Takimi Xi Jinping-Biden në optikën e ekonomisë botërore
2023-11-21 10:36:55

Samiti i APEC në San Francisco (Foto CMG)

Samiti i APEC në San Francisco (Foto CMG)

Takimi i 15 nëntorit në San Francisco të SHBA-ve, mes Presidentit amerikan Biden dhe Presidentit kinez Xi Jinping, i dërgoi një sinjal shumë pozitiv botës, duke treguar se si Kina ashtu edhe SHBA-të, synojnë të lehtësojnë dhe të stabilizojnë marrëdhëniet dypalëshe, duke kërkuar mundësi të reja për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes tyre. Takimi vendosi një frymë të qartë bashkëpunimi dhe konsensusi, për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike Kinë-SHBA, në një situatë sfiduese për tregjet ndërkombëtare të mallrave, shërbimeve dhe të kapitalit.


Veçantia e këtij takimi, gjatë zhvillimit të Samitit të 30-të të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), niveli i vëmendjes nga të dyja kombet, por dhe nga komuniteti ndërkombëtar, mediat dhe kompanitë e mëdha shumëkombëshe, kontribuan në rëndësinë e tij strategjike dhe ndikimin e thellë në ekonominë botërore.


Kina dhe SHBA kanë fusha të gjera me interes të përbashkët, si ekonomia, tregtia, bujqësia, ndryshimet klimatike dhe Inteligjenca Artificiale. Të dyja palët u shprehën gati, gjatë takimit, që të përdorin plotësisht mekanizmat në politikën e jashtme, ekonominë, financën, tregtinë dhe bujqësinë, madje edhe mekanizmat që janë restauruar ose krijuar muajt e fundit, për të bashkëpunuar në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, në investimet, në zhvillimin me përparësi të shkencës dhe teknologjisë.


Takimi i presidentëve Xi dhe Biden (Foto CMG)

Takimi i presidentëve Xi dhe Biden (Foto CMG)

Si Xi Jinping dhe Biden ranë dakord për mbajtjen e përbashkët të përgjegjësive, si vende lider në botë, që të udhëheqin përmes shembullit, të rrisin koordinimin dhe bashkëpunimin për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe të ofrojnë më shumë të mira publike për botën. Ata ishin në një mendje, që takimi i San Franciscos duhet të shërbejë si një pikë e re startimi për stabilizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve dhe të bashkëpunimit të tyre në nivel global.


Takimi theksoi promovimin e shkëmbimeve mes njerëzve, që është thelbësor për marrëdhëniet ekonomike. Të dy palët u angazhuan të rrisin fluturimet e planifikuara, të avancojnë bashkëpunimin turistik, të zgjerojnë shkëmbimet kombëtare, të forcojnë bashkëpunimin në çështjet e arsimit dhe të zvogëlojnë faktorët negativë që pengojnë shkëmbimet mes qytetarëve.


Në nivel të liberalizimit të tregtisë në botë, Presidenti amerikan Biden erdhi në Samitin e APEC-ut, duke synuar të paraqesë Shtetet e Bashkuara si një partner të fortë ekonomik të vendeve të Azisë dhe Paqësorit. Ndërkohë, Kina ka ndërtuar me shpejtësi rrjetin e saj të marrëveshjes së tregtisë së lirë, përmes marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe.


Deri tani, Kina ka nënshkruar njëzet e tre marrëveshje të tregtisë së lirë në rajon dhe më gjerë, ndërkohë që ka katërmbëdhjetë të tjera në negocim dhe gjashtë në shqyrtim, shpesh përmes kryerjes së studimeve të përbashkëta të leverdisshmërisë. Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër, kanë katërmbëdhjetë marrëveshje gjithëpërfshirëse të tregtisë së lirë, në fuqi me njëzet vende.


Në përgjithësi, fokusi i Kinës ka qenë negocimi i marrëveshjeve dypalëshe tregtare me vendet e APEC, shumë prej të cilave janë pjesë e mekanizmit të Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal, i cili hyri në fuqi në janar të vitit 2022. Në të njëjtën kohë, Kina ka promovuar marrëveshje tregtare shumëpalëshe me grupet rajonale, siç janë negociatat e saj të vazhdueshme me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit Persik.


Në nivel të bashkëpunimit për ndryshimet klimatike, si Xi Jinping dhe Biden pranuan rëndësinë e bashkëpunimit për veprimin ndaj klimës dhe përshëndetën diskutimet pozitive të kohëve të fundit midis të dërguarve të tyre të posaçëm për klimën. Ata nënvizuan rëndësinë e punës së bashku, për të përshpejtuar përpjekjet për të trajtuar krizën klimatike në këtë dekadë kritike.


Një ditë para takimit të dy liderave, Kina dhe SHBA nxorën një deklaratë, e cila përshkruan 25 pikat e marrëveshjes për trajtimin e përbashkët të krizës klimatike. Deklarata përfshin angazhime të përbashkëta për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit, per trefishimin e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme globalisht deri në vitin 2030, per zbatimin e planeve përkatëse kombëtare të veprimit ndaj kufizimit të perdorimit të metanit, per zbatimin e teknologjive dhe masave për të kontrolluar emetimet e gazeve serrë dhe ndotësve te ajrit, si dhe për mbështetjen e bashkëpunimit klimatik mes shteteve, provincave dhe qyteteve në çdo vend.


Në nivel të bashkepunimit mes njerëzve, qytetarëve të tyre, të dy udhëheqësit u angazhuan të punojnë drejt një rritjeje të konsiderueshme të mëtejshme të fluturimeve të planifikuara të pasagjerëve, në fillim të vitit të ardhshëm. Fluturimet e pasagjerëve ndërmjet SHBA-së dhe Kinës nuk janë kthyer ende në nivelet e para-pandemisë së COVID 19, pavarësisht heqjes së kufizimeve të udhëtimit në fillim të vitit 2023. Numri i fluturimeve të pasagjerëve është rritur disa herë në vitin 2023, së fundmi në tetor, kur Departamenti i Transportit i SHBA-së miratoi një rritje të numrit të fluturimeve vajtje-ardhje për në SHBA, që linjat ajrore kineze mund të operonin në javë. Kjo e çoi numrin total të fluturimeve javore të operuara nga linjat ajrore amerikane dhe kineze në 70, deri më datën 9 nëntor 2023.


Bashkëpunimi kino-amerikan (Foto CMG)

Bashkëpunimi kino-amerikan (Foto CMG)

Përveç rritjes së fluturimeve të pasagjerëve, të dy palët inkurajuan gjithashtu zgjerimin e shkëmbimeve arsimore, studentore, rinore, kulturore, sportive dhe mes bizneseve.


Në nivel të bashkëpunimit për qeverisjen e Inteligjences Artificiale, të dyja palët ranë dakord zyrtarisht për të vendosur bisedime qeveritare për AI. Udhëheqësit pohuan nevojën për të adresuar rreziqet e sistemeve të avancuara të Inteligjences Artificiale dhe për të përmirësuar sigurinë e Inteligjences Artificiale, përmes bisedimeve në nivel të lartë qeveritar, mes Kinës dhe SHBA-ve.

SHBA dhe Kina kanë punuar për të krijuar një kanal zyrtar për dialog mbi qeverisjen e Inteligjences Artificiale, të paktën që nga vizita e Sekretares së Thesarit të SHBA-ve Janet Yellen në Pekin në korrik 2023.

Arritja e marrëveshjeve për drejtimin e zhvillimit dhe rregullimin e industrisë së Inteligjences Artificiale është shumë e rëndësishme, pasi mund të ndihmojë në rivendosjen e bashkëpunimit të industrisë midis dy vendeve.

Kina dhe SHBA ranë dakord të dyja me Deklaratën Bletchley në Samitin e Sigurisë së Inteligjencës Artificiale, të mbajtur në fillim të nëntorit 2023, në Mbretërinë e Bashkuar, i cili përvijoi rreziqet e mundshme të Inteligjences Artificiale dhe vendosi të bashkëpunojë për zhvillimin e sigurt të teknologjisë.

Në përfundim, si Xi Jinping ashtu dhe Joe Biden, e përcaktuan takimin e tyre si produktiv dhe theksuan që diskutimi duhet të vazhdojë me dialog të rregullt, duke kërkuar bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët, si dekarbonizimi i sistemit energjetik të botës, dhënia fund e varfërisë në Afrikë, etj. Kina, ashtu si dhe Shtetet e Bashkuara, ndajnë interesa në këto fusha dhe mund të bashkëpunojnë për to, në dobi të ekonomisë botërore dhe zhvillimit të qendrueshëm ekonomik në të gjitha rajonet e globit..


Fatos Çoçoli