Presidenti kinez Xi Jinping takon kryeministrin japonez
2023-11-17 14:08:46

CMG

CMG

Presidenti kinez Xi Jinping u takua me kryeministrin japonez Fumio Kishida në San-Francisko të enjten sipas kohës vendore.

Udhëheqësit e të dy shteteve ritheksuan zbatimin e parimeve dhe mendimeve unanime të katër dokumenteve politike kino-japoneze, rikonfirmuan nxitjen e gjithanshme të marrëdhënieve strategjike me përfitime të ndërsjella ndërmjet të dy vendeve dhe u angazhuan për të krijuar marrëdhënie japonezo-kineze konstruktive e të qëndrueshme që përputhen me kërkesat e kohës së re.

Xi Jinping-u vuri në dukje se sivjet është 45-vjetori i nënshkrimit të Traktatit të Paqes dhe Miqësisë ndërmjet Kinës dhe Japonisë, i cili përcaktoi në mënyrë ligjore drejtimin e paqes, të miqësisë e të bashkëpunimit mes Kinës dhe Japonisë, duke u bërë një gur kilometrik në historinë e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Në 45 vitet e fundit, nën drejtimin e katër dokumenteve politike kino-japoneze, duke përfshirë edhe këtë traktat, pavarësisht nga vështirësitë e ndryshme, marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve kanë ruajtur në përgjithësi impulsin e zhvillimit, duke u sjellë të mira të dy popujve dhe duke luajtur një rol pozitiv për nxitjen e paqes, të zhvillimit dhe të lulëzimit rajonal. Situata ndërkombëtare po ndryshon me shpejtësi dhe po shfaqen rreziqe të shumta. Bashkëjetesa paqësore dhe zhvillimi i përbashkët i Kinës dhe Japonisë përputhen me interesat thelbësorë të të dy popujve. Tani marrëdhëniet kino-japoneze ndodhen në një periudhë kyçe kalimtare. Të dy palët duhet të ecin me prirjen e kohës, të administrojnë në mënyrë konstruktive konfliktet e dallimet dhe të vënë në jetë me politika konkrete dhe veprime praktike konsensusin politik që të jenë "partnerë bashkëpunimi për njëri-tjetrin e të mos përbëjnë kërcënim ndaj njëri-tjetrit”.

Presidenti Xi theksoi më tej se çështjet madhore, si problemi historik dhe çështja e Tajvanit, lidhen me bazat politike të marrëdhënieve të dy vendeve. Pala japoneze duhet të garantojë që baza e marrëdhënieve kinezo-japoneze të mbetet e padëmtuar dhe të palëkundur.

Xi Jinping vuri në dukje se lëshimi i ujit të ndotur bërthamor të Fukushimës lidhet me shëndetin e tërë njerëzimit, mjedisin e oqeaneve globale dhe interesat publike ndërkombëtare. Pala japoneze duhet të trajtojë seriozisht shqetësimet e arsyeshme brenda dhe jashtë Japonisë, me qëndrim të përgjegjshëm e konstruktiv.

Fumio Kishida u shpreh nga ana e tij se, me rastin e 45-vjetorit të nënshkrimit të  Traktatit të Paqes dhe Miqësisë ndërmjet Kinës dhe Japonisë, të dy popujt kujtojnë përpjekjet e liderëve të brezit të vjetër për nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve miqësore japonezo-kineze. Pala japoneze shpreson të forcojë dialogun e nivelit të lartë me palën kineze dhe të shtojë elementet pozitive të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Japonia nuk dëshiron “ndërprerjen e lidhjeve ekonomike” me Kinën, do të vazhdojë rrugën paqësore e nuk do të ndryshojë aspak qëndrimin e trajtimit të problemit të Tajvanit sipas deklaratës së përbashkët japonezo-kineze.(Xu Guang)