Albin Nikprelaj, një ndër fituesit e edicionit të parë të Festivalit në RTK
2023-11-19 17:33:45

Albin Nikprelaj (Foto nga instagrami).

Albin Nikprelaj (Foto nga instagrami)

Albin Nikprelaj është këngëtar i ri i talentuar nga Tuzi i Malit të Zi.  Pasionin për muzikën ai e zbuloi në një moshë shumë të vogël. Duke qenë  i biri i artistit Nikollë Nikprelaj, arti kishte një prezencë të madhe në familjen e tij. Në shtëpi kishin një studio të cilën ai e frekuentonte shpesh,  ku edhe zbuloi dëshirën e pasionin për këngën.  Albini filloi të merrte pjesë nepër koncerte dhe festivale, jo vetëm në vendlindje por dhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë etj, duke u ndarë me çmime të ndryshme.

 Në shkollën fillore ai u bë pjesë e korit  si solist. Shkollën e mesme e kreu në  Tiranë, një qytet që i ofronte më shumë nga ana muzikore sesa vendlindja e tij. Gjatë këtyre viteve ai mori pjesë në disa festivale ku mori çmime  si dhe në një nga festivalet ku përfaqësoi Shqipërinë. Sapo përfundoi gjimnazin  filloi procesin e aplikimit për të qenë pjesë e festivalit “Kënga Magjike”, ku mori pjesë me këngën “Erdhi Koha”. Kaloi shumë faza deri sa  mbërriti të performonte në netët live të Pallatit të Kongreseve. Pasi përfundoi festivali, ai shkoi në Prishtinë ku filloi vitin e parë në Universitetin RIT (Rochester Institute of Technology) ku ndjek vitin e dytë në degën e Ekonomisë. Pak ditë më parë Albini mori pjesë në festivalin e parë të RTK-së, ku u  nderua me çmimin e tretë. Ishte një eksperiencë e pa harrueshme për artistin, si edhe një shtysë mjaft e madhe për të vazhduar këtë rrugëtim të gjatë duke u rritur artistikisht.  

Albin Nikprelaj  në Fest e RTK (Foto nga instagram)

Albin Nikprelaj  në Fest e RTK (Foto nga instagram)

CMG: Përshëndetje Albin! Urime për këngën dhe çmimin në Festivalin e muzikor në RTK!

Albin Nikprelaj: Faleminderit shumë për ftesën dhe urimin! Ky festival do jetë i paharruar për mua, sepse u kënaqa shumë dhe tre netët kaluan mjaft shpejt.  Edhe pse kemi kaluar më shumë kohë gjatë provave, për t’u bërë gati për ato netë magjike. Kaloi gjithçka si një kërcitje gishtash, shumë shumë shpejt.

CMG: Kënga "Ajo". Si erdhi kjo këngë dhe për çfarë flet fabula e saj?

Albin Nikprelaj: Kënga "Ajo" me tekst nga Enis Mullaj dhe Eriona Rushiti, që së pari dua t'i falenderoj për këtë këngë, mbështjetjen,e që u bashkangjitën me mua në këtë rrugëtim të paharrueshëm. Kënga nuk flet vetëm për dashurinë, por për të gjitha fazat që kalon ajo, që nga faza e parë me zënkat e vogla, pajtimet. Ajo që vjen më pas,  deri tek  ardhja  në jetë e një tjetër dashurie.  E të gjitha këto cilësi e veshin vajzën me të cilën ai ka për të kaluar jetën dhe e quan engjëll. Me pak fjalë tregon një cikël jete kushtuar njeriut  që do.  

Albin Nikprelaj  në Fest e RTK (Foto nga instagrami)

Albin Nikprelaj  në Fest e RTK (Foto nga instagrami)

CMG:  Kohët e fundit  ke qenë mjaft aktiv me pjesëmarrjet në festivale.  Vitin që shkoi ishe në Kënga Magjike, ku more pjesë me këngën "Erdhi koha". Çfarë rëndësie kanë për ty kompeticionet muzikore?

Albin Nikprelaj: Pjesëmarrjet në festivale janë të rëndësishme sepse tregojnë  sa i rëndësishëm je si artist. Duke konkuruar me këngëtarë që kanë vite në skenë, është gjëja e duhur për të treguar vlerat artistike, e të motivon të punosh. Gjithashtu takohesh me artistë të ndryshëm e producentë me të cilët mund të bësh miqësi e të mësosh nga të tjerët.

CMG: Për ty më e rëndësishme është pjesëmarrja apo çmimi?

Albin Nikprelaj: Për mua  më e rëndësishme është pjesëmarrja sepse në këtë mënyrë paraqet artin tënd para popullit, këndon në skena të ndryshme, takon artistë të rinj, krijon miqësi,etj. Pra ka shumë anë pozitive pjesëmarrja, por edhe çmimi është nder dhe kënaqësi,të jep një vetëbësim dhe vulos  idenë se mund t’ja dalësh. Shpërblimi të motivon që të vazhdosh më tutje.

Albin Nikprelaj në Kënga Magjike (Foto nga instagrami)

Albin Nikprelaj në Kënga Magjike (Foto nga instagrami)

CMG: Ti je nga Tuzi i Malit të Zi, ke studiuar në Tiranë dhe tani në Prishtinë. Si kanë qenë këto vite për ty dhe si kanë ndikuar kultura e këtyre vendeve, për t’u formuar si artist?

Albin Nikprelaj: Unë jam nga Tuzi i Malit të Zi dhe që në moshën 14 vjeçare u zhvendosa në Tiranë. Si fillim ishte e vështirë sepse le prapa një shoqëri të tërë dhe më të rëndësishme, familjen, për të shkuar në një qytet ku  ndjehesh vetëm. Krijon shoqëri të reja, eksperienca të reja, mëson për kulturën jashtë vendit, në një qytet ku ka artistë pafund. Kjo të jep ndjesinë se ke gjetur njerëzit e duhur, të jep kurajo për të vazhduar atë çfarë kërkon.

CMG: Albin, e ke nisur muzikën që në moshë të vogël, por kush e ka spikatur talentin tënd?

Albin Nikprelaj: Muzikën e kam filluar shumë shumë i vogël. U rrita në një familje artistësh, rrethuar me muzikë gjatë gjithë jetës, madje kemi një studio në shtëpi ku unë fillova që ta frekuentoja shpesh, sepse më pëlqente muzika dhe me mbështetjen e babit Nikollë Nikprelaj, kam arritur këtu ku jam sot.   

Albin Nikprelaj në koncerte live (Foto nga instagrami)

Albin Nikprelaj në koncerte live (Foto nga instagrami)

CMG: Çfarë kujton nga pjesëmarrjet e tua në festivalet e fëmijëve? Diçka që ka mbetur në memorien tënde?

Albin Nikprelaj: Festivalet e fëmijëve kanë qenë të paharrueshme e do më ngelin gjithmonë në kujtime. Dalja në skenë në ato fillime, kur takohesha me moshatarët e mi, luanim bashkë. Mbaj mend në atë kohë nuk shqetësoheshim për çmimet nëpër festivale, por luanim bashkë, këndonim, e ku ka më bukur.

CMG: Cilat janë planet e tua më të afërta?

Albin Nikprelaj: Planet e mia më të afërta janë  të bëj një këngë të re që të pëlqehet. Ju premtoj se diçka e mirë do vij shumë shpejt

CMG: Cilat janë synimet që dëshiron të arrish në jetën tënde artistike?

Albin Nikrelaj: Unë vazhdimisht synoj që të rritem e të evoluoj si artist. Kjo do të thotë që të zhvilloj teknikat e mia vokale, të përmirësoj afëtësitë e mia për të shkruar tekste dhe të eksploroj zhanre të reja. Unë mendoj se rritja artistike, është një rrugëtim i përjetshëm dhe jam i përkushtuar për të shtyrë kufijtë e  krijimtarisë sime. Dua të krijoj këngë që njerëzit të mund të gjejnë veten, ose së paku të argëtohen me këngët.

CMG: Çfarë do shtoje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe programit Muzika shqip?

Albin Nikprelaj: Ju falenderoj shumë për ftesën! Dua të shtoj për dëgjuesit, se nëse keni ndonjë dëshirë, duhet gjithmonë të provoni, e të realizoni dëshira sepse një jetë keni. Gjithashtu do doja që të dëgjoni këngët e  mia.  Ju uroj mbi të gjitha lumturi!

Intervistoi:  Sava Lena