Të mërkurën sipas kohës vendore, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Joe Biden zhvilluan një takim në rezidencën Filoli në San-Francisko. Të dy krerët e shteteve patën një shkëmbim të sinqertë e të thelluar mendimesh për çështje strategjike gjithëpërfshirëse, me rëndësi të madhe për drejtimin e marrëdhënieve kino-amerikane, si edhe për çështje të tjera që ndikojnë mbi paqen dhe zhvillimin botëror.
Kur arriti në rezidencën Filoli, Xi Jinping u mirëprit ngrohtësisht nga presidenti Joe Biden.
Xinhua
Presidenti Xi vuri në dukje se Kina dhe ShBA-ja kanë dy alternativa në këtë epokë transformimesh globale të papara në një shekull. Alternativa e parë është forcimi i solidaritetit e i bashkëpunimit, për të përballuar sfidat globale dhe për të promovuar sigurinë e lulëzimin global. Ndërsa alternativa tjetër është ndjekja e mendësisë së "lojës ku fituesi i merr të gjitha" dhe provokimi i rivalitetit e i kundërvënies, duke e çuar botën drejt trazirave dhe ndarjeve. Këto dy zgjedhje çojnë në dy drejtime të ndryshme, që do të vendosin të ardhmen e njerëzimit dhe të planetit tonë, tha presidenti Xi, duke shtuar që marrëdhëniet kino-amerikane, të cilat janë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë, duhet të perceptohen dhe të vështrohen mbi bazën e këtij konteksti të gjerë. Kina dhe ShBA-ja nuk mund t'ia kthejnë shpinën njëra-tjetrës dhe nuk duhet të përpiqen ta ndryshojnë njëra-tjetrën, theksoi ai. Konflikti dhe kundërvënia do të sjellin pasoja të papërballueshme për të dyja palët. Konkurrenca mes vendeve të mëdha nuk mund të zgjidhë problemet me të cilat përballen Kina e ShBA-ja, apo edhe mbarë bota. Bota është mjaft e madhe dhe të dy vendet mund të bashkëjetojnë në të, dhe suksesi i njërit vend është edhe një mundësi e mirë për vendin tjetër, tha Xi.
Xinhua
Kreu i shtetit i Kinës shtjelloi më pas tiparet thelbësore të modernizimit kinez dhe rëndësinë e tij, perspektivat e zhvillimit të Kinës dhe synimin e saj strategjik. Ai vuri në dukje se zhvillimi i Kinës drejtohet nga logjika dhe dinamika e vet e brendshme. Kina po promovon rilindjen kombëtare në të gjitha fushat nëpërmjet modernizimit kinez. Ajo nuk do të ndjekë rrugën e vjetër të kolonizimit dhe shtypjes, apo rrugën e gabuar të kërkimit të hegjemonisë me anë të forcës në rritje. Kina nuk e eksporton ideologjinë e vet dhe as nuk përfshihet në kundërvënie ideologjike me ndonjë vend tjetër. Kina nuk ka në plan ta tejkalojë apo zëvendësojë ShBA-në dhe as ShBA-ja nuk duhet të planifikojë ta shtypë dhe frenojë zhvillimin e Kinës.
Presidenti Xi vuri në dukje se respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi me leverdi të ndërsjellë janë mësimet e nxjerra nga marrëdhëniet 50-vjeçare kino-amerikane, si edhe nga konfliktet midis vendeve të mëdha përgjatë historisë. Kina dhe ShBA-ja duhet të bëjnë më shumë përpjekje për t'iu përmbajtur këtyre mësimeve. Gjatë takimit në San-Francisko, sipas tij, Kina dhe ShBA-ja duhet të kenë një vizion të ri dhe të ndërtojnë së bashku pesë shtylla për konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Së pari, formimi i përbashkët i një perceptimi të drejtë. Kina i është përkushtuar gjithmonë krijimit të një marrëdhënieje të qëndrueshme, të shëndetshme e të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë, Kina ka interesa që duhen mbrojtur, parime që duhen ruajtur dhe vija të kuqe që nuk duhen shkelur. “Ne shpresojmë që të dy vendet të jenë partnerë që respektojnë njëri-tjetrin dhe bashkëjetojnë në paqe,” vuri në dukje presidenti Xi.
Së dyti, menaxhimi i përbashkët i mosmarrëveshjeve në mënyrë efektive. Mosmarrëveshjet nuk duhet të jenë një humnerë që ndan të dy vendet. Të dy palët duhet të kërkojnë mënyra për të ndërtuar ura që të ecin drejt njëra-tjetrës. Është e rëndësishme që të dy vendet të respektojnë parimet dhe linjat e kuqe të njëri-tjetrit dhe të mos luhaten, të mos provokojnë dhe të mos i kalojnë kufijtë. Ato duhet të kenë më shumë komunikim, dialog e konsultime dhe të trajtojnë me qetësi dallimet, si edhe aksidentet që mund të ndodhin mes tyre.
Së treti, çuarja e përbashkët përpara e bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë. Kina dhe ShBA-ja kanë shumë interesa të përbashkët në një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë qoftë ato tradicionale, si ekonomia, tregtia e bujqësia, ashtu edhe ato të reja, si ndryshimi klimatik dhe inteligjenca artificiale. Është e rëndësishme të përdoren plotësisht mekanizmat e rivendosur dhe të rinj në politikën e jashtme, ekonomi, financë, tregti, bujqësi e fusha të tjera, si edhe të zhvillohet bashkëpunim lidhur me luftën kundër narkotikëve, çështjet gjyqësore e të zbatimit të ligjit, inteligjencën artificiale dhe shkencën e teknologjinë.
Xinhua
Së katërti, të dy vendet duhet të marrin përsipër së bashku përgjegjësitë e tyre si fuqi të mëdha. Problemet me të cilat ndeshet shoqëria njerëzore nuk mund të zgjidhen pa bashkëpunim ndërmjet vendeve të mëdha. Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin duke dhënë një shembull, duhet të rritin bashkërendimin e bashkëpunimin në çështjet ndërkombëtare e rajonale dhe të ofrojnë më shumë produkte publike për botën. Të dy palët duhet t’i mbajnë nismat e tyre të hapura për njëra-tjetrën ose t’i bashkërendojnë e t'i ndërthurin ato.
E pesta, Kina dhe ShBA-ja duhet të promovojnë së bashku shkëmbimet ndërnjerëzore, theksoi presidenti Xi. Sipas tij, të dyja palët duhet të shtojnë fluturimet e drejtpërdrejta, të çojnë përpara bashkëpunimin turistik, të zgjerojnë shkëmbimet në nivel pushteti vendor, të forcojnë bashkëpunimin në arsim dhe në fushën e njerëzve me aftësi të kufizuara, të pakësojnë elementet negative që pengojnë shkëmbimet ndërnjerëzore, si edhe të inkurajojnë e të mbështesin ndërveprimin e rëndësishëm dhe komunikimin midis popujve, për të vendosur një bazë të mirë për zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve kino-amerikane.
Presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje më tej se problemi i Tajvanit mbetet çështja më e rëndësishme dhe më e ndjeshme në marrëdhëniet kino-amerikane. Kina i merr seriozisht deklaratat pozitive të bëra nga Shtetet e Bashkuara në takimin e Balit. ShBA-ja duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të mbajtur premtimin e saj se nuk do të përkrahë "pavarësinë e Tajvanit", do të ndalojë armatimin e Tajvanit dhe do të mbështesë ribashkimin paqësor të Kinës. Kina do ta realizojë ribashkimin dhe kjo është e diçka e pandalshme.
Xi vuri në dukje se veprimet e ShBA-së kundër Kinës lidhur me kontrollin e eksportit, shqyrtimin e investimeve dhe sanksionet e njëanshme dëmtojnë seriozisht interesat e ligjshme të Kinës. Përpjekja për ndalimin e përparimit teknologjik të Kinës është vetëm një masë për të penguar zhvillimin me cilësi të lartë të Kinës dhe për t'i hequr popullit kinez të drejtën për zhvillim. Zhvillimi dhe rritja e Kinës, që janë të nxitur nga logjika e vet e brendshme, nuk mund të ndalen nga forcat e jashtme. Është e rëndësishme që pala amerikane të marrë seriozisht shqetësimet e palës kineze dhe të ndërmarrë hapa konkretë për t'i hequr sanksionet e saj të njëanshme, me qëllim që të sigurojë një mjedis të barabartë, të drejtë e jodiskriminues për bizneset kineze.
Joe Biden shprehu mirëpritjen e ngrohtë për ardhjen e presidentit Xi Jinping në ShBA për Samitin Kinë - ShBA. Ai tha: "Vitin e kaluar, ne bëmë një takim të rëndësishëm me presidentin Xi në Bali. San-Francisko është vendi ku kinezët arritën së pari në ShBA ku ShBA-ja e Kina nënshkruan së bashku Kartën e OKB-së dhe ku u vendosën marrëdhëniet e para të binjakëzimit mes qyteteve të ShBA-së dhe Kinës. Takimi ynë përsëri sot në San-Francisko ka rëndësi të veçantë. Shpresoj që të arrijmë mendime unanime dhe rezultate të reja mbi bazën e takimit të Balit.”
Më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh: "Jam gjithmonë i mendimit se marrëdhëniet amerikano-kineze janë marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme, se konflikti ndërmjet ShBA-së e Kinës nuk është i pashmangshëm, se një Kinë e qëndrueshme dhe e zhvilluar përputhet me interesat e ShBA-së e të botës dhe se rritja e ekonomisë kineze favorizon ShBA-në dhe botën. Ruajtja e qëndrueshmërisë së marrëdhënieve amerikano-kineze, parandalimi i konfliktit, administrimi i dallimeve dhe zhvillimi i bashkëpunimit në fushat që përputhen me interesat e të dy palëve, mund t'i ndihmojnë të dy vendet në trajtimin e problemeve të tyre të veçanta, si edhe të atyre të përbashkëta. Dëshiroj të ritheksoj përsëri pesë premtimet në takimin e Balit: ShBA-ja nuk synon një Luftë të Ftohtë të re, nuk synon ndryshimin e sistemit të Kinës, nuk synon forcimin e aleancave për t'iu kundërvënë Kinës, nuk përkrah 'pavarësinë e Tajvanit' dhe nuk dëshiron të ketë konflikt me Kinën. Ekonomia amerikane dhe ekonomia kineze janë të ndërvarura nga njëra-tjetra dhe ShBA-ja mirëpret zhvillimin e lulëzimin e Kinës dhe nuk synon shtypjen e zhvillimit të Kinës apo shkëputjen nga Kina."
Biden theksoi në vijim që ShBA-ja zbaton politikën e "Një Kine", mirëpret dialogun në nivele të ndryshme mes sektorëve të ndryshëm të të dy palëve dhe dëshiron të vazhdojë ruajtjen e komunikimit të hapur e të sinqertë, të forcojë njohjen, të shmangë keqkuptimet dhe të administrojë dallimet. Pala amerikane dëshiron të vazhdojë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare me palën kineze dhe të forcojë bashkëpunimin në fusha të rëndësishme, si ndryshimi i klimës, lufta kundër drogës, inteligjenca artificiale etj. Pala amerikane mirëprit shtimin e fluturimeve ajrore ndërmjet të dy vendeve dhe zgjerimin e shkëmbimeve arsimore, tekniko-shkencore dhe njerëzore.
Të dy presidentët vlerësuan përpjekjet e ekipeve të tyre përkatëse për të diskutuar hartimin e parimeve lidhur me marrëdhëniet kino-amerikane që nga takimi në Bali. Ata theksuan se është e rëndësishme që të gjitha vendet ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt dhe të gjejnë rrugët për të bashkëjetuar në mënyrë paqësore dhe për t'i mbajtur të hapura kanalet e komunikimit, për të parandaluar konfliktin, për të respektuar Kartën e OKB-së, për të bashkëpunuar në fusha me interes të përbashkët dhe për të menaxhuar në mënyrë të përgjegjshme aspektet konkurruese të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ata mirëpritën vazhdimin e diskutimeve në këtë drejtim.
Xinhua
Të dy presidentët ranë dakord të nxisin dhe të forcojnë dialogun e bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, duke përfshirë bisedimet qeveritare kino-amerikane mbi inteligjencën artificiale dhe ngritjen e një grupi pune mbi bashkëpunimin kundër narkotikëve. Palët pranuan që, mbi bazën e barazisë dhe të respektit, të rinisin komunikimin e nivelit të lartë ndërmjet dy ushtrive, Bisedimet e Bashkërendimit të Politikës së Mbrojtjes Kinë-ShBA dhe takimet lidhur me Marrëveshjen Këshillimore Ushtarake Detare Kinë-ShBA, si edhe të zhvillojnë bisedime telefonike midis komandantëve të zonave luftarake. Të dy presidentët ranë dakord gjithashtu të angazhohen për të punuar për një rritje të mëtejshme të ndjeshme të fluturimeve të planifikuara të udhëtarëve në fillim të vitit të ardhshëm; si edhe për zgjerimin e shkëmbimeve arsimore, studentore, rinore, kulturore, sportive e të biznesit.
Të dy udhëheqësit theksuan gjithashtu rëndësinë e punës së përbashkët për të përshpejtuar përpjekjet për të trajtuar krizën klimatike në këtë dekadë kritike. Ata përshëndetën diskutimet e fundit pozitive ndërmjet të dërguarve të tyre të posaçëm për klimën, duke përfshirë veprimet kombëtare për të pakësuar lëshimet në vitet ‘20 të këtij shekulli dhe qëndrimet e përbashkëta për të zhvilluar një COP28 të suksesshme dhe mbi vënien në funksionim të Grupit të Punës për Forcimin e Veprimit Klimatik në vitet ‘20 të këtij shekulli, për të përshpejtuar veprimet konkrete lidhur me klimën.
Pas takimit, presidenti Joe Biden shtroi një banket për presidentin Xi Jinping. Të dy krerët e shteteve shkëmbyen mendime për konfliktin palestinezo-izraelit dhe probleme të tjera ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët.
Z. Biden e ftoi z. Xi për një shëtitje në rezidencën Filoli.
Ky është një takim pozitiv, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, që vuri në dukje drejtimin e qartë për përmirësimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve kino-amerikane. San-Francisko duhet të bëhet pikënisja e re për stabilizimin e marrëdhënieve kino-amerikane. Të dy krerët e shtetit kërkuan nga delegacionet e të dy palëve që, në bazë të vënies në zbatim të mendimeve unanime të arritura në Bali, të zbatojnë në kohë vizionet e reja të parashtruara në këtë takim. Të dy presidentët pranuan të vazhdojnë ruajtjen e komunikimeve të shpeshta.
Z. Biden si edhe e përcolli vetë homologun kinez deri te makina para largimit
Në aktivitetet e sipërmendura morën pjesë edhe Cai Qi dhe Wang Yi. (Xu Guang)