në jetë?

Dario Rexhallari: Kjo është një pyetje që filozofët duan shumë kohë ta zgjidhin me veten. Unë jam një person që dua gjithçka, përpiqem të zbuloj shumë nga vetja dhe jam tepër i qartë me atë që jam dhe ku dua të shkoj, pasi çdo gjë në jetë është perspektivë. Unë e dua shumë teknologjinë dhe përpiqem që ta përdor atë në aspektin pozitiv.

CMG: Kur ka qenë momenti që ju mendoni se ka qenë pikënisje e asaj që ju jeni sot ?

Dario Rexhallari:  Unë  kam ndryshuar fokuset e mia në jetë. Për një periudhë kam dashur shumë letërsinë, kam lexuar shumë dhe kam dashur të isha një person i librit. Kam botuar dy libra dhe më pas jam tërhequr në momentin që kam kuptuar se sa botë e bukur dhe e pafundme është teknologjia. Madje librin tim të dytë unë ende nuk e kam nxjerrë për publikun.

CMG: Pse je tërhequr nga letërsia?

Dario Rexhollari: Kur bëhet fjalë për shkrime dhe libra unë mendoj se autori vdes, nuk bëhet fjalë për autorin, por për personazhet, vetëm ata qëndrojnë. Ajo që më ka shtyrë mua të jem shkrimtar ishte që të isha ndryshe nga shkrimtarët e tjerë, por kjo nuk pëlqehet fort nga shumica ndaj dhe u detyrova të pushoj deri në një moment që të marr serish siguri.

CMG:Cilat kanë qenë momentet më të vështira profesionale tuajat?

Dario Rexhallari: Unë nuk i shoh momentet e vështira dhe të lodhem duke menduar se pse ndodhi diçka apo çfarë mund të më ndodhë. Unë jam mësuar edhe me dështime, por kam bërë paqe me veten në këtë lloj gjëje dhe nuk mërzitem më, përpiqem dhe gjërat i marr me shumë sportivitet. I rëndësishëm është objektivi im i ardhshëm.

CMG: Si është themeluar “Spontan Media”?

Dario Rexhollari ( foto personale)

Dario Rexhollari (foto personale)

Dario Rexhallari: Spontan Creative Media është një agjenci digjitale dhe kreative e vlerësuar me çmime, që ndihmon bizneset e mesme dhe të mëdha të jenë përpara konkurrencës. Motoja e tyre është: vështirësia zgjat një ditë, e pamundura një javë. Kjo mjafton për të thënë se stafi i tyre i profesionistëve përdor kreativitetin dhe teknologjinë për të zgjidhur detyra të ndryshme, sfida dhe për t’u marrë me çdo problem që mund të paraqesin klientët. Spontan Creative Media u shërben kompanive private, organizatave dhe individëve ambiciozë në Shqipëri, SHBA, Kanada, Gjermani, Britani të Madhe, Itali, Algjeri, Bruksel dhe më e rëndësishmja është Kina, gjiganti teknologjik. Ne e quajmë agjenci multidimensionale, sepse jemi kudo nga aspekti teknologjik i kreativitetit  dhe marketingut. Kemi zhvilluar dy produkte; Një lojë në VR dhe ROI, që është një platformë SaaS, që i vjen në ndihmë restoranteve për t’i ulur komisionet nga platforma të treta, duke i eliminuar ato fare dhe duke i rritur shitjet.

CMG: A është sipas jush Kina gjigant teknologjik dhe a keni bashkëpunuar me këtë vend?

Dario Rexhallari: Po, mendoj se është lider në këtë aspekt dhe ne kemi bashkëpunuar tepër me klientë në Kinë, ata janë tepër të gatshëm për të dhënë suportin e tyre në zhvillimin tonë dhe anasjelltas.  Kanë një potencial të lartë prej të cilit ne kemi kënaqësinë që si kompani të shkëmbejmë eksperienca.

CMG: VR, është një tjetër fushë e cila po trajtohet shumë mirë prej jush, si e ndërtuat lojën tuaj?

Dario Rexhallari: Aktualisht ne po investojmë fuqishëm tek realiteti virtual dhe të bëhemi gati për të ardhmen. Kemi ndërtuar një lojë  që quhet Billionaires show. Kemi bërë një studim të imtësishëm të tregut, për të kuptuar çfarë lojërash ekzistojnë, çfarë nuk janë krijuar akoma, çfarë kërkon tregu dhe kështu më rrallë. Shumë individë që ne kemi pyetur, donin të ishin pjesë e një reality show dhe nuk kanë qenë kurrë. Në realitetin virtual ne po krijojmë një realitet ku mund të marrin pjesë të gjithë. Loja ka tipare edukuese dhe informuese, kush vjen aty, përveç argëtimit do të marrë edhe dije. Pyetjet janë nga të gjitha fushat e jetës. Ky realitet mund të aksesohet nga Playstation VR, nga Steam VR dhe nga shumë platforma të tjera. Ne kemi krijuar një ambient 3D virtual, i cili është identik siç do të ishte një studio reale, pra ka një host, një publik që të mbështet në çdo përgjigje që ti jep dhe kështu çdo përdorues merr një eksperiencë të veçantë.

Dario Rexhollari ( foto personale)

Dario Rexhollari ( foto personale)

CMG: A keni një mesazh për të gjithë të rinjtë e tjerë, që duan të  nisin karrierën e tyre?

Dario Rexhallari: Fuqia më e madhe e një të riu është “Guximi”. Nëse një njeri ka forcën të guxojë ka edhe forcën të fitojë.

Intervistoi: Megi Latifi