Foto nga CFP
Sipas vlerësimeve të Institutit Global “McKinsey” të ShBA-së, në vitin 2020, 55 qytete kineze hynë në radhën e qyteteve me të ardhura të larta, duke përbërë 27% të popullsisë kineze. Parashikohet se deri në vitin 2030, numri i qyteteve kineze me të ardhura të larta do të shtohet në 93, duke mbuluar 44 % të popullsisë së vendit. Me këto të dhëna, Instituti “McKinsey” nxori përfundimin: “Është e qartë përgjigjja se ku duhet të kërkojmë për rritjen globale.”
Situata ndërkombëtare po ndryshon, por pse Kina është ende mundësia më e çmuar për qarqet industrialo-tregtare globale edhe në të ardhmen? Gjatë pjesëmarrjes në takimin e APEC-ut, presidenti kinez Xi Jinping e dha përgjigjen duke theksuar “tre mosndryshimet” . Kina është motori më i madh i rritjes globale. Parashikohet se këtë vit, kontributi i ekonomisë kineze për rritjen ekonomike globale do të arrijë në 1/3. Pak ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar e ngriti parashikimin për rritjen e PBB-së kineze për vitin 2023 deri në 5.4%. Ditët e fundit, edhe institucione të huaja financiare, si “Goldman Sachs” e “Credit Suisse”, nxorën raporte mbi ekonominë kineze për vitin 2024, ku parashikohet se ekonomia kineze do të vazhdojë prirjen e përmirësimit. Këto dëshmojnë se gjendja e përgjithshme e rimëkëmbjes së ekonomisë kineze nuk do të ndryshojë.
Kina ka edhe një epërsi të njohur në botë: tregun. Kina ka një popullsi mbi 1.4 miliardë, duke e kaluar numrin e përgjithshëm të popullsisë në të gjitha vendet e zhvilluara. Parashikohet se në 15 vjetët e ardhshëm, numri i kinezëve me të ardhura të mesme do të shtohet nga 400 milionë në 800 milionë. Siç tha menaxheri i përgjithshëm i Fondacionit “BlackRock” të ShBA-së Zhang Chi, tregu kinez ka jo vetëm qëndrueshmëri dhe cilësi të lartë si tregjet e zhvilluara, por edhe potenciale rritjeje të shpejtë si tregjet e reja. Tregu kinez është një burim i rrallë i veçantë në glob.
Sivjet është 45-vjetori i fillimit të reformës e hapjes me botën e jashtme të Kinës, e është gjithashtu edhe 30-vjetori i fillimit të mbledhjeve jozyrtare të udhëheqësve të APEC-ut. Ndër 10 partnerët më të mëdhenj tregtarë të Kinës, 8 prej tyre janë anëtarë të APEC-ut, dhe Kina është partnerja e parë e madhe tregtare e 13 ekonomive të APEC-ut. Gjatë mbledhjes së APEC-ut këtë herë, Kina publikoi një sërë masash të reja për nxitjen e hapjes, duke përfshirë përmirësimin e pandërprerë të sistemit për mbrojtjen e të drejtave e interesave të investitorëve të huaj, zvogëlimin e mëtejshëm të listës negative për hyrjen e investimeve të huaja dhe sigurimin e trajtimit kombëtar të sipërmarrjeve me investime të huaja. Këto masa tregojnë që Kina nuk do t'i ndryshojë vendosmërinë për krijimin e një mjedisi tregtar të orientuar nga tregu, të ligjshëm e të ndërkombëtarizuar dhe politikën e ofrimit të shërbimeve të mira ndaj investimeve të huaja. Këto dy "mosndryshime" kanë dhënë sinjalin e fortë të Kinës për zgjerimin e mëtejshëm të hapjes me cilësi të lartë.
Disa njerëz dyshojnë te statusi i Kinës si destinacioni më i mirë global i investimeve. Disa media perëndimore njoftojnë pa pushim që është ngritur kostoja e krahëve të punës në Kinë, që disa sipërmarrje perëndimore kanë filluar ta shpërngulin zinxhirin e prodhimit në ekonomitë e reja në Azinë Juglindore etj. Ekspertët vunë në dukje se Kina ka "epërsi të veçanta të përgjithshme", duke përfshirë llojet e plota të sektorëve, zinxhirët e plotë të prodhimit e furnizimit dhe numrin e madh të punëtorëve e sipërmarrësve me cilësi të lartë. Këto epërsi konkurruese është e vështirë të zëvendësohen nga vendet e tjera brenda një kohe të shkurtër.
Sipërmarrësit janë personat më të ndjeshëm në treg. Sipas një sondazhi të bërë këtë vit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë del se 66 % e sipërmarrjeve amerikane në Kinë do të ruajnë ose do të shtojnë investimet në Kinë në dy vjetët e ardhshëm. Në 10-mujorin e parë të këtij viti, në Kinë u krijuan 41947 sipërmarrje të reja me investime të huaja, duke u rritur 32.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto tregojnë besimin e plotë të investitorëve të huaj te Kina. (Fani)