Informaliteti në punësim. Vlerësimi i ekpertit
2023-11-16 10:49:51

Punesim (Foto Ndihma plus)

Punesim (Foto Ndihma plus)

Teksa vendet e rajonit kanë bërë hapa para në luftën kundër informalitetit në tregun e punës, Shqipëria duket se ka mbetur prapa, referon studimi për ecurinë e tregut të punës në Ballkanin Perëndimor, i kryer nga Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike. Në një intervistë për Revistën Monitor, eksperti i punësimit dhe karrierës, Erion Muça thotë se punësimi informal është një problem i dukshëm në Shqipëri dhe ndikim negativ ka edhe emigracioni.

“Tendenca është reale, kjo pasi informaliteti në tregun e punës, pavarësisht hapave që janë bërë për ta reduktuar, kanë ndodhur ndryshime konkrete strukturore në tregun e punës, të cilat kanë bërë që informaliteti të mos bjerë në ato ritme që ne presim. Po ashtu ndikim të lartë ka pasur dhe niveli i emigracionit, i cili  ka lënë një gjendje të informalitetit dhe shumë punonjës janë larguar në emigrim, duke ulur totalin e numrit të personave të gatshëm dhe forcë pune në tregun vendas, duke i mbajtur të dhënat dhe shifrat e informalitetit po në të njëjtin vend. “- tha Muça.

Janë disa lloje punësh që operojnë në informalitet, sipas ekspertëve.

“Një tjetër element është që shumë procese të reja apo lloje të ndryshme punësimi në Shqipëri akoma nuk i kemi sistemuar dhe formalizuar aq sa duhet, duke bërë që niveli i informalitetit të jetë i lartë. Këtu e kam fjalën për mundësitë e punëve që ofrohen online, në platforma ndërkombëtare, apo për ofrimin dhe punën si freelancer të të rinjve, ku marrin pagesa nën dorë apo pagesa në llogari bankare dhe të painteresuar për t’u deklaruar si të punësuar, që vazhdojnë të gëzojnë benefitet që marrin nga puna dhe ofrimi i shërbimit të tyre.”

ErionMuça (Foto Linkedin)

ErionMuça (Foto Linkedin)

Në vitin 2021 papunësia e të rinjve nga 15 deri në 24 vjeç ishte mbi 25% dhe eksperti Muça jep mekanizmat që duhen ndjekur për të ulur këto nivele shifrash.

“Për mua elementi kryesor në këtë drejtim është ndërtimi i një oferte kombëtare për punë që do të ndihmojnë përputhjen mes kërkesës dhe ofertës në treg, ose minimalisht të prezantojmë një ofertë mbi mundësitë reale të punës dhe mbi këtë ofertë të fillojmë të ridimensionojmë nga: Forcimi i platformave të këshillimit dhe identifikimit të talenteve dhe prirjeve që në moshë të hershme, mekanizmat te këshillimit të karrierës dhe orientimi të saktë në tregun e punës për të rinjtë, më pas të ndërtohen programe dhe trajnime specifike që në mundësitë të përafërta të punësimit të gjithë kontingjenti i të rinjve sot të papunë të përshtatet përmes elementëve të trajnimeve afatshkurtra me mundësitë reale që ofron tregu, nëse nuk do ta kemi këtë element do të vazhdojmë të mbese ky nivel i lartë papunësie”, tha eksperti

Përpjekja duhet të nisë nga vetë kompanitë që kanë nevojë për punonjës. Jo vetëm në hartimin e politikave të duhura se si mund të përthithin të rinjtë në vendet vakante, por edhe për t’ja bërë vendin e punës joshes, në mënyre që të mos largohen për shkak të pagave më të larta në vende të tjera.

Informalitet punësimi (Foto Albanian Construction Portal)

Informalitet punësimi (Foto Albanian Construction Portal)

“Së dyti, duhet të kemi parasysh faktin se duhet të standardizohet dhe modernizohet funksionimi dhe organizimi i brendshëm i kompanive dhe bizneseve private që të mund të ndërtojnë programe bashkëkohore për të stimuluar, apo motivuar të rinjtë që ta kthejnë mjedisin e brendshëm të shumë kompanive përmes një kulture të mirëfilltë në vendin e duhur dhe ideal për interesin e të rinjve, jo vetëm për t’i gjetur punë, por dhe për t’i promovuar në atë profesion që kanë. Nuk është më sot e rëndësishme vetëm një punë të gjendet, por kjo punë të na japë kënaqësi dhe të na mundësojë rritjen dhe zhvillimin profesional në karrierë. Në momentin që i forcojmë këto instrumente, interesi i të rinjve do të jetë edhe më i lartë.”, u shpreh eksperti i punësimit dhe karrierës, Erion Muça.