Kantieret e ndërtimit në rrugë ARRSH: Disa vepra përfundojnë në 2024
2023-11-17 10:56:00

Tuneli i Llogorasë (Foto Revista Monitor)

Tuneli i Llogorasë (Foto Revista Monitor)

Në fillim të vitit 2024  Autoriteti Rrugor Shqiptar pritet të  nisë punën për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, duke i dhënë zgjidhje trafikut në këtë segment dhe duke reduktuar ndjeshëm kohën e mbërritjes. Drejtori i përgjithshëm Ervis Berberi tha në një intervistë për Tv Scan  se paralelisht do të ndërhyhet edhe në rrugën e vjetër të Ndroqit, duke iu dhënë mundësinë qytetarëve që të kenë një alternativë dytësore.

“Për vitin e ardhshëm dhe për 3 vjeçarin e ardhshëm, pasi kur parashikojmë buxhetin e parashikojmë për tre vite në mënyrë që të kemi një efektivitet në investimet që bëhen në infrastrukturë. Vetëm për vitin  e ardhshëm janë parashikuar investime në infrastrukturë 7.2 miliardë lekë, të cilat janë të ndara në investime dhe  financime të projekteve të huaja, të projekteve në buxhetin e shtetit dhe kosto lokale që mbulojnë pjesë të investimeve të huaja.”- tha Berberi.

Sipas Berberit, qeveria ka parashikuar që për vitet në vijim të ketë rritje të fondeve në infrastrukturë.

“Vetëm i investimeve është 7.2 miliardë lekë që dalin nga buxheti i shtetit për të mbuluar projekte të infrastrukturës për vitin 2024. Për vitin 2025 dhe 2026 kemi një rritje të tavaneve buxhetor që shkojnë dhe më tepër se kaq diku tek 10 apo 11 miliardë lekë për investimet në infrastrukturë.”

Berberi tha se në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm është parashikuar po ashtu nisja  e fazës së tretë dhe të katërt të zgjerimit të aksit Elbasan-Qafë Thanë dhe ndërtimi i By passit të Elbasanit.

Ervis Berberi (Foto Balkan web)

Ervis Berberi (Foto Balkan web)

“Kemi një vazhdimësi të investimeve dhe të mbështetjes financiare që do t’i bëhet projekteve që janë në fazën e zbatimit apo të përmbylljes së tyre. Gjatë vitit të ardhshëm nuk janë vetëm investime që shkojnë për të financiar projekte të reja, të cilat janë disa, kryesisht janë për të mbyllur projektet ekzistuese  dhe ne kemi mbi 20 kantiere të hapura nga ARRSH në Shqipëri, që ecin me ritme të mira dhe në varësi të zonave kanë ecuri të ndryshme, kjo për shkak edhe të kontratave të lidhura. Pjesa tjetër është që do kemi edhe disa investime të reja, gjatë vitit 2024 kryesisht në akset që janë të domosdoshme dhe që ka lindur nevoja për të ndërhyrë siç janë arteriet kryesore të vendit dhe akset turistike.”- shprehet drejtori i ARRSH-së.

Qytetarët do të prekin disa vepra infrastrukturore të përfunduara brenda vitit që vjen, premton drejtori i ARRSH-së.

“Janë shumë projekte që përfundojnë brenda vitit 2024, që kanë të bëjnë me akset të cilat gjatë këtij viti ne i kemi hapur në gjendje kantieri ose kanë një ecuri shumë të mirë të punimeve në to, të cilën e kemi reklamuar. Kemi aksin Orikum-Dukat-Palasë-Dhërmi, duke qenë në zonën e jugut, bregdeti kryesor por më i rëndësishëm është përfundimi i tunelit të Llogarasë, verën e ardhshme, në nisje të sezonit turistik do jetë i hapur.”- tha Berberi.

Veprat e reja do të kenë një rol të rëndësishëm në zhvillimin turistik të vendit.

“Bashkërisht me këtë fillon dhe Palasë-Dhërmi-Orikum-Dukat, i gjithë gjerdani funksional, duke nisur nga bypass i Vlorës deri në zonën e Dhërmiut, në zonën e lindjes do përfundojmë Korçë-Ersekë dhe duam të përfundojmë rrugën Qukës-Qafë Plloçë faza e parë dhe e dytë për vitin 2024. Është projekti i famshëm që ka ngelur pa u përfunduar. E përfundojmë në bazë të kontratës fazën e parë dhe të dytë brenda vitit 2024 dhe fazën e 3 brenda vitit 2025. Duke ardhur në drejtim të qendrës  kemi Elbasan-Qafë Thanë, korridori i 8 pasi rëndom thuhet se zgjerimi i një autostrade  i një rruge ekzistuese, për shkak të shpejtësisë do të jetë e kategorisë me të lartë me të cilën është projektuar. E kemi kaluar me një trase të re, kemi lënë rrugën ekzistuese përdoruesve të zonave të banuara dhe kanë aksesin në të. Vitin tjetër kemi dy fazat  e para të përfunduara, faza e parë që fillon në Fushë Labinot dhe përfundon në Murrash, pra kemi 10 km e para të përfunduara në fund të vitit tjetër. Ndërkohë në fund të këtij viti nënshkruajmë kontratën dhe fillojmë dy segmente të tjerë, segmentin e 3 dhe të 4, që na nxjerr matanë Librazhdit, duke lënë bypass e Librazhdit.”

Autostrada Tiranë-Durrës ( Foto ABD news)

Autostrada Tiranë-Durrës ( Foto ABD news)

Për kryeqytetin shpëtim për çlirimin e trafikut do të jetë përfundimi i Unazës së madhe.

“Duke mos lënë pas dore zonën e qendrës, ku kemi ndërmend të përfundojmë Unazën e madhe të Tiranës, që është një nga arteriet më kryesore që do i japë një frymëmarrje shumë të madhe qytetit dhe lëvizshmërisë. Do vazhdojmë më tutje duke përfunduar rrugën e Arbrit dhe segmentin e fundit që kemi nënshkruar kontratën, Herbelë-Peshkopi që është segmenti i fundit që e lidh me Tiranën për thuajse 1 orë e pak minuta, në këtë lëvizje. Mos të harrojmë që duam të kemi, thuajse në gjendje pune, mbase në fund të vitit të ardhshëm dhe segmentin Thumanë-Kashar të koncesionarit të Adriatiko-Jonianit që është një nga arteriet kryesore që ne kemi bashkë me korridorin e 8 dhe  duam ta bëjmë të paktën segmentin e parë në fund të vitit 2024 dhe ta kemi në funksion, duke vazhduar pastaj me kontratat.”- thotë drejtori i ARRSH-së.

Aktualisht në të gjithë vendin janë mbi 20 kantiere ndërtimi të rrugëve.