Niku Ismaili, ka përfunduar studimet për gazetari, por asnjëherë nuk e ka ushtruar këtë profesion pasi në qëllimet e tij ka qenë të qëndrojë pas kamerave. Një person i dedikuar dhe më një dashuri për ekranin ai prodhon qindra programe dhe podcaste, të cilat janë kthyer në punën e tij të përditshme. Për Radio Ejani, ai ka treguar se si është motivuar dhe kuriozuar qëkurse ka qenë fëmijë dhe këtë profesion e ka falë mbështetjes së familjes, e cila i ka dhënë drejtimet e duhura në jetë.
CMG: Keni vijuar studimet per gazetari, por keni zgjedhur të qëndroni në “backstage”, pse?
Niku Ismaili: Unë e dua shumë median, më ka kuriozuar ekrani qëkurse kam qenë fëmijë dhe nuk di të them se kur ka lindur ai passion, pasi mendoj që ka lindur bashkë me mua. Dëshira për gazetari nuk nënkupton në të gjitha rastet që ti duhet të shfaqesh diku, unë bëj punë të cilat janë tepër produktive dhe mendoj se jam më i përqëndruar kur vijoj të qëndroj pas kamerave. Kam menduar përherë si të prodhoj, të realizoj diçka, si ta përmirësoj një pamje vizuale, por jo që të dal vetë. Kam preferuar të jem në pjesën esenciale të së gjithës, por modestisht pa u shfaqur.
CMG: A ju merr shumë kohë dhe angazhim të qenit në përmbajtje dhe realizim ose në regji të gjithçkaje?
Niku Ismaili: Patjetër që më merr kohë, më merr energji është diçka që sado unë të përpiqem t'i largohem për një çast është përgjegjësia shumë e madhe që kam në supe dhe që detyrohem të sakrifikoj për të mirën e punës .Megjithëse kur ti e do një punë sado e lodhshme të jetë ndërton paqe me veten dhe arrin të jesh me i qetë përballë çdo sakrifice që do bësh për punën .
CMG: A mund të na dërgoni një ditë në rutinën tuaj ? Duam të kuptojmë çfarë bën në 24 orë një ekspert Post- Produksioni ?
Niku Ismaili: Shembulli im mund të mos jetë shembulli i njëjtë për të gjithë sepse varet nga angazhimet që gjithësecili zgjedh të bëjë në përditshmëri. Por, unë e kam ditën tërësisht të ngarkuar pasi e nis si regjizor në një program mëngjesi, më pas vijoj regjisor në një kanal informativ dhe në mbrëmje jam duke vijuar të regjistroj disa podcaste në një kompani shqiptare. Kështu dita ime nis në orën 06:00 të mëngjesit dhe nuk ka një orar të caktuar mbyllje . Unë jam rregullatori i jetës sime dhe përpiqem që të gjej kohë për gjithçka.
CMG: Nga ajo që kemi vënë re tek ju është se qëndroni gjithë kohës me laptop me vete, sa e vështirë është të kontrollohen punën me distancë?
Niku Ismaili: Në fakt këtë gjë ma kanë vënë në dukje të gjithë po ai laptop është puna ime. Unë punoj gjithë kohës dhe kam kontakt me punën, duke qenë se jam i angazhuar në shumicën e kohës. Punët janë të ndryshme dhe më duhet t’i menaxhoj dhe në këtë kontekst e kam përherë laptopin me vete.
Niku Ismaili gjate diplomimit te tij
CMG: A është e vështirë që të menaxhoni punën në distancë?
Niku Ismaili: Sot nuk është e vështirë sepse të gjithë njerëzit po kalojnë në trendin e një freelance. Pra, duan më shumë angazhime dhe më pak përgjegjësi. Kjo është diçka pozitive sepse të lejon që të japësh maksimumin tënd në disa drejtime . Unë e jap maksimumin tim më shumë forma, por këtë gjë nuk e kam parë vetëm tek vetja. Edhe shumë të rinj të tjerë kanë të njëjtën qasje duke pranuar punë në distancë. Epoka në të cilën jetojmë është tërësisht digjitale dhe askush nuk e humbet mundësinë për të bërë gjëra të bukura.
CMG: Kush ka qenë suporti juaj më i madh në jetë ?
Niku Ismaili: Familja ime. Ka qenë aty për mua në çdo rast dhe gjëja më e mirë që ka bërë është se më ka lënë të lirë të bëj zgjedhjet e mia dhe të jem vetvetja. Familja ime ka shpirt artistësh të cilët e vlerësojnë dëshirën dhe pasionin e palës tjetër, ndaj ata kanë vlerësuar çdo gjë që unë kam dëshiruar të bëj dhe falë tyre jam ky qe jam sot .
CMG: Projektet tuaja janë vetëm brenda Shqipërisë apo mendoni përtej?
Niku Ismaili: Jo në fakt unë kam operuar dhe do vijoj të operoj edhe në tregun e huaj. Pak vite më parë pata angazhime në Suedi , por për shkak të situatës së Covid-19, projekti im është ndërprerë dhe po pres që të rihapet dhe të shoh mundësinë për ta çuar atë deri në fund .
CMG: A keni një mesazh për të rinjtë e tjerë?
Niku Ismaili: E rëndësishme është shkolla e jetës, ajo të mëson , të udhëzon drejt ëndrrave të tua. Shkolla është një pjesë e rëndësishme e njeriut, por ajo që unë sugjeroj tek të rinjtë, nisur nga përvoja jetësore e imja, është që të dalin përtej bangave të shkollës për të qëndruar në këmbë në jetë më gjithçka që ajo sjell. Vetëm kështu mund të mësojë dikush misionin e tij
Intervistoi Megi Latifi