Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi informoi të shtunën mediat mbi bisedimet e presidentit kinez Xi Jinping me presidentin e ShBA-së Joe Biden dhe pjesëmarrjen në Mbledhjen e 30-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut në San-Francisko.
Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha se vizita e presidentit Xi tërhoqi vëmendjen mbarëbotërore, duke shtuar qëndrueshmërinë në marrëdhëniet kino-amerikane, duke i dhënë një shtysë të mëtejshme bashkëpunimit në Azi-Paqësor dhe duke sjellë energji pozitive në mjedisin ndërkombëtar dhe rajonal.
Foto nga CMG
Xi tha në San-Francisko se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të formojnë një vizion të ri, duke vënë në dukje se të dy vendet duhet të krijojnë së bashku një perceptim të drejtë, të menaxhojnë bashkërisht mosmarrëveshjet në mënyrë efektive dhe të vlerësojnë parimet dhe linjat e kuqe të njëri-tjetrit, të çojnë së bashku përpara bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë, të mbajnë së bashku përgjegjësitë si vende të mëdha dhe të promovojnë së bashku shkëmbimet njerëzore, tha Wang, duke shtuar se këto kanë ndërtuar së bashku pesë shtylla të marrëdhënieve kino-amerikane dhe kanë krijuar "Vizionin e San Franciskos" të orientuar drejt së ardhmes.
Duke ritheksuar pesë angazhimet e marra në samitin e Balit, Biden-i tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë një Luftë të Ftohtë të re, nuk kërkojnë të ndryshojnë sistemin e Kinës, nuk kërkojnë të rigjallërojnë aleancat kundër Kinës, nuk mbështesin "pavarësinë e Tajvanit" dhe se nuk kanë ndër mend të nisin ndonjë konflikt me Kinën, u shpreh Wang.
Ai vuri në dukje që falë përpjekjeve të përbashkëta të të dyja palëve, në takim u arritën më shumë se 20 rezultate të rëndësishme, duke përfshirë ngritjen e një grupi pune për bashkëpunimin kundër narkotikëve dhe marrëveshjen për të rifilluar, mbi bazën e barazisë dhe respektit, komunikimin e nivelit të lartë dhe dialogun institucional midis dy ushtrive, si edhe për të promovuar së bashku suksesin e sesionit të 28-të të Konferencës së Palëve (COP28) të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin Klimatik në Dubai.
Foto nga VCG
Wang u shpreh që samiti i San-Franciskos ishte një ngjarje madhore në historinë e marrëdhënieve Kinë-ShBA e të atyre ndërkombëtare, që nxit përparimin e lidhjeve dypalëshe në drejtim të zhvillimit të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm.
Ndërkohë, Wang u bëri thirrje të dy palëve që të jenë të vetëdijshme se marrëdhëniet kino-amerikane nuk kanë qenë kurrë të qeta. Ka ende shumë probleme të thella dhe strukturore, dhe shumë rreziqe dhe sfida që duhen trajtuar së bashku, tha ai, duke vënë në dukje se San-Francisko nuk duhet të jetë vija e fundit, por një pikë e re nisjeje.
Gjatë vizitës, Xi ishte i ftuar në një darkë mirëseardhjeje, ku ai mbajti një fjalim të rëndësishëm, duke theksuar se themeli i marrëdhënieve kino-amerikane është hedhur nga popujt tanë, dera e marrëdhënieve kino-amerikane është hapur nga popujt tanë, historitë e marrëdhënieve kino-amerikane janë shkruar nga popujt tanë dhe e ardhmja e marrëdhënieve kino-amerikane do të krijohet nga popujt tanë, tha Wang.
"Ndërveprimet e përzemërta të Xi Jinping-ut edhe një herë me personazhe miqësore nga të gjitha sferat e jetës në Shtetet e Bashkuara na bënë të ndiejmë thellë se themeli i miqësisë ende ekziston, impulsi i shkëmbimeve ende vijon dhe perspektiva e bashkëpunimit është premtuese", shtoi më tej kreu i diplomacisë kineze.
Presidenti Xi bëri një përmbledhje të thellë të frymëzimit nga bashkëpunimi i Azi-Paqësorit, duke theksuar se, lidhur me këtë bashkëpunim, hapja dhe gjithëpërfshirja janë tiparet përcaktuese, zhvillimi për të gjithë është qëllimi kryesor dhe kërkimi i pikave të përbashkëta duke lënë mëjanë mosmarrëveshjet është praktika më e mirë.
Foto nga VCG
Për mënyrën se si duhet të ndërtohen "30 vitet e arta" të ardhshme në Azi-Paqësor, Xi bëri thirrje për zhvillim të hapur, të gjelbër e të drejtuar nga risitë dhe zhvillim gjithëpërfshirës që sjell përfitime për të gjithë. Ai nxiti gjithashtu rritjen me cilësi të lartë për të promovuar krijimin e një bashkësie të Azi-Paqësorit me të ardhme të përbashkët, në mënyrë që frytet e modernizimit të ndahen gjerësisht.
Wang u shpreh se, gjatë vizitës së tij në San-Francisko, presidenti Xi Jinping mbajti edhe një fjalim me shkrim në Samitin e CEO-ve të APEC-ut dhe në shumë raste paraqiti gjerësisht dhe thellësisht thelbin dhe rëndësinë për botën të modernizimit kinez për të gjithë sektorët në Shtetet e Bashkuara dhe pjesëmarrësit e APEC-ut.
Xi vuri në dukje se ekonomia kineze po rimëkëmbet në mënyrë të qëndrueshme dhe ritmi i rritjes i saj është ndër më të lartit ndërmjet ekonomive kryesore të botës, tha Wang, duke shtuar se Kina mbetet motori më i fuqishëm i rritjes globale.
Xi theksoi që nuk do të ndryshojnë vendosmëria e Kinës për të nxitur një mjedis biznesi të orientuar nga tregu, të bazuar në ligj e të klasit botëror dhe politika e Kinës për ofrimin e shërbimeve të barabarta dhe cilësore për investitorët e huaj, vuri në dukje ministri i Jashtëm kinez. Sipas tij, ky qëndrim dërgon një sinjal të fortë për hapjen e nivelit të lartë të Kinës dhe rrit besimin e të gjitha palëve në vazhdimin e bashkëpunimit me Kinën.