Valbona Peraj është një nga këngëtaret shqiptare, e cila ka zgjedhur një tjetër vend për të ndërtuar të ardhmen e saj dhe të djalit. Ajo prej vitesh jeton dhe punon në SHBA, kur përveç angazhimit në koncerte të ndryshme për bashkëatdhetarët atje, menaxhon dhe një biznes të saj, një restorant në shtetin e Nju Xhersit. Malli për vendlindje, familjarët dhe miqtë bëri që sapo u pajis me dokumenta amerikane të fluturojë drejt Shqipërisë, për t’u çmallur me të dashurit e saj. Valbona po punon për disa projekte të reja muzikore që do të dalin së shpejti në tregun muzikor. Në një intervistë për Radio Ejani, Valbona tregon arsyet që e çuan drejt një kontinenti tjetër, aktivitetet e ndryshme artistike, si dhe projektet në të ardhmen.
CMG: Mbetesh e njëjtë si dikur dhe nuk ke ndryshuar fare. Ke ndonjë sekret që je kaq në formë?
Valbona Peraj: Faleminderit dhe po e marr si kompliment. Mendoj se sikur të gjithë njerëzit të merren me veten e tyre, problemet dhe hallet e tyre dhe mos të merren me botën e të tjerëve, dhe bota do të kishte qenë ndryshe, ku njerëzit do të vazhdonin të ishin më të mirë në pamje por dhe jetesa do ishte shumë më e mirë. Unë ndonjëherë bëj shaka dhe mund të jetë edhe genetike kjo gjë, por pastaj them se ne që kemi lindur rreth viteve 80-85, jemi një brez që po të shikosh mirë dhe shoqet apo koleget e mia kudo që janë nuk kanë ndryshuar pothuajse fare.
CMG: Në ato vite ku ti u shfaqet në skenën e festivalit dhe koncerteve të stinës je dalluar për energjinë skenike dhe performancën e veçantë. E ruan akoma këtë energji kur del në skenë?
Valbona Peraj: Nuk them që jam përsëri ajo Valbona që ka qenë dikur, por mendoj se kam qëndruar pothuajse e njëjta. Unë e kontrolloj veten më tepër sesa kur isha e re, si nga mënyra skenike duke përzgjedhur edhe veshjet e mia. Dikur isha e re dhe nuk kisha problemin e kilogramëve të moshës, kurse sot janë dietat, i përkushtohem lëkurës, flokëve dhe veshjeve ose përzgjedhja e çdo gjëje. Sot jam selektive, kurse atëhere isha thjesht një adoleshente e rrëmbyer.
Valbona Peraj. (Foto personale)
CMG: Prej disa vitesh jeton larg në SHBA, ku je e angazhuar me jetën artistike atje. Si erdhi vendimi për t’u larguar nga Shqipëria?
Valbona Peraj: Faktikisht unë jam një person që them se asnjëherë nuk jam e lumtur, dhe shpeshherë kam marrë kritika nga kjo gjë. Jam shumë kërkuese ndaj vetes time dhe njerëzve që kam rreth e rrotull. Arsyeja që u largova për në SHBA ishte sepse në fillim unë punoja në Shqipëri për Drejtorinë e Përgjithshme të Transporteve, ku kisha një pozicion zyrtar shumë të mirë. Ndryshimi i qeverive nuk më bëri mirë dhe sikur mu ngushtuan shumë gjëra, divorci, ndryshimi i pushtetit, pra disa gjëra që mu bënë lëmsh dhe më erdhën si një litar që ngushtohej fort në fytin tim. Nuk isha e kënaqur me jetesën këtu. Pastaj mendova dhe për djalin që aktualisht është 13 vjeç, por atëherë kur unë vendosa të shkoja në SHBA ishte 5 vjeç, dhe mendova që t’i siguroja të ardhmen djalit tim ashtu siç u munduan prindërit e mi të më japin shkollën. Kështu që vendosa t’i jap djalit tim dy gjëra, pasaportë amerikane dhe diplomë të shkollës në SHBA.
CMG: Ka qenë i vështirë integrimi juaj në fillim në SHBA?
Valbona Peraj: Është për të ardhur keq nga njëra anë, dhe dua të them se Amerika nuk është ajo që ne shikojmë nëpër televizione. Edhe kur shkon si turiste ato mundohen të të respekojnë dhe të mirëpresin. Përpara se të shkoja në SHBA të gjithë më thanë se do të hapen dyert dhe më ftonin të shkoja tek ata për të më ndihmuar, por në momentin që shkova atje mu hapën dyert nga njerëz që nuk i njihja fare. Nga njerëzit që unë u nisa me shpresën se ata do i kisha në krah, ata mbyllën dhe telefonat, duke u justifikuar se kishin punë. Të them të drejtën gjashtë muajt e parë apo dhe deri vitin e parë e kam prerë 3-4 herë biletën për t’u rikthyer në Shqipëri. E kam thënë që i kam larë rrugët e SHBA-së me lotët e mia, por çdo ditë e më tepër që kaloj në SHBA e ndjej veten mirë. Sidomos në momentin kur pajisesh me dokumenta amerikane, që është gjëja më kryesore për të gjithë shqiptarët që jetojnë atje. Në momentin që bëhesh me dokumenta gjërat fillojnë dhe lehtësohen, si për të hapur një biznes ashtu siç e kam hapur dhe unë para tre viteve, por dhe për të bërë gjëra të tjera.
Kengetare Valbona Peraj (Foto personale)
CMG: Si arrite të hapësh biznesin në SHBA dhe si ka ecur deri tani?
Valbona Peraj: Unë në momentin që shkova në SHBA, gjithmonë thoja të hap diçka timen, sepse më pëlqen që jeta ime mos të varet vetëm nga muzika por të kem dhe diçka tjetër. Aktualisht kam një restorant timin në Nju Xhersi dhe jam shumë e kënaqur. Ka shumë punë, por ne shqiptarët kur i vendosim qëllime vetes ja arrijmë. Jam shumë e kënaqur me biznesin që kam atje.
CMG: Ke pasur aktivitete muzikore gjatë këtyre viteve të qëndrimit në SHBA?
Valbona Peraj: Unë do të doja të falenderoja të gjithë shqiptarët që janë në SHBA, se seriozisht nëse unë nuk do ta kisha pasur muzikën nuk do ta kisha hapur lokalin, dhe as nuk do të kisha paguar borxhe që i kisha në Shqipëri, as nuk do të arrija këtu ku kam arritur. Unë i falenderoj që më kanë ftuar nëpër dasma, gëzimet e tyre familjare dhe koncerte të ndryshme. Unë çdo fundjavë jam e zënë me muzikë, dhe burimi kryesor i ardhurave të mia është muzika.
CMG: Kur merr pjesë në koncerte këndon vetëm këngë popullore apo dhe të muzikës së lehtë?
Valbona Peraj: Tregu jonë atje ku punojmë nuk i preferon shumë këngët e muzikës së lehtë. Mua më flen shpirti te këngët e lehta, ku në çdo koncert apo mbrëmje muzikore e filloj me muzikën e lehtë. Përpara se të mbyll një mbrëmje vazhdoj përsëri me disa këngë të lehta. E shikoj që njerëzit e shijojnë, sepse këngët e muzikës popullore apo ato ritmike janë për gjithë mbrëmjen, por shoh që në përgjithësi ka që pëlqejnë dhe muzikën e lehtë.
Kengetarja shkodrane Valbona Peraj (Foto personale)
CMG: Rikthehesh shpesh në Shqipëri dhe për çfarë të merr malli më shumë?
Valbona Peraj: Unë bëra shtatë vite që jam larguar në SHBA, dhe para një viti e gjysmë kam arritur të pajisem me dokumentat amerikane. Në momentin që kam marrë dokumentat, gjëja e parë që kam bërë kam vrapuar drejt Shqipërisë, sepse më kishte marrë malli për babain tim. Kam marrë dhe djalin dhe kam ardhur për të parë njerëzit e mi të dashur, pasi këtu kam babain tim që nuk po arrin të marrë vizën amerikane, pasi ka aplikuar gjashtë herë dhe tani është në proçes bashkim familjar. Nëna ime ka ardhur atje, por ka mbetur gjatë pandemisë në SHBA. Kështu që nganjëherë e them në formë shakaje që babin dhe mamin i kam ndarë në moshën e pleqërisë. Në Shqipëri kam vëllanë, motrën, kam një mbesë të bukur që i thonë Bona e vogël. Kam ardhur dhe kam qëndruar 10 ditë, ku nuk kam hapur rrjetet sociale dhe as nuk kam treguar që kam ardhur sepse kisha kaq shumë mall për të takuar vetëm disa miqtë e mi, duke përfshirë dhe miken time Era Çela. Doja vetëm të çmalesha me familjarët dhe miqtë e mi.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen?
Valbona Peraj. (Foto personale)
Valbona Peraj: Unë tani që jam rikthyer kam disa xhirime në Kosovë dhe Shqipëri, që janë regjistrimet për Vitin e Ri. Kam sjellë dy këngë të përpunuara popullore. Gjithashtu kam ardhur për të promovuar videoklipin tim të fundit “Mëkat”, një këngë e realizuar nga kompozitori Virusi. Mund të them që deri tani është kënga më e bukur që kam sjellë ndonjëherë për tregun dhe adhuruesit e këngës time. Jam duke punuar dhe për një këngë ritmike që do të publikohet shumë shpejt. Të githë punojnë për hite, dhe çdo këngë e marrim me shpresë se do pëlqehet. Disa këngë pëlqehen më shumë dhe disa të tjera më pak, por një nga këngët hit të miat është kënga që u riktheva pas 10 viteve në muzikë dhe titullohet “Jam Arbnore”. Këtë këngë unë vazhdoj ta dashuroj që në momentin që është publikuar dhe deri sot. Nuk them se nuk do të bëj këngë më të bukura se kjo, por vazhdoj të jem e dashuruar me dorën e kompozitorit Edmond Zhulali dhe poetit Agim Doçi.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Valbona Peraj: Dëshiroj t’i falenderoj të gjithë nga zemra për mbështetjen, që më mbajnë mend dhe vazhdojnë të më mbështesin. Zoti i bekoftë kudo që janë!
Intervistoi: Gazmend Agaj