Ceremonia e hapjes se panairit - foto Shoqata e Botuesve Shqiptare
Ngjarja më e madhe e librit për vitin 2023, Panairi i Librit i Tiranës, mbylli siparin e tij ditën e dielë. Si zakonisht, edhe këtë vit, ky Panair mblodhi bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues. Panairi i përvitshëm i librit në Tiranë, që organizohet nga Shoqata e Botuesve shqiptarë me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, këtë vit shënoi 26 vjetorin e tij, të duke konfirmuar se është një mundësi shumë e mirë për prezantimin e botimeve të reja si dhe një mundësi e shkëlqyer për të blerë libra me çmime të reduktuara. Edhë këtë vit në panair spikatën libra, autorë dhe përkthyes të rinj, krahas atyre me emër, ndërsa ditët e panairit u shoqëruan me prezantime, konkurse, konferenca, takime me autorë, shkrimtarë të huaj të ftuar, libra të rinj dhe në fund u dhanë çmimet e panairit.
Nën moton “Libri na bashkon të gjithëve”, panairi u hap me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese.
Panairi i librit përgjatë 5 ditëve përvecse prezantoi si në një vitrinë gjigande, tituj pa fund librash, bëri bashkë shkrimtarët dhe i ballafaqoi ata me lexuesit. Diskutime për botimet e reja, mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitetet të tjera me të autorë dhe studiues, sollën para lexuesve shkrimtarë apo përkthyes të njohur.
E tillë ishte prezenca e shkrimtarit Ismail Kadare, shkrimtari më i njohur dhe i dashur për shqiptarët, me njohje të gjërë ndërkombëtare, i cili vizitoi stendën e botuesit të tij, Onufri, duke dhënë edhe një numër të konsiderueshëm autografësh. Ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij, shkrimtarja Elena Kadare. Kadare ishte prezent për të prezantuar veprën e tij të zgjedhur letrare, që Onufri ka prezantuar përmes një publikimi serioz.
Ndarja e cmimeve ne Panairin e Librit - foto Shoqata e Botuesve Shqiptare
Të ftuar në panair ishin edhe personazhe të njohur, si Lilian Thuram, futbollist i jashtëzakonshëm, por që në panair u prezantua me librin e tij, Ilide Carmignani, një personalitet i letërsisë, jo vetëm italian por edhe evropian, shkrimtari italian Alessio Puleo, shkrimtarja italiane Viola Ardone, etj, gazetari Blendi Fevziu, shkrimtari Ben Blushi, etj.
Ditën e shtunë, siç është edhe tradita e panairit u ndanë çmimet për Panairin e Librit 2023 për veprat më të mira letrare.
Një prej rregullave për shpalljen e “shkrimtarit më të mirë” ishte që fituesi të mos ishte fitues për herë të dytë. Pra shkrimtarët të cilët kanë fituar më herët edicionin e Panairit të Librit, u përjashtuan nga ky çmim.
Shkrimtari më i mirë i vitit 2023 u shpall shkimtarja Mira Meksi, për romanin “Parisi vret”, me këtë motivacion:
"Për gërshetimin e erudicionit me hedonizmin, për zhytjen në zgafellet e historisë dhe të psikologjisë; për shkrirjen e fakteve me trillimin; për një këndvështrim tjetër mbi disa tabu me rrënjët në kohën e diktaturës, të cilat ende na shoqërojnë; për lëvrimin elegant të gjuhës."
Çmimi Përkthyesi më i mirë i vitit 2023 iu dha përkthyeses Ana Kove, për romanin “Daullja prej llamarine”, nga Gunter Grass, me këtë motivacion:
"Për ballafaqimin e denjë me librin kompleks të një autori sfidues; për përcjelljen në shqip të fantazisë së tij të guximshme, të tisit satirik dhe simbolikës... Për pasurimin në mënyrë cilësore të bibliotekës së shqipes me një gur miliar të letërsisë botërore. "
Çmimi për veprën më të mirë studimore për vitin 2023, e fitoi Thomas Frashëri, për veprën me titull “Frashëri i shquar, i panjohur” me këtë motivacion:
"Për një vizatim të plotë e sidomos të plotësuar me fakte të panjohura të një peme shqiptare me rrënjë të forta, trung solid dhe kurorë të dendur siç janë Frashërllinjtë. Për gërshetimin e akribisë shkencore me rrëfimin tërheqës, duke krijuar një portretizim harmonik brenda mozaikut të gjerë të kontekstit historik dhe gjeografik."
Femije ne Panairin e Librit - foto Qenrda Kombetare e Librit dhe Leximit
Çmimi për librin më të mirë për fëmijë të vitit 2023 ie mori Rudina Çupi, për librin “Gjyshja me zemrën prej ketri”, me këtë motivacion:
"Për njohjen e botës fëmijërore, për praninë e elementit bashkëkohor, për gërshetimin e letërsisë me didaktikën."
Çmimi i Ambasadës së Francës në Tiranë për përkthimin më të mirë nga gjuha frënge iu dha Diana Çulit për përkthimin e veprës “Të pandarat” të Simone de Beauvoir, me këtë motivacion:
"Përmes zgjedhjeve përkthimore, fuqisë së fjalës dhe sintaksës së rrjedhshme, respekton stilin autentik të Simone de Beauvoir duke sjellë një atmosferë njëherësh intime e emocionuese."
Festa e librit tashmë është kthyer në traditë ku dashamirësit e librit frekuentojnë ambientet e Pallatit të Kongreseve. Panairi i parë i librit në Tiranë ishte panairi “Tirana 1998”, i organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht.
Neritana Kraja