“Rroftë jeta” në përkujtim të shkrimtarit Petro Marko
2023-11-17 15:08:25

Petro Marko (FOTO nga kultplus)

Mbrëmjen e 13 nëntorit u mbajt në Teatrin  Metropol,  në kryeqytet eventi “Rroftë jeta”, kushtuar poetit, publicistit, gazetarit, dhe shkrimtarit të njohur Petro Marko,  me rastin e 110 vjetorit të lindjes së tij. Të ftuar miq, kolegë, të afërm, personalitete dhe publiku kryeqytetas, përjetoi gjatë asaj mbrëmje mjaft emocione. E ideuar si një dokumentar lëvizës, kjo mbrëmje ju kushtua shkrimtarit të njohur Petro Marko. Një dedikim për gjithë jetën e tij, që nga fëmijëria, rinia, ku bënin pjesë veprat e dorëshkrimet e autorit, të cilat erdhën të interpretuara nga aktorët e njohur, Ndriçim Xhepa, YIlka Mujo, Rajmonda Bulku dhe Kristaq Skrami, shoqëruar nga një dokumentar filmik, i cili përfshinte, xhirime të tij, dorëshkrime, letërkëmbimet etj. Krahas fjalës nuk mungoi as muzika live, e cila erdhi nën interpretimin e këngëtarëve Erina Seitllari, Xhoni Treni, Sisi Ndini dhe Vert.

Ky event erdhi i shoqëruar nga një ekspozitë fotografike, ku ndër të tjera kishte foto të ruajtura nga arkivi familjar me foto të shkrimtarit me familjen, miqtë, kolegët, dorëshkrimet e tij, etj.  Publiku i pranishëm në këtë mbrëmje kushtuar shkrimtarit, ndau emocionet edhe me dëgjuesit e Radio Ejani.

CMG: Përshëndetje! Çfarë përshtypjesh ju la dokumentari kushtuar Petro Markos?

Klodiana: U ndava me përshtypjet më të mira. Ndoqa recitime mjaft të mira, aktrim shumë të mirë, dokumentar nga arkiva që kishte përdorur regjisorja. Me thënë të drejtën kishim kohë që nuk shihnim gjëra të tilla, jetën e një shkrimtari si Petro Marko, në këtë mënyrë se si e sollën sot në teatrin “Metropol”.

“Rroftë jeta” me  regjinë e Jerida Sakaj,  nisi me një muzikë të lehtë në sfond, ku ishte gërshetuar kitara nga Xhoni Treni, muzika jazz që ilustronte poezitë e interpretuara nga aktorët Ndriçim Xhepa, YIlka Mujo, Rajmonda Bulku dhe Kristaq Skrami. Ndonëse në veprimtari u pasqyrua jeta e Petro Markos, shumë emocionues  ishte mesazhi  i vajzës së tij Arianita Marko, nëpërmjet zërit audio, si dhe një sekuencë shumë e shkurtër  e të birit të Petros, Jamarbër Marko. Këngëtarët e ftuar interpretuan këngën “Vajza e valëve”, muzikë italiane, sponjolle të  shoqëruara me poezitë e interpretuara nga artistët e mirënjohur të skenës shqiptare. Dokumentari  u mbyll me shprehjen: “Ka një ish ministër, ka një ish president, por nuk mund të themi kurrë që ka një ish shkrimtar”.

Aktiviteti per 100 vjetorin e Petro Markos

Viti 2023 shënon 110-vjetorin e lindjes së  Petro Markos dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, bashkë me Ministrinë e Kulturës, e shpalli “Vitin e Petro Markos”. Një kalendar aktivitetesh që nisën nga QKLL-ja , vijuan në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke shpalosur para lexuesit veprën dhe jetën e një shkrimtari, përmasat e të cilit zgjerohen me kohën, për të na sjellë më afër idetë dhe veprat që përshfaqin një arritje të letërsisë dhe mendimit shqip. Me romanet e tij  Petro Marko  është një ndër personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Përtej veprave letrare, një nga veprat e rëndësishme të Petro Markos është autobiografia “Retë dhe gurët”, të cilën ai e shkroi në vitet e fundit të jetës.

 Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor. Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën, botuan “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografi ku Petro Marko i moshuar, merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim, dhe e kishte dëshirë që ta botonte. Disa vepra të tjera të shkrimtarit janë; “Hasta la vista” (1958), (Shqiptimi: Mirupafshim përsëri) një ndër romanet më të mira në ciklin e romaneve të Autorit Petro Marko. Gjithashtu “Qyteti i fundit” (1960), “Një emër në katër rrugë” (1972), “Ara në mal” – roman (1967), “Nata e Ustikës” (1989), “Shpella e piratëve”- roman, “Horizont” – roman, “Fantazma dhe plani”, “Një natë dhe dy agime”,   etj.  

Petro Marko lindi në Dhërmi më 25 nëntor të vitit 1913 dhe ndërroi jetë në  Tiranë,në 27 dhjetor 1991. Me kërkesë të tij, ai prehet në vendlindje, përballë detit, ku për të ishte pamja më e bukur në botë.  

Sava Lena