Situata e energjisë elektrike në Shqipëri. Flet administrator i OSHEE-së Enea Karakaçi
2023-11-20 10:01:55

Hidrocentrali i Fierzës (albanian Daily news)

Hidrocentrali i Fierzës (albanian Daily news)

Situate aktuale e menaxhimit të furnizimit me energji elektrike është nën kontroll dhe nuk lind nevoja e skenarit të rritjes të çmimit për fashën mbi 800 kilovatorë. Kështu është shprehur në një intervistë për Tv Scan,  Administratori i përgjithshëm i OSHEE Enea Karakaçi, ku analizoi situatën financiare të kompanisë, perspektivën e tregjeve të energjisë dhe perspektivën për daljen e bizneseve të lidhura në tensionin e mesëm në tregun e lirë.

“Fasha e energjisë vitin e shkuar ishte shumë aktuale për shkak se situata e tregjeve evropianë e diktonte një gjë të tillë. Në tregjet evropianë në gusht të 2022 çmimi i energjisë shkoi 1000 euro. Çmimi mesatar i blerjes së energjisë në bursa ishte nga 200 deri në 300 euro dhe sigurisht Enti Rregullator i Energjisë në bazë të aplikimit të shoqërive u vendos pranë një situate që të merrte një vendimmarrje, dhe kjo nuk ishte vendimmarrje atipike, por vendimmarrje që e kanë marrë gjithë rregullatorët në rajon dhe më gjerë.”

Sipas Karakaçit, vlen të përmendet fakti që  Shqipëria nuk aplikoi rritje të çmimit të energjisë elektrike, pavarëisht krizës.

“Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe Evropë që nuk rriti çmimin e energjisë elektrike dhe ky është një fakt që duhet përshëndetur. Nga kjo pati elemente shumë të rëndësishme nga pikëpamja e bizneseve. Nga ajo që shohim ne nga analizat në mënyrë të vazhdueshme dhe nga ajo që ne kuptojmë nga diskutimet që bëjmë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka një tendencë për aplikim fashe këtë vit, për fashë 800 kilovat. Këtë e referoi pak ditë më parë dhe zëvendës kryeministrja në një prononcim publik që referoi se nuk ka një ide momentale për vendosjen e fashës. Siç e referova deri tani duket se situata është optimale, nivelet e kaskadës janë të mira, çmimet e energjisë elektrike janë të stabilizuara, 100-120 euro për megavat orë, që na bën të na gjejë 2024 në një situatë optimale.”- u shpreh Karakaçi.”

Enea Karakaci (linkedin)

Enea Karakaci (linkedin)

Sipas Administratorit të OSHEE-së, Shqipëria nuk përjashtohet nga impaktimi i konflikteve në vende të ndryshme të botës dhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë.

“Fatkeqësisht situata vijon të jetë shumë dinamike, po ashtu dhe shumë volatile,  dhe ne jemi në mes të disa situatave konfliktuale në botë dhe fatkeqësisht ndikojnë në mënyrë direkte. Unë dua të referoj një situatë se sa dinamike është situata, në fund të gushtit në kompaninë OSHEE po shikonim çmimet e energjisë dhe pamë që po shkonte rreth 130 euro dhe  për disa muaj në atë periudhë kishte qenë 100 euro në bursa. Duke folur me disa ekspertë që kemi komunikim ndërkombëtar na u referua që rritja e çmimit vinte për shkak të një greve në Australi, punonjësit e impianteve lng dhe Australia ishte 20% të lng të gazit natyror të lëngshëm në botë dhe një dalje e punonjësve në grevë impaktoi çmimin. Azia, që ishte blerësja kryesore në Australi shkoi drejt Europës për të blerë gaz natyror të lëngshëm dhe çoi në rritjen e gazit në Europë dhe çmimin e rritjes së energjisë elektrike. Pra e shikoni sesa volatile dhe?”

Sipas Administratorit të OSHEE, lajm pozitiv është ulja e çmimit me të cilën blihet energjia elektrike në tregjet e huaja.

“Aq e brishtë është momentalisht saqë një situatë e caktuar në një vend ishull kontinent shumë larg nesh, arrin të ndikojë  Evropën në mënyrë të menjëhershme. Sigurisht që duket sikur situata është e përmirësuar sepse vendet e BE-së kanë marrë masa për gazin natyror që ta përballojnë dimrin. Pse e them është dinamike dhe volatile, sepse nuk e dimë çfarë lloj dimri do jetë, i ftohtë dhe agresiv dhe si i tillë do ketë konsum të lartë të gazit natyror dhe nuk e dimë si do shkojë situata Rusi-Ukrainë dhe me vendet e rajonit që janë blerës të mëdhenj të gazit natyror. Ajo çfarë duket është se ka një lloj qetësimi të situatës në nivele shumë më të larta me sa ishim mësuar deri diku rreth 100 euro. Unë i referohem bursës hungareze sepse Gjermania dhe Franca mund të jetë momentale dhe për shkak të fotovoltaikëve që janë përfshirë, ndaj duket sikur çmimi është stabilizuar rreth 100 euro për megavat orë”

Energjia elektrike(monitor)

Energjia elektrike(monitor)

Hap pozitiv është dhe shtimi i investimeve të paneleve fotovoltaike nga individët dhe bizneset që ka shtuar kapacitetet e tyre vetëprodhuese.

“ Nuk është çmim i lartë apo i ulët, por na vendos në një situatë stresuese nëse reshjet nuk janë këtë vit ashtu si vitin e shkuar, megjithatë unë e shoh me kënaqësi që në shoqërinë KESH janë duke u marrë të gjitha masat, hidrocentralet janë në nivele optimale për këtë periudhë, kanë ndikuar për mirë dhe kushtet atmosferike të kohëve të fundit. Po ashtu është e rëndësishme të theksojmë që ne shikojmë që është shtuar shumë kapaciteti i vetë prodhuesve të energjisë, pra panelet fotovoltaike që vendosin familjarët dhe bizneset. “

 Prej gati dy vitesh është shtyrë dalja e bizneseve në tregun e lirë të tensionit të mesëm dhe duket se qeveria po mendon edhe në vijim skenarë që lidhen pikërisht me mbrojtjen e klientëve në tension të mesëm.

“ Nëse këto biznese do kishin dalë në treg të lirë në 2022, çmimi i energjisë së tyre dhe mund ta bëj këtë llogaritje kushdo me aritmetikë të thjeshtë,  do ishte të pakten 30 lekë për megavat orë. Me gjithë mekanizmat pavarësisht se ishim në një situatë të vështirë, ne maksimizuam prodhimin e KESH dhe kemi furnizuar me një çmim rreth 18 lekë për kilovat orë.

Jemi duke studiuar disa skenarë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, por të gjithë skenarët kanë  një  të përbashkët që të vazhdojmë të mbrojmë akoma çmimin e klientëve  në tension të mesëm dhe në këtë kuptim gjitha opsionet janë të hapura, por po bëhen të gjitha mekanizmat dhe po merren gjitha masa që të mos impaktohet rritje e çmimit të tensionit të mesëm” 

Reshjet e fundit kanë sjellë efekte pozitive për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, duke përmirësuar situatën hidrike në kaskadën e lumit Drin. Përmirësimi i situatës në kaskadë vjen pas një periudhe jo shumë të favorshme nga pikëpamja hidrike gjatë muajve të fundit, që ka detyruar Korporatën të importojë energji, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore. Ndërkaq, moti i keq ka shkaktuar një sërë problemesh në drejtim të furnizimit me energji elektrike.