Versioni modern i veprës klasike kineze tërheq publikun amerikan
2023-11-16 11:03:52

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Artistët e rinj kanë risjellë në skenë një vepër klasike teatrore kineze të shekullit të 17-të, “Dream Under the Southern Bough”, me një pamje moderne dhe një kast të larmishëm, në kuadër të javës së shfaqjeve në Institutin e Arteve të Kalifornisë. Shfaqja “Nan Ke Ji” në gjuhën kineze u shkrua në fund të shekullit të 17-të nga Tang Xianzu, një nga dramaturgët kryesorë klasikë të Kinës.

“Është shumë shekspiriane, kështu që ishte e rëndësishme për mua të theksoja universalitetin e historisë”, - deklaroi për “Xinhua” regjisorja e shfaqjes, Duoyi Wang.

Shfaqja origjinale flet për një të ri mendjelehtë, të joshur në Mbretërinë e Milingonave, ku fillimisht gjen dashurinë dhe suksesin, por korr humbje dhe tradhti, përpara se të arrijë mençurinë.

Vepra u shkrua si një kritikë brilante dhe satirike e strukturave socio-politike shpesh të korruptuara dhe hipokrite të dinastisë Ming të vonë.

Edhe në ditët e sotme përkon me të metat e njerëzimit në përgjithësi, ndërsa eksploron rreziqet e ndjekjes obsesive të dëshirave personale, natyrën iluzioniste të jetës dhe kufirin e paqartë midis ëndrrës dhe realitetit.

Duke e përshtatur nga gjashtë orë në një version një orë e gjysmë më të kuptueshëm dhe të interpretuar në anglisht, Wang e solli kryeveprën 400-vjeçare me një interpretim të ri, në një mënyrë respektuese, por edhe duke përqafuar një stil më humoristik, me një kthesë dinamike dhe feministe. Duke kërkuar të evidentojë elementet universale të komplotit dhe temave të shfaqjes, Wang zgjodhi me qëllim një ekip të ndryshëm dhe ndërkombëtar.

“Mendoj se kultura kineze nuk duhet vlerësuar dhe kuptuar vetëm nga kinezët. Përkundrazi, ajo duhet të pëlqehet nga të gjithë dhe meriton të vlerësohet dhe kuptohet nga e gjithë bota”,- deklaroi Wang, e cila njihet dhe si Zoe, gjatë një interviste për “Xinhua”. Dhe fjala po përhapet. Shfaqjet po tërheqin audiencë po aq të larmishme sa kasti.

“Është një vepër e jashtëzakonshme. Kush e mendonte që një shfaqje kineze 400-vjeçare do të më bënte ta ndieja aq shumë?”- tha Steve Colman, një spektator nga Los Anxhelosi.

“Kultura është poezia e pashprehur e cila përshkon strukturën e shoqërive, që tejkalon ndasitë gjuhësore, historike dhe të sistemeve të besimit. Ky humanitet i brendshëm i çdo kulture krijon ndërlidhjet tona”, - tha Wang.

Me mënyrën e saj moderne dhe minimaliste të punës, duke përfshirë elemente të multimedias dhe muzikë, Wang realizoi një performancë ashtu sikurse dhe Tang e përshkroi dikur veprën e tij: “Krahët për të fluturuar; për t'u zhytur poshtë valëve dhe për t'u ngritur mbi qiell; për t’u kthyer prapa në të kaluarën dhe për të kërcyer në të ardhmen”.

Edhe kasti i përzgjedhur për të interpretuar kryeveprën kineze u shpreh tepër i frymëzuar. Jack Goldwaithe nga Teksasi, i cili luan Chunyu, protagonistin kryesor, deklaroi se ishte me shumë rëndësi që të lidhej me personazhin e tij pavarësisht se nga vinte dhe si duhej të dukej.

“Mendoj se duke përzgjedhur aktorë dhe një interpretim më global, Zoe e bëri shumë më të lehtë tërheqjen e audiencës së shumtë, sidomos asaj amerikane, që është mësuar të shohë lloje të ndryshme njerëzish në një mori rolesh”,- tha ai.

“Jam krenare të shpreh anën tjetër të kulturës sonë, përtej stereotipeve”,- tha Lucy Ma, aktore dhe studente e vitit të dytë në Institutin e Arteve të Kalifornisë, e cila interpretoi Ledi Trufle dhe së fundi ka firmosur një kontratë me një kompani të madhe teatrale në Kinë.

“Ka shumë urtësi budiste në këtë shfaqje. Është vërtet e rëndësishme të inkurajohet komuniteti aziatik që të ndajë më shumë histori, sepse kultura jonë duhet të shihet gjithnjë e më shumë”,- tha ajo.

“Unë jam hindu, jo budist. Por India dhe Kina kanë këtë marrëdhënie shekullore me budizmin që mbizotëron edhe sot. Klasikët janë të pavdekshëm dhe mund të luhen në çdo kohë”,- deklaroi Ashwath Ram,  i cili interpreton Master Qixuan.

Një impakt të fortë la edhe te Shireen Hydari, aktore amerikane, me origjinë iraniane dhe afrikano-amerikane, që interpreton dukeshën Qiongying. “Nuk isha përballur më parë me kulturën kineze, por si shumë përralla fantastike iraniane, edhe kjo histori ofron shumë mirësi dhe mençuri”,- tha ajo.

Matthew Goodrich, i cili luante rolin e mbretit, deklaroi: “E adhuroj Shekspirin, por bota ka plot histori dhe kultura të tjera alternative, për të cilat njerëzit në Amerikë nuk janë aq të vetëdijshëm”. Justin Henricksen, i cili luan rolin e kryeministrit, tha se e shikonte shfaqjen si një dhuratë që Wang po i jepte nga kultura e saj. “Ne duhet ta përqafojmë atë dhe t'i kuptojmë gjërat nga një këndvështrim tjetër. Mësova se të gjithë jemi më të ngjashëm nga sa mendojmë, të gjithë kalojmë në të njëjtin rrugëtim njerëzor”,- tha ai.