Bizneset nxisin drejtuesit e APEC-ut që të bashkëpunojnë për klimën
2023-11-17 10:52:03

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Duke u mbështetur në bashkëpunimin SHBA-Kinë, liderët e biznesit në të gjithë ekonomitë e APEC-ut theksuan përpjekjet kolektive për të kapërcyer sfidat urgjente klimaterike, në kuadër të Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në San Francisko.

 

“Kemi një sërë planesh veprimi, konkrete dhe të arritshme që ua kemi sugjeruar dhe rekomanduar udhëheqësve tanë”,- deklaroi në një intervistë për “China Daily” Dominic Ng, kryetar i Këshillit të Biznesit të APEC-ut (ABAC).

 

“Për sa i përket SHBA-së dhe Kinës, ne shpresojmë që presidentët Joe Biden dhe Xi Jinping të mund të bashkojnë duart dhe të nxisin pjesën tjetër të 19 ekonomive që të ndjekin planin tonë dhe të përpiqen të ndihmojnë botën të bëhet një vend më i mirë”,- tha ai.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

ABAC u krijua nga drejtuesit e APEC-ut në vitin 1995 si krahu i biznesit të APEC-ut. Anëtarët takohen katër herë në vit në përgatitje për rekomandimet e tyre për drejtuesit në forumin vjetor.

Ng, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i “East West Bank”, u emërua nga presidenti amerikan Joe Biden si kryetar i ABAC-së në vitin 2023. Një nga prioritetet e identifikuara nga raporti i këtij viti i Këshillit të Biznesit është bashkëpunimi për të promovuar qëndrueshmërinë mjedisore dhe për të adresuar ndryshimet klimaterike.

 

Rekomandimet përfshijnë zhvillimin e një udhërrëfyesi për tregtinë dhe investimet në energjinë e rinovueshme, të tilla si materialet dhe teknologjitë me karbon të ulët për të reduktuar emetimet, përshpejtimin e reduktimit të emetimeve dhe promovimin e financimit për një tranzicion të drejtë dhe të përballueshëm.

 

Ng tha se ekonomitë moderne të ndërlidhura dhe natyra globale e sfidave aktuale nënkuptonin se bashkëpunimi i ngushtë ishte jetik. “Gjatë takimit të kësaj jave me drejtuesit e APEC-ut, mesazhi ynë kryesor do të jetë se vetëm duke bashkëpunuar do të përparojmë në një mjedis operativ gjithnjë e më të fragmentuar dhe të përçarë”,- tha ai.

 

Këshillit të Biznesit i APEC-ut publikoi gjithashtu një deklaratë mbi reagimin ndaj klimës, duke nënvizuar rëndësinë e shfrytëzimit të potencialit të rajonit për të arritur inovacion dhe rritje të qëndrueshme. Këshilli u kërkon ekonomive të APEC-ut që të punojnë në mënyrë konstruktive së bashku në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimaterike 2023, e njohur si COP28, në Dubai, si një udhërrëfyes global në gjetjen e këtyre zgjidhjeve.

 

Për të promovuar një COP28 të suksesshëm, i dërguari i SHBA-së për klimën, John Kerry, dhe homologu i tij kinez, Xie Zhenhua, u takuan në Kaliforni përpara APEC-ut. Të dy palët arritën mirëkuptime dhe marrëveshje për çështjet klimaterike që do të ndihmojnë në sigurimin e arritjes së përparimit në bisedimet në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimaterike 2023, tha Kerry në Forumin e Ekonomisë së Re të “Bloomberg” në Singapor javën e kaluar.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Si dy ekonomitë kryesore në botë dhe emetuesit më të mëdhenj të gazit serrë, bashkëpunimi midis dy vendeve konsiderohet një pjesë thelbësore e përpjekjeve globale për të trajtuar krizën klimaterike.

 

“Sfida që kemi sot është se veprimet tona mbeten shumë prapa planit. Ne kemi arritur vetëm 15 për qind të objektivit të OKB-së për ndryshimet klimaterike”,- tha Ning Gaoning,  kryetar i Grupit të Punës për Rritjen e Qëndrueshme të Këshillit të Biznesit të APEC-ut, duke theksuar nevojën urgjente për financimin e kredisë dhe teknologji për të përshpejtuar tranzicionin.

 

“Shpresojmë që marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës të jenë bashkëpunuese në ekonomi, tregti, teknologji dhe financa”, tha Ning, ish-kryetar i bordit të “Sinochem Holdings Corp Ltd”.

 

Duke pranuar sfidat përpara, Ning tha se bashkëpunimi mund të nisë nga një dialog racional dhe forumi APEC ofron një mundësi. Duke pasur shpresa të mëdha për bashkëpunimin SHBA-Kinë në shkencë dhe teknologji, Scott Rozelle, bashkëdrejtues i fakultetit të doktoraturës i Qendrës “Stanford” për Ekonominë dhe Institucionet e Kinës, beson se udhëheqësit e të dy vendeve mund të pajtohen për zgjerimin e marrëveshjes SHBA-Kinë për shkencën dhe teknologjinë.

 

“Kjo është mënyra se si ata mund të vazhdojnë të forcojnë dhe stabilizojnë marrëdhënien, për t'i dhënë një shans që të fillojë të lulëzojë përsëri. Mbajtja e gjërave të qëndrueshme është përparësia kryesore. Gjetja e mënyrave për të ndërvepruar dhe angazhuar është ajo që shpresoj se mund të ndodhë. Kjo është absolutisht thelbësore për ekonominë e Kinës, ekonominë amerikane, ekonominë e Azisë, ekonominë botërore, për paqen dhe stabilitetin botëror”,- tha ai.

 

Klima ishte gjithashtu në axhendë gjatë takimit të Këshillit të Biznesit të APEC-ut me ministrat e Financave, të organizuar nga sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen.

 

“Financimi është një hallkë kritike në tranzicionin drejt një ekonomie me karbon të ulët, ku sektori privat mund të jetë një partner kyç”,- tha Ng.