Shkodra, skena e edicionit të 8-të të Festivalit të Këngës “Luleborë”
2023-11-16 10:48:14

Në Teatrin “Migjeni” për dy netë me radhë, salla ishte e mbushur plot me spektatorë, artëdashës shkodranë dhe jo vetëm, të cilët shijuan 18 këngët e Festivalit të Këngës “Luleborë”. Në natën finale juria e kryesuar nga këngëtari i mirënjohur shkodran Bashkim Alibali, ka bërë përzgjedhjen e këngëve. Me vargje të Filip Shirokës dhe muzikë të Alfred Kaçinarit, poezia e kthyer në këngë “Shko dallëndyshe” u vlerësua nga juria me çmimin e parë të festivalit “Luleborë”, bashkëpunimi i parë i këngëtarit Gjergj Kaçinari me babain e tij.

 “Luleborë”, festivali i organizuar në Shkodër mbetet një pikë referimi për artistët e qytetit dhe përtej. Ky festival ka marrë emrin “Luleborë”, nga kënga e njohur shkodrane me të njëjtin titull e kompozitorit Simon Gjoni dhe vijon të sjellë vlera artistike dhe artistë konkurrentë nga të gjitha trojet.  Drejtor artistik i Festivalit ishte një nga personalitetet e muzikës shkodrane dhe asaj shqiptare, Markelian Kapidani, mbi të cilin padyshim rëndoi pesha e përgjegjësisë së këtij eventi kaq të rëndësishëm, “Luleborë” përmbushi edhe këtë vit pritshmëritë e tij. Publiku shkodran e ndoqi me mjaft interes festivalin, e kthyer tashmë  në një traditë. Në natën finale artisti Bashkim Alibali, i dorëzoi trofeun e edicionit të 8-të këngëtarit fitues, Gjergj Kaçinari.

Gjergj Kaçinari fituesi i çmimit të parë të Festivalit Luleborë

Këngëtari fitues I Festivalit, i emocionuar pas fitores theksoi për mediat:

“Kjo këngë i dedikohet vetë Shkodrës, sepse është një poezi e Filip Shirokës  e shkruar një shekull më parë dhe mbi këtë poezi  babai im shkroi këtë këngë. Ne nga të dyja anët i kemi rrënjët këtu, pasi gjyshet janë nga Shkodra. Ishte një këngë mjaft e ndjerë dhe një eksperiencë shumë e bukur për mua”. Mendoj se ky festival me këtë emër duhet të tërheqë  dhe të imponojë sa më shumë kulturën dhe motivet e muzikës shkodrane” ka theksuar Gjergj Kaçinari.

Pas përfundimit të edicionit të 8-të të Festivalit të Këngës ‘Luleborë’, Drejtori  Artistik Markelian Kapidani u shpesh për mediat: “Janë vlerësuar këngët e mira, muzika e mirë, e cila është pikë e rëndësishme e këtij festivali që vazhdon të konfirmohet ndër vite”, ndër të tjera ai shtoi për këngën fituese; “Nuk bëhet fjalë për tekst kënge këtë herë, por për poezi, e duke qenë poezi ka një vlerë shumë më të madhe se tekstet e zakonshme të këngëve. Ne e kemi fokusin që ta hapin këtë festival, ta bëjmë kartvizitën e qytetit tonë të artit e të kulturës” tha Kapidani.

Artan Bakija çmimi i dytë

Çmimi i dytë i festivalit iu dha këngëtarit nga Gjakova Artan Bakija me këngën “Ndjenja e dëshpërimit” dhe çmimi i tretë shkoi për këngëtarin shkodran Laorjan Ejlli me këngën “Gjithë jetën dashuri kërkojmë”.

Ndërsa artistët e rinj, më të vegjëlit e festivalit Arseld Muça 17 vjeç dhe Ea Zoga 12 vjeç, sollën me këngën e tyre “Loti n’buzë” duke përcjellë mesazhin e paqes dhe protest kundër luftës, arritën të fitonin çmimin “Simon Gjoni”,kompozitori i këngës ‘Luleborë’, nga ka marrë emrin dhe ky festival. Këngëtarja Ea Zoga është shprehur pas fitores; “Nuk e mendoja se do fitonim ndonjë çmim dhe pse kënga ishte jashtëzakonisht e bukur. Jam e lumturuar jashtëzakonisht shumë”,theksoi këngëtarja 12 vjeçare Ea Zoga.

Ea Zoga & Arseld Muça fituesit e çmimit Simon Gjoni  dhe Drejtori Artistik Markelian Kapidani

Ndërsa këngëtari 17 vjeçar Arseld Muça që ndau duetin e këtij çmimi theksoi; “Ajo çka na gëzoi ishte mikpritja e publikut. Shoqërimi me orkestrën kaq profesionale, na rriti shumë artistikisht. Shpresoj që mesazhi të ishte i qartë për publikun dhe emocioni të jetë përcjellë ashtu si edhe ne e kemi ndjerë, tregoi për mediat këngëtari Muça.

"Luleborë", festivali i organizuar nga Bashkia Shkodër mbetet një pikë referimi jo vetëm për artistët e qytetit të Shkodrës, por edhe  më gjerë. 

Teatri “Migjeni”në Shkodër tashmë prej 8 edicionesh ka mbledhur shqiptarët  kudo ndodhen, me materialet muzikore të përzgjedhura me mjaft kujdes e profesionalizëm. Festivali i Këngës “Luleborë” është një mundësi e mirë për pasurimin e fondit muzikor të këngës së lehtë shqiptare. Në këtë edicion të 8-të të festivalit  konkurruan 18 këngë, të cilat erdhën të interpretuan live, nga artistë nga Shkodra, Shqipëria dhe Kosova, shoqëruar nga një orkestër profesioniste. Duket se vit pas viti ky festival vijon të ketë progres, sukses i cili vjen pas përkushtimit dinjitos të gjithë artistëve që punojnë për të, me në krye drejtorin artistik të këtij festivali, artistin Markelian Kapidani.  “Luleborë” është festivali i dytë shtetëror në Shqipëri që konceptohet si një festë e muzikës, organizuar nga Bashkia Shkodër dhe një prej ngjarjeve më të rëndësishme artistike në Shkodër dhe në vend.  

Sava Lena