Foto nga facebook
U mbajt në Lushnjë edicioni i 12-të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore. Qyteti i Lushnjes mirëpriti artistët nga i gjithë vendi dhe trevat shqipfolëse, të cilët parakaluan në sheshin e qytetit me kostume tradicionale. Bashkëpunimi që vazhdon prej vitesh mes Bashkisë Lushnjë, Qendrës Kombëtare të Valleve Tipologjike dhe Ministrisë së Kulturës solli në këtë qytet grupe folklorike nga të gjitha qarqet e vendit, ku nuk munguan edhe grupe artistike përshëndetëse. Grupet pjesëmarrëse vijuan programin në skenën e konkurrimit. Publiku ndoqi fillimisht një performancë nga grupi i Lushnjës si mikpritës i këtij eventi, për të vijuar me të gjitha trevat pjesëmarrëse. Kostumet shumëngjyrëshe dhe jehona e veglave muzikore morën shumë duartrokitje nga publiku në sallë. Grupet folklorike konkurruan me valle, pjesë humoristike, lirike, polifonike etj. Qëllimi i këtij festivali është ruajtja dhe trashëgimia e traditës kulturore dhe shpirtërore nga brezi në brez, ku në këtë edicion të 12-të rreth 30% e artistëve interpretues ishin të rinj. Mirëseardhjen grupeve këtë vit ia uroi Kryetarja e Bashkisë së Lushnjes Eriselda Sefa.
“Në emër të qytetarëve të Lushnjes unë dua t’i uroj mirëseardhjen sot të gjithë festivalistëve, mirë se erdhët në qytetin e Kongresit, në qytetin e qytetarëve bujarë, mikpritës, por edhe artdashës, por edhe t’i falenderoj, që këtë tempull që mban emrin e të madhes Vaçe Zela, na i zbukuruan sot me disa copëza të folkut dhe të kostumografisë së larmishme të gjithë trevave të vendit tonë. Vallja burimore është e lashtë sa vetë një komb, vallja dhe kënga së bashku janë momente të gjalla të kulturës tonë kombëtare. Prandaj nëpërmjet këtyre festivaleve, duhet t’i mbajmë gjallë, por patjetër edhe t’i trashëgojmë ato në brezat e rinj” tha Sefa.
Në këtë edicion të 12-të të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore në Lushnje, morën pjesë rreth 150 artistë me grupet muzikore nga 12 qarqet e vendit. Juria pasi ndoqi interpretimet për dy netë me rradhë, vlerësoi me çmimin “Hazir Rustemi” Ansamblin “Arian Plaku” të Durrësit si grupi më i mirë i edicionit të 12-të të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Burimore.
QKVT (Foto nga facebbok)
Koreografi Arian Plaku, Durrës u shpreh për mediat: “Për të theksuar dhe vëmendjen që drejtuesit e grupeve po u japin brezave të rinj që folklori të trashëgohet brez pas brezi. Është rinovuar dhe rifreskuar pjesëmarrja e të rinjve në këtë edicion”.
Ndërsa Violeta Beshiri soliste, përfaqësuese e Ansamblit “Arian Plaku” Durrës tha për mediat: “Duam që ta ruajmë traditën tonë, ta pasojmë këtë traditë me anë të valleve, kostumeve dhe këngëve, t’ia përcjellim brezave të tjerë, por edhe ne ta ruajmë mes njëri-tjetrit”.
Arian Plaku përfaqësuesi i Durrësit (Foto nga facebook)
Ky festival sjell historinë dhe kulturën e vendit tonë të trashëguar ndër breza nëpërmjet gurrës popullore. Në këtë edicion ka pasur grupe edhe nga Hasi, Dimali, Vlora, Devolli, etj. Për dy netë me radhë skena e Qendrës Kulturore “Vaçe Zela” priti artistët pjesëmarrës, por edhe publikun i cili nuk mungoi gjatë këtyre dy netëve. Ansambli i Durrësit “Arian Plaku” arriti të fitojë çmimin “Hazir Rustemi” si grupi më i mirë i edicionit të 12-të të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Burimore.
Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar është një realitet i ri për mbrojtjen, ruajtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore jomateriale në Shqipërinë e pasviteve 1990. Këto festivale të përvitshme organizohen në qytete të ndryshme të Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, Universitetin e Arteve, si dhe me organet e pushtetit vendor të bashkive përkatëse, ndërsa promovon e popullarizon shprehje specifike të folklorit shqiptar, si: këngën, vallen, instrumentet dhe kostumet popullore, si vlera të pamohueshme të krijuara prej shekujsh, në të mirë të ruajtjes së traditave në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale, të cilat kanë objekt muzikën popullore qytetare e më gjerë.
Këto aktivitete kanë për qëllim paraqitjen, nxitjen dhe promovimin e vlerave dhe të arritjeve sa më të mira të këngës qytetare shqiptare si një gjini ku bashkëjetojnë elemente tradicionale të trashëguara dhe shprehje të reja të prejardhura nga kultura qytetare. Kjo veprimtari zhvillohet në Elbasan, Korçë, Vlorë, Lushnje, etj.
Sava Lena
Foto nga facebook