Wang Yi takon delegacionin e ministrave të jashtëm të vendeve arabe e islamike
2023-11-20 22:05:54

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u takua të hënën në Pekin me  një delegacion të përbashkët të ministrave të jashtëm nga vendet arabe e islamike, duke përfshirë ministrin e Jashtëm saudit Faisal bin Farhan Al Saud, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm jordanez Ayman Safadi, ministrin e Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry, ministren e Jashtme indoneziane Retno Marsudi, ministrin e Jashtëm palestinez Riyad Al-Maliki dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik Hissein Brahim Taha.

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Kryediplomati i Kinës tha se delegacioni i përbashkët i ministrave të jashtëm e zgjodhi Kinën si ndalesën e parë të ndërmjetësimit ndërkombëtar, çka tregon besimin e tyre të madh ndaj Kinës dhe traditën e shkëlqyer të mirëkuptimit dhe mbështetjes reciproke mes dy palëve. Kina është një vend mik dhe vëlla i mirë i vendeve arabe e islamike. Ajo ka mbrojtur gjithmonë me vendosmëri të drejtat dhe interesat e ligjshme të vendeve arabe e islamike dhe ka mbështetur gjithmonë me vendosmëri kauzën e drejtë të popullit palestinez për të rivendosur të drejtat dhe interesat e veta të ligjshme kombëtare. Kina qëndron me vendosmëri në anën e drejtësisë në këtë raund të konfliktit dhe ka punuar shumë për të shpërshkallëzuar konfliktin, për të mbrojtur civilët, për të zgjeruar ndihmën humanitare, për të parandaluar fatkeqësitë humanitare, për t'u kthyer në "zgjidhjen me dy shtete" dhe për ta zgjidhur çështjen palestineze sa më parë. 20 nëntori i sivjetshëm shënon 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Palestinës. Kina vlerëson ndërmjetësimin aktiv të vendeve arabe e islamike për paqen dhe është e gatshme të punojë me këto vende për të bërë përpjekje për të pushuar luftën në Gaza sa më shpejt, për të zbutur krizën humanitare, për të liruar të ndaluarit dhe për të promovuar një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e drejtë e të qëndrueshme për çështjen palestineze sa më parë.

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Ministri i Jashtëm kinez u shpreh se përparësi kryesore për momentin është zbatimi i plotë i rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Asamblesë së Përgjithshme, si edhe ndërprerja e menjëhershme e zjarrit dhe përfundimi i luftës. Armëpushimi nuk është thjesht një retorikë diplomatike, por ka lidhje me jetën e popullit të Gazës. Ai duhet të zbatohet si synim parësor, gjë që është nevoja aktuale e popullit të Gazës, dëshira e shumicës dërrmuese të vendeve dhe zëri unanim i të gjithë njerëzve paqedashës në mbarë botën.

Më tej numri një i diplomacisë kineze vuri në dukje se duhet të respektohet ligji ndërkombëtar, sidomos ligji ndërkombëtar humanitar. Pala kineze kundërshton çfarëdo zhvendosjeje të detyruar të civilëve palestinezë, u shpreh ai, duke shtuar se është e nevojshme që Izraeli të ndalojë ndëshkimin kolektiv ndaj popullit të Gazës dhe të hapë sa më shpejt një korridor humanitar për të parandaluar një fatkeqësi më të gjerë humanitare.

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Wang Yi tha gjithashtu se arsyeja themelore për ciklin e përsëritur të konflikteve midis Palestinës dhe Izraelit është se të drejtat e popullit palestinez për shtetësi, mbijetesë e kthim janë injoruar për një kohë të gjatë. Rrugëdalja është zbatimi i "zgjidhjes me dy shtete" dhe krijimi i një shteti të pavarur palestinez. Kina bën thirrje për hapjen sa më shpejt të një konference ndërkombëtare paqeje me një sferë më të gjerë e efektivitet më të madh dhe hartimi i një plani kohor dhe udhërrëfyesi për këtë qëllim. Çështja palestineze është një çështje kryesore në Lindjen e Mesme dhe pa një zgjidhje të drejtë të saj do të jetë e vështirë të arrihet paqja dhe qëndrueshmëria afatgjatë në Lindjen e Mesme. Kina do të vazhdojë të qëndrojë me vendosmëri në anën e vendeve arabe e islamike, do të jetë në anën e drejtësisë ndërkombëtare dhe do të vazhdojë të bëjë përpjekje aktive për të promovuar paqen midis Palestinës e Izraelit dhe paqen e qëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme. (Li Huailiang/Artan)