Artistja amerikane promovon kulturën lokale në Hainan
2023-11-16 10:40:02

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

I ndodhur në parkun piktoresk “Baishamen” në Haikou, kryeqendra e provincës ishullore Hainan të Kinës Jugore, “Island Delights” është një dyqan artizanati me një sërë artikujsh dhe veprash arti të veçanta të punuara me tema të qytetit, duke tërhequr një fluks të vazhdueshëm kalimtarësh.

 

Pronarja e dyqanit është një amerikane e quajtur Nicki Johnson, e cila njihet si Xie Min mes banorëve vendas kinezë. Duke jetuar në Hainan prej 18 vjetësh, ajo është bërë një promovuese e pasionuar e kulturës vendase. Lidhja e Nicki-t me Kinën daton në vitin 1999, kur ajo ishte studente universitare dhe doli vullnetare si mësuese anglishteje në një kamp në qytetin Guangzhou në Kinën Jugore. Megjithëse përvoja e saj fillestare me Kinën ishte e shkurtër,  vetëm disa javë, ajo ndezi kureshtjen e saj.

Në vitin 2000, ajo u kthye në Kinë për të ndjekur një program akademik prej një semestri në Universitetin Xiamen në provincën Fujian të Kinës Lindore, gjatë të cilit u zhyt në mësimin e gjuhës, historisë dhe kulturës kineze.

Programi gjithashtu i dha asaj mundësinë për të vizituar vende të ndryshme në Kinë, duke përfshirë Xi'an, Shangai dhe Pekin, duke i ofruar një pamje magjepsëse të vendit.

 

Kjo përvojë rrënjosi një përshtypje të mirë, duke nxitur dëshirën e saj për t'u kthyer. “Kina është një vend kaq i madh dhe ka shumë më tepër për të mësuar. Më duhej të kthehesha”,- kujton ajo.  Kështu që, ajo dhe bashkëshorti i saj, Eric, vendosën të shpërnguleshin në Kinë.

 

Sipas saj, mes disa aplikimeve për punë, ata morën oferta nga Hainan dhe pranuan menjëherë pa hezitim. Me të mbërritur në Hainan në vitin 2005, çiftit i pëlqeu menjëherë klima tropikale, plazhet e bukura, ushqimi i mrekullueshëm, vendasit miqësorë dhe kultura lokale. Të intriguar nga këto aspekte, ata eksploruan mundësi të ndryshme, duke u zhvendosur përfundimisht nga Sanya në Haikou.

“Ishte një zgjedhje pak e rastësishme, por mendoj se ishte zgjedhja e duhur dhe ne kemi qenë shumë të lumtur këtu”,- tha ajo.

 

Për vite me radhë, Nicki kishte marrë përsipër role të ndryshme në lidhje me turizmin në Hainan. Përfundimisht, ajo themeloi kompaninë e saj tre vjet më parë, me fokus në promovimin e ishullit në botë.

 

Magjepsja me brokadën Li të pakicës etnike Li, një simbol i kulturës tradicionale të Hainan, u shtua edhe më shumë pasi mori një dhuratë nga një mik shumë vite më parë. Më pas, gjatë udhëtimeve të saj të shumta në të gjithë ishullin, ajo takoi njerëz që merreshin me krijimin me dorë të brokadës.  Ajo pati gjithashtu mundësinë për të parë të gjithë procesin, nga tjerrja dhe ngjyrosja deri tek endja dhe qëndisja.

 

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

“Është punë kaq e vështirë. Duhet një kohë kaq e gjatë për të përfunduar një pjesë, ndaj i respektoj njerëzit që krijojnë këtë art të bukur”,- tha Nicki.

 

“Shumë prej tyre kalojnë tërë jetën e tyre duke mësuar se si ta bëjnë dhe kështu doja të bëja diçka për t'i mbështetur ata”,- tha ajo, duke shpjeguar inkurajimin e saj për të krijuar vepra arti për të promovuar kulturën.

 

Nicki ka pasur gjithmonë një pasion për artin. Fillimisht ai ishte vetëm një hobi. Asaj iu desh të mësonte nga e para kur ishte fjala për brokadën Li. Lexoi shumë, kërkoi udhëzime nga artistë ndërkombëtarë e vendas dhe filloi udhëtimin e dizajnimit dhe përpunimit të këtyre punimeve artizanale.

 

“Nuk është kurrë vonë për të mësuar”, është një thënie në gjuhën kineze dhe Nicki e ka përqafuar këtë shprehje vendase. Ajo madje këshillon: “Vazhdoni të mësoni diçka të re dhe jeta nuk do të jetë kurrë e mërzitshme”.

 

Ajo projektoi dhe bëri vepra artizanale të ndryshme, duke filluar nga bizhuteritë te suveniret, frymëzuar nga modelet tradicionale të brokadës Li, duke përfshirë peshqit, breshkat dhe rrufetë. Vitin e kaluar ajo hapi një dyqan të vogël.

 

Duke folur për emrin e dyqanit, “Island Delights”, Nicki vuri në dukje se ka kaq shumë gjëra të mrekullueshme rreth Hainan-it dhe zbulimi i diçkaje të re në ishull sjell vërtet një ndjenjë kënaqësie për njerëzit.

 

“Doja të sillja në një vend të gjitha këto pjesë të ndryshme të kulturës Hainan dhe artin e bukur që më gëzoi vërtet këtu, në mënyrë që më shumë njerëz të mund t'i zbulojnë ato”,- tha ajo.

Artikujt në dyqanin e saj janë krijuar nga materiale miqësore me mjedisin, si lëvozhgat e kokosit dhe pëlhura, si pjesë e një përpjekjeje për të minimizuar përdorimin e plastikës.

 

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Deri tani, Nicki ka organizuar disa ekspozita në bashkëpunim me stilistë vendas si dhe artistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shumë vende të tjera. “Nuk dua të tregoj vetëm punën time, dua të mbështes të gjithë komunitetin e artit në Hainan”,- tha ajo.

 

Ndërtimi i Portit të Tregtisë së Lirë Hainan tani po përparon me shpejtësi të plotë. “Mendoj se është një kohë emocionuese për të qenë pronare biznesi në Hainan. Tani ka gjithnjë e më shumë mundësi për të gjithë, pavarësisht se nga vijnë”,- tha Nicki, duke shtuar se ajo parashikon një të ardhme emocionuese për vendin, me më shumë mundësi për pronarët e bizneseve dhe lidhje më të mëdha globale.

 

“Për mua, Hainani është vërtet si një shtëpi e dytë. Sa më gjatë të jetoj këtu, sa më shumë mësoj për kulturën vendase, aq më e lumtur jam”,- tha ajo.