Foto nga China Daily
Andrew Fowler, një student i vitit të katërt nga kolegji “Lewis and Clark’ në Portland, Oregon, e përshkroi përvojën e tij të fundit në Kinë si një surprizë të papritur dhe të pabesueshme.
Përmes pjesëmarrjes në konkursin e 22-të “Ura kineze” për studentët e huaj të kolegjeve, ai vizitoi Kinën, së bashku me mbi 150 të rinj nga 124 vende që konkurruan për kampionatin botëror më 2 shtator në Nanning, rajoni autonom Guangxi Zhuang.
Fillimisht i pasigurt për shkallën e konkursit, Fowler nuk e imagjinonte kurrë se do të arrinte në finale dhe do të kishte mundësinë të eksploronte Kinën. Ngjarja shënoi mbledhjen e parë me prani fizike të konkursit në Kinë që nga fundi i pandemisë Covid-19.
Përpara se të fillonte konkursi, garuesit shijuan një kamp veror trejavor në Pekin dhe qytetet Baise dhe Guilin në Guangxi. Fowler tha se e çmonte kohën që kaloi në fshatin piktoresk të Guangxi, ku pati mundësinë të zhytej në kulturën lokale, të ndërvepronte me pakicat etnike dhe të provonte ushqime të ndryshme.
Ai tha se njohuritë që kishte marrë përmes dokumentarëve dhe literaturës për pakicat etnike në Kinën Jugperëndimore u përmirësuan duke parë nga afër kulturën e lulëzuar në komunitetet e tyre.
“Fshatarët na përshëndetën dhe organizuan ceremoni të bukura ku populli Zhuang dhe populli Yao kërcenin, të veshur me kostumet e tyre tradicionale. Ata na treguan tekstilet dhe ne patëm rastin të dëgjonim gjuhët e tyre. Për më tepër, shansi për të parë natyrën e bukur në Guilin, që frymëzoi kaq shumë piktorë të vjetër kinezë, ishte shumë i veçantë”,- tha ai.
Studenti amerikan tha se ishte i prekur nga pasuria e traditave të tyre dhe angazhimi i tyre për të ruajtur gjuhët, artet dhe zanatet.
“Shumë njerëz jashtë Kinës as nuk do ta dinin se kjo është një pjesë e Kinës, sepse ata nuk mendojnë për pakicat etnike në jugperëndim. Ishte emocionuese të shihja një pjesë kaq të bukur të Kinës, ku traditat kulturore dhe gjuhët e saj etnike lulëzojnë”,- tha Fowler.
Si një nga finalistët në konkursin global, Fowler u përfshi edhe në eksperiencën “Një ditë përvojë në kulturën kineze” në Universitetin Guangxi, duke marrë pjesë në leksione, simpoziume dhe turne kampusi.
I mahnitur nga kultura
Fowler tha se i bëri përshtypje që referencat kulturore dhe idetë filozofike janë të rrënjosura thellë në bisedat e përditshme në Kinë. Pasi u rrit pranë “Chinatown” në Oakland, Kaliforni, interesi i tij për gjuhën mandarine u ndez në shkollën e mesme nga një mësues i pasionuar për të dhënë disa koncepte nga filozofia kineze. Koha e tij në Kinë vetëm sa e forcoi vlerësimin e tij për respektin e vendit për trashëgiminë e tij kulturore dhe traditat artistike.
“Një gjë që më emocionoi vërtet në Kinë është se kur je duke folur me njerëz në rrugë ose thjesht duke folur me miqtë, duket se ekziston një bazë e përbashkët citatesh nga vepra të njohura. Shumica e njerëzve dinë citate nga filozofët dhe poetët kinezë”,- tha ai.
Fowler përfundoi i treti në finalen globale dhe ka inkurajuar të tjerët që të shfrytëzojnë mundësinë për të marrë pjesë në konkursin “Ura kineze”.
“Vetëm duke vizituar Kinën mund ta kuptoni më mirë këtë vend. Do të takoni miq si nga Kina, ashtu edhe nga e gjithë bota.
Çështja është të ndërtoni ura midis kulturave dhe nuk është vetëm një urë midis kulturës suaj dhe asaj kineze, por është gjithashtu një urë midis kulturës suaj dhe kulturave të të gjithë konkurrentëve të tjerë”,- tha ai.
Miq global
Shkëmbimet ndërkulturore dhe miqësitë e qëndrueshme që ai kultivoi gjatë këtij eventi kishin fuqi transformuese për të. “Tani kam miq që shpresoj t'i vizitoj në Europë, në Australi, në Azi, në Afrikë, në Amerikën e Jugut, sepse ne jemi nga e gjithë bota dhe të gjithë jemi ende në kontakt”,- tha Fowler.
Pas kthimit në SHBA, Fowler ndau përvojat e tij me komunitetet lokale, duke synuar të nxisë një kuptim më të thellë të kulturës kineze.
“Mora shumë dhurata të vogla për profesorët dhe miqtë e mi, si faqeshënues me citate nga filozofët kinezë ose idioma”,- shtoi ai.
Fowler gjithashtu fitoi një bursë studimi në gjuhën kineze nga qeveria kineze, gjë që ka forcuar angazhimin e tij për të nxitur lidhjet ndërkombëtare dhe vlerësimin kulturor. Ai planifikon të vazhdojë studimet e mëtejshme në gjuhësi në Kinë pas diplomimit.
“Nuk besoj se mund të kuptohet ndonjëherë një vend pa shkuar atje dhe po ashtu pa jetuar atje. Qëndrova vetëm tri javë në Kinë, por planifikoj të kthehem”,- tha ai.
Udhëtimi i ka dhënë Fowler-it një perspektivë më të gjerë dhe një vlerësim më të thellë për pasurinë e diversitetit kulturor, për të kuptuar më mirë botëkuptimet e ndryshme dhe të shumanshme të përvojës njerëzore.
“Në një nivel personal, është jashtëzakonisht pasuruese të jesh në gjendje të shkosh në një vend të huaj dhe të zbulosh se shumë njerëz mendojnë ndryshe për disa gjëra. Ata kanë mënyra të ndryshme për të kuptuar botën dhe këndvështrimet e tyre janë po aq të vlefshme sa edhe të tuat. Eksperiencat vetëm të pasurojnë më shumë dhe të thellojnë kuptimin për shumë gjëra”,- tha studenti amerikan.