Xi dhe Biden, një takim përtej ndasive të papajtueshme
2023-11-18 10:48:56

Kina dhe Shtetet e Bashkuara, dy ekonomitë më të mëdha që bota ka njohur ndonjëherë, dy nga ushtritë më të fuqishme dhe dy baza globale teknologjike janë përplasur shpesh, për gjeopolitikën, për tregtinë,  dhe mbi vlerat. Ҫështja madhore qëndron në udhëkryq - a kanë arritur dy fuqitë globale  në pikën e pakthimit duke i dhënë fund epokës së hapjes dhe bashkëpunimit siç e njohim, apo do t'i shpëtojnë “mallkimit të historisë” dhe do të gjejnë një paradigmë të re të bashkëjetesës së fuqive të mëdha siç shprehet Kissinger “atë për bashkë-evolucionin”?

Në fakt, vizita e Presidentit Xi në ShBA, e para në gjashtë vjet, dhe takimi i tij me Presidentin Biden nënvizon vazhdimësinë dhe vlerën bashkëkohore të diplomacisë presidenciale dhe një ngjarje madhore në çështjet aktuale ndërkombëtare. Pas katër orë bisedimesh ballë për ballë, të thella dhe gjithëpërfshirëse, liderët kinezë dhe amerikanë përfunduan një samit të rëndësishëm Kinë-ShBA, që shihet si strategjik dhe ku u ravijëzua rruga për një zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Atmosfera ishte optimiste gjatë takimit, dhe si pala kineze ashtu edhe ajo amerikane shprehën dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet e tyre. Ata diskutuan hapa praktikë, si rifillimi i bisedave e kontakteve ushtarake, dhe për ta bërë marrëdhënien e tyre më produktive. Edhe pse marrëdhënia e tyre mund të mos jetë e ngrohtë, të dyja palët janë të përkushtuara për të ulur tensionet dhe për të arritur rezultate pozitive. Të dy presidentët theksuan rëndësinë e trajtimit të njëri-tjetrit me respekt, gjetjes së bashkëjetesës paqësore, mbajtjes së linjave të hapura të komunikimit, mbështetjes së Kartës së Kombeve të Bashkuara, bashkëpunimit për interesa të përbashkëta dhe menaxhimit me përgjegjësi të aspekteve konkurruese të marrëdhënieve.

 

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

 “Bota është mjaftueshëm e madhe që të dy vendet të kenë sukses”

Këto fjalë të Presidentit Xi kanë bërë jehonë të madhe, pasi janë fjalë që nga ekonomi të fuqishme dhe vende të mëdha nuk janë dëgjuar ndonjëherë. Këtu vihet theksi mbi eleminimin e lakmisë gjeopolitike dhe hapjen e rrugës për  një bashkekzistencë paqësore  reale. Me pak fjalë, nëse nuk ndërhyn në rrugën time, do jetojmë të gjithë shumë mirë, pasi ka “botë” mjaftueshëm për të gjithë. Dhe në fjalët e Xi, “Është joreale që njëra palë të rimodelojë tjetrën, dhe konflikti dhe konfrontimi do të kanë pasoja të padurueshme për të dyja palët.” Në këtë botë ku ka vend për suksesin e të gjitha palëve, nuk mund të ketë imponime ose rimodelime. E rëndësishme është të gjesh mënyrën e duhur për të bashkëjetuar – tha Xi - duke vënë në dukje se pavarësisht historive, kulturave dhe sistemeve të ndryshme shoqërore, është e pamundur të mos angazhohemi me njëri-tjetrin dhe është joreale të dëshirojmë të ndryshojmë tjetrin.

Në këtë takim, Presidenti Xi parashtroi një vizion të ri, që do të shërbejë si një shtyllë për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-ShBA. Konkurrenca e vendeve të mëdha nuk është tendenca mbizotëruese e kohës aktuale dhe nuk mund të zgjidhë problemet me të cilat përballet Kina dhe Shtetet e Bashkuara, apo bota në përgjithësi. Gjithashtu, ai vuri në dukje se Kina dhe ShBA-ja kanë dy alternativa në këtë epokë transformimesh globale të papara në një shekull.

Xi tha gjithashtu se historia është libri më i mirë dhe realiteti është kontrolli më i mirë i maturisë. Shpresojmë që të dy vendet të jenë partnerë, të bashkëpunojnë në mënyrë aktive në agjendat që përfitojnë të dyja palët dhe të ndërveprojnë pozitivisht në mjediset ndërkombëtare dhe shumëpalëshe, duke ndriçuar perspektivat për marrëdhëniet ShBA-Kinë.

Ai prezantoi dy opsione për Kinën dhe ShBA: ose të rrisë solidaritetin dhe bashkëpunimin për të përballuar sfidat globale, ose të kapet pas një mentaliteti me “shumën zero” (thjeshtë, fitimi i njërit do të thotë humbja e tjetrit), të provokojë rivalitet dhe konfrontim dhe ta çojë botën drejt trazirave dhe ndarjeve.

Presidenti i Kinës, ka theksuar se është thelbësore që ShBA dhe Kina të mbajnë marrëdhënie të mira dhe të punojnë së bashku, pasi të dyja vendet luajnë një rol të rëndësishëm në vendosjen e së ardhmes së njerëzimit dhe planetit.

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Çfarë u arrit nga ky takim?

Marrëdhëniet midis ShBA-ve dhe Kinës janë komplekse për shkak të fushave specifike në të cilat pikëpamjet e tyre të sigurisë kombëtare janë të papajtueshme. ShBA-të janë të vendosura të ruajnë udhëheqjen e tyre në teknologjinë e nivelit të lartë në kërkime dhe partneritete në mbarë botën dhe e kanë bërë të qartë se do të vazhdojë politikat ekonomike për të parandaluar Kinën të fitojë një epërsi në fusha të tilla. Ekziston një simbiozë e qartë midis firmave amerikane dhe Kinës, me kompani të mëdha që fitojnë shumë para në Kinë. Si rezultat, ka një interes që firmat amerikane të jenë të pranishme në Kinë për të ardhmen.

Duke parë nga e ardhmja, pyetja është nëse do të ketë përmirësim të marrëdhënieve Kinë-ShBA, bazuar në rezultatet e samitit apo nëse ka ende shumë sfida për të kapërcyer? - Udhëheqësit bien dakord të iniciojnë më shumë kontakte dhe të rrisin bashkëpunimin dhe dialogun në fusha të ndryshme, duke përfshirë fillimin e bisedimeve ndërqeveritare për inteligjencën artificiale, trajtimin e përbashkët të krizës klimatike dhe rritjen e bashkëpunimit kundër narkotikëve. Ata ranë dakord gjithashtu të rifillojnë komunikimin e nivelit të lartë ushtarak të angazhohen për rritjen e fluturimeve të planifikuara të pasagjerëve në fillim të vitit të ardhshëm dhe të zgjerojnë shkëmbimet në arsim, kulturë, sport dhe biznes. Samiti përfshinte disa seanca, një drekë pune dhe një shëtitje të shkurtër pas drekës.

Ky samit Kinë-ShBA dërgoi një sinjal pozitiv për botën, duke treguar se si Kina ashtu edhe ShBA-ja synojnë të lehtësojnë dhe stabilizojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe të kërkojnë mundësi për bashkëpunim, thanë disa ekspertë. Takimi vendosi një konsensus për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-ShBA në fazën e ardhshme.

Veçantia e këtij samiti, niveli i vëmendjes nga të dy kombet e nga komuniteti ndërkombëtar, dhe rëndësia e vetë takimit kontribuojnë në rëndësinë e tij strategjike dhe ndikimin e thellë.

Duket se Biden po përpiqet të stabilizojë marrëdhëniet e tij me Kinën, pas një fillimi jokonstruktiv të administratës së tij. Nuk ka asnjë arsye të rëndësishme për konflikt midis dy vendeve, por politika amerikane ka një strategji kontrolli, e cila është e papranueshme për Kinën. Këto tensione janë të panevojshme pasi nuk ka asnjë arsye themelore për ShBA-në të mendojë se përparimi i Kinës është i dëmshëm për ta. Të gjitha palët pajtohen se takimi ishte produktiv dhe diskutimi duhet të vazhdojë me dialog të rregullt, duke kërkuar bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët si paqja në Lindjen e Mesme, dekarbonizimi i sistemit energjetik të botës dhe dhënia fund e varfërisë në Afrikë, etj. Kina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara ndajnë interesa në këto fusha dhe mund të bashkëpunojnë për to.

Foto:VCG

Pavijoni i ndërmarrjeve amerikane në Ekspzitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës, 4 nëntor 2023, Shangai(Foto:VCG)

Nga ana tjetër, shefat e biznesit në ShBA, e pritën  Xi Jinping me ovacion, duke demonstruar se tensionet midis SHBA-së dhe Kinës nuk nxiten nga interesat tregtare apo proteksionizmi nga komuniteti i biznesit. Në vend të kësaj, këto tensione shkaktohen nga politikanët dhe një ide e gabuar strategjike e primatit të ShBA-së. Liderët e biznesit treguan se janë të interesuar për marrëdhënie të hapura ekonomike me Kinën dhe duan të bëjnë biznes atje, përtej politikes dhe ndoshta dallimeve të papajtueshme.

 

Së fundmi, rëndësia e këtij takimi ka të bëjë me faktin se të gjitha çështjet kryesore botërore të kohëve tona, herët a vonë do të zbresin në pragun e tyre (Xi dhe Biden). Për këtë është e domosdoshme që ata të kapërcejnë dallimet e tyre dhe t'i adresojnë ato në mënyrë të qartë dhe të shpejtë.. Henry Ford dikur ka thënë: "Të bëhesh bashkë është një fillim, të qëndrosh së bashku është përparim ,dhe të punosh së bashku është sukses". Që suksesi të jetë substancial, tani shpresohet vetëm që ato që u dëgjuan në San Fransisko do të shkojnë nga letra në vepra, dhe e ardhmja të duket më shpresëdhënëse... për të gjithë.

 

Dr. Marsela Musabelliu