Dori Hibroj (Foto personale)
Këngëtarja nga Vlora Dori Hibroj ka nisur të këndojë që në moshën pesë vjeçare, duke marrë pjesë në festivalet e fëmijëve, për t’u bërë më vonë pjesë e audicioneve në spektaklet muzkore “Ethet e së premtes mbrëma” dhe “X-Factor Albania”. Dori filloi të këndoj këngët popullore të jugut, duke sjellë krijimtari të re muzikore për publikun. Është gjithmonë e angazhuar me këngën popullore në aktivitete brenda dhe jashtë vendit. Këngët popullore nga kjo këngëtare janë pritur mjaft mirë nga fansat e saj dhe ajo premton të sjellë së shpejti produksione të reja muzikore. Në një intervistë për Radio Ejani Dori Hibroj tregon për fillimet e saj në muzikë, aktivitetet ku ka marrë pjesë si dhe projektet në të ardhmen.
Dori Hibroj (Foto personale)
CMG: Si nisi rrugëtimi juaj me këngën popullore, a e keni tashëguar nga familja?
Dori Hibroj: Unë kam që në moshën pesë vjeçare që këndoj, por jo me këngën popullore. Rrugëtimin tim me muzikën e kam nisur duke marrë pjesë në festivalet e fëmijëve, ku kam fituar çmime të ndryshme. Pastaj kam vazhduar me audicione të ndryshme siç janë “Ethet e së premtes mbrëma” dhe në “X-Factor Albania” ku kam arritur të shkoj në tetëshen më të mirë në Shqipëri për kategorinë time. Normalisht që muziën popullore e kam dhe të trashëguar, sepse edhe babai im këndonte shumë bukurBesoj që këngën popullore e kam të trashëguar nga familja.
CMG: Tani që këndoni këngët popullore e keni lënë pas dore muzikën e lehtë, apo i mbani paralelisht të dyja?
Dori Hibroj: Absolutisht që muzikën e lehtë nuk e kam lënë, sepse ajo më shoqëron në çdo event që marr pjesë. Muzika e lehtë për mua është si gjaku në vena, është shumë e rëndësishme dhe nuk kam për të ndalur kurrë së kënduari muzikën e lehtë.
CMG: Jeni vlonjate dhe besoj se këndoni dhe këngë polifonike?
Dori Hibroj: Patjetër që këndoj dhe këngë polifonike, sepse duke qenë nga Vlora duhet ta këndoj kur kam qenë e ftuar nëpër evente të ndryshme. Nuk rastis shpesh, por ka pasur momente në të cilat kam kënduar këngët polifonike.
CMG: Flasim për krijimtarinë tuaj në muzikën popullore dhe si janë pritur nga publiku këngët tuaja?
Dori Hibroj: Kënga ime e parë titullohej “Zeshka ime”, një histori dashurie që tregon për një djalë, i cili dashurohet me një vajzë. Eshtë një këngë e lezetshme e kompozitorit Genci Malaj. Ajo ka qenë kënga ime e parë e cila është pritur mirë nga publiku, madje dhe sot e dëgjojnë dhe e duan këtë këngë. Pastaj kam pasur një bashkëpunim me Edmond Gremin me këngën “Vajza si flutur” një këngëtar shumë i mirë nga qyteti i Fierit. Kjo është një këngë shumë e bukur, e cila përshtatet me eventet e ndryshme, dasmat, për nusen dhe dhëndrin. Ndërkohë që një nga këngët të cilën e kam shumë përzemër është “Babaxhan” që ja kam kushtuar babait tim dhe gjithë baballarëve, sepse babai është ndarë nga jeta kur kam qenë shumë e vogël dhe unë doja t’ja kushtoja një këngë. Kjo këngë është kompozuar nga kompozitori i mirënjohur Edi Balili dhe është një këngë shumë e dashur, që është pritur goxha mirë. Një nga projektet e mia muzikore të fundit është “Vallja e shoqërisë”, një kompozim i Vani Rushitit, e cila është një këngë e bukur për shoqërinë, për nusen dhe ditën e saj më të dashur.
Kengetarja e muzikes popullore Dori Hibroj (Foto personale)
CMG: Keni kënduar dhe këngë të njohura popullore apo vetëm krijimtari të re?
Dori Hibroj: Deri tani nuk kam bërë diçka të tillë dhe të gjitha këngët janë krijime të reja.
CMG: Do dëshironi të realizoni në të ardhmen ndonjë kolazh me këngë popullore qytetare vlonjate?
Dori Hibroj: Kam disa materiale muzikore që i kam publikuar në YouTube, por i këndoj dhe live me shumë kënaqësi në evente të ndryshme. Kam projekte muzikore shumë të bukura për të sjellë, dhe me këngë qytetare vlonjate.
CMG: Si ka qenë aktiviteti juaj muzikor me dasmat dhe gëzimet familjare?
Dori Hibroj: Sezoni i dasmave dhe gëzimeve familjare ka qenë i ngarkuar. Kam pasur shumë dasma, një lodhje e madhe, por dhe një kënaqësi e veçantë. Kur mendon që në fund të gjithë ikin duke të përgëzuar dhe përqafuar, kjo është kënaqësia më e madhe për artistin.
Dori Hibroj. (Foto personale)
CMG: Si jeni pritur në koncertet jashtë vendit nga publiku i disaporës?
Dori Hibroj: Unë kam qenë në disa vende për koncerte, si në Athinë, Selanik dhe vende të tjera të Greqisë. Gjithashtu kam qenë në Suedi, madje është e dyta herë që ftohem në këtë shtet më 24 nëntor dhe më 28 nëntor jam në Gjermani. Jam pritur shumë mirë, dhe të them të drejtën shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit kanë shumë mall për muzikën dhe vendin e tyre dhe ndjehen shumë mirë kur ne sjellim traditën tonë pranë tyre.
CMG: E quani veten me fat që keni bashkëpunuar me kompozitorët më të mirë të muzikës popullore të momentit?
Dori Hibroj: Kjo është shumë e vërtetë dhe jo më kot i kam zgjedhur sepse të tre kanë stile të ndryshme muzikore dhe përçojnë vlera tek publiku dhe folku. Për mua të tre janë artistë, por do të veçoja Edi Balilin sepse ai për mua është ikonë e artit. Kam shumë respekt për të gjithë, por veçoj kompozitorin Edi Balili.
CMG: Keni planifikuar se ku do të jeni për të kënduar në festat e fundvitit?
Dori Hibroj: Në fakt nuk i kam mbylluar akoma vendet se ku do jem, por kam disa versione dhe po pres versionin më të mirë.
Dori Hibroj duke kenduar ne nje dasem (Foto personale)
CMG: E keni veshur ndonjëherë kostumin popullor?
Dori Hibroj: Patjetër që e kam veshur dhe te kënga “Babaxhan” kam veshur kostumin popullor të Dukatit, i cili është kostum shumë i bukur dhe më rri bukur, ku dhe në videoklip duket me shumë vlera për këngën. Mua më pëlqejnë kostumet popullore, jo vetëm te klipi por dhe në disa dasma e kam veshur. Gjithmonë e vesh me shumë kënaqësi kostumin popullor.
CMG: Ju pëlqen bashkëpunimi në duet me këngëtarë të tjerë?
Dori Hibroj: Deri sot kam hecur me hapat dhe forcat e mia. Mendoj se çdo artist duhet të rritet dhe piqet vetvetiu, por dhe bashkëpunimet janë të frytshme dhe varet se me cilin këngëtar zgjedh që të bësh bashkëpunimin. Në përgjithësi kam zgjedhur që të vij vetëm, por kjo nuk do të thotë se nuk do ketë gjëra të bukura në vijim.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzkore në të ardhmen?
Dori Hibroj: Përveç projekteve me muzikë popullore kam ndërmend të sjell dhe një baladë të muzikës së lehtë, që deri sot nuk kam ardhur me diçka të muzikës së lehtë dhe pse e kam me shumë dëshirë, por gjithmonë jam stepur sepse duke qenë se do jetë kënga ime e parë në muzikën e lehtë, duhet vërtetë t’ja vlejë. Kam dhe disa projekte me muzikën popullore dhe mendoj të sjell një kolazh si dhe një këngë të re. Kolazhi do bazohet te këngët e vjetra popullore të sjella në mënyrën time.
CMG; Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj?
Dori Hibroj: Ishte kënaqësi shumë e madhe që isha pjesë e emisionit tuaj dhe ju falenderoj. Uroj me shpirt të gjithë dëgjuesit kudo që janë që të jenë mirë, shëndet dhe mbarësi në familjet e tyre.
Intervistoi: Gazmend Agaj