Piktori Naxhi Bakalli - foto Top Channel
Është e vështirë t’i mendosh të pikturuara motivet popullore dhe tematikat kombëtare, pa emrin e piktorit Naxhi Bakalli.
Piktura e tij është autentike. Sapo e sheh veprën e tij, menjëherë e shquan dhe e identifikon autorin e tyre. Naxhi Bakalli veprimtarinë e vet artistike e ka krijuar duke i dhënë kuptimin e “identitetit vizual” të artit shqiptar të dy dekadave të fundit. Ky artist, në artin figurativ krijon një botë origjinale, duke arritur vlera estetike, për të zënë vend të rëndësishëm në pikturën bashkëkohore shqiptare.
Bakalli është piktor i jashtëzakonshëm, i pajisur me prirje dhe aftësi teknike të mahnitshme, me shije të hollë, me dell të ndjeshëm dhe me fantazi të pashtershme. Ai përthithi mençurisht ajkën e përvojës kombëtare e ndërkombëtare dhe çau përmes vështirësish të shumta, duke u ngjitur pareshtur në majat më të larta të artit bashkëkohor. Ai është një artist i brumosur me vetëdije e karakter kombëtar dhe ka lëvruar e krijuar me mjeshtri të rrallë në të gjitha rrafshet e pikturës, ku ka arritur pika kulmore të virtuozitetit mjeshtëror.
Dashuria për artin e ka të lidhur me gjenezën e tij dhe piktori e tregon se këtë dashuri e ka marrë nga prindërit. Naxhi Bakalli lindi në Tiranë më 1937. Në vitin 1957 u diplomua në Liceun Artistik "Jordan Misja. Si nxënës i kësaj shkolle shkëlqeu,madje arriti që për herë të parë, në moshën shtatëmbëdhjetvjeçare t’i paraqitet publikut me veprat “Autoportret” edhe “Portreti i motrës”, në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, në vitin 1955. Me sukses e kryen Liceun Artistik me 1957.
Më 1961 fiton konkursin për t’u pranuar në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), ku diplomon për pikturë murale. Po në këte vit emërohet profesor i pikturës, vizatimit edhe arteve të aplikuara në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Ndërkohë, gjatë viteve në vijim ka punuar si profesor i pikturës në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë e më vonë, si profesionist i lirë i atashuar në Galerinë e Arteve.
Fragment nga muralja e Krujes foto Buron Kaceli Face Book
Është e vështirë ta mendosh piktorin Naxhi Bakalli, larg veprave të rëndësishme monumentale. Piktori Naxhi Bakalli është autor i murales madhështorë të Muzeut të Krujës, ku është është i pikturuar heroi ynë kombëtar, Skënderbeu. Me këtë murale, në vitin 1980 Bakalli fitoi Çmimin e Parë të Republikës. Vepra paraqet një skenë monumentale të luftës dhe qëndresës së popullit me përmbajtje dramatike e lirike. Ajo njëkohësisht transmeton porosi patriotike dhe estetike. Vepra ka dimensione të mëdha, ajo zë një sipërfaqe prej 108 metrash katrorë dhe gjendet në sallën rrethore të qendrës së Muzeut.
Kryetari i Akademisë së Arteve të Turqisë, Sabri Fetahu, kur e pa këtë kryevepër me 1982 pat thënë: “Mos e kërkoni Mikelanxhelon diku tjetër. Ate e paskeni këtu në Shqipëri. Muralja në Muzeun e Krujës ka një frymë të vertetë nga Mikelanxhelo dhe më intereresantja është se autori i saj, Naxhi Bakalli, është një artist i dalë nga shkolla shqiptare e artit. Mjeshtër i pikturës murale, ai ka pikturuar edhe murale të tjera, të përmasave madhështore, si “Kuvendi i Dukagjinit të Matit” vepër e vitit 1986, që zë një sipërfaqe prej 20 metrash katrorë dhe që gjendet në Muzeun e Burrelit.
Por jeta dhe aktiviteti krijues i Naxhi Bakalli nuk sillet në një terren të sheshtë. Vepra “Kur yjet mbushin qiellin”, të cilën autori e kishte realizuar (1969) si reaksion kur në Shqipëri u rrënuan kishat dhe xhamiat, ishte konsideruar nga kritika zyrtare si e papranueshme.
Pas një periudhe të gjatë (prej afro dy dekadash) heshtjeje dhe bojkoti, Bakalli me l978 merr pjesë në Ekspozitën Kombëtare të Arteve, që u organizua me rastin e kremtimit të 100- vjetorit të Lidhjes Shqipëtare të Prizrenit, ku paraqiti vepren “Luftëtarët e lirisë”. Një vit më vonë ekspozon tabllonë “Vajza tiranase” në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative.
Pulle postare me kosum popullor gruaje nga kelmendi, cikli filatelik Kostumet popullore shqiptare- foto Tabani Visuals
Pulle postare me kosum popullor gruaje nga Malesia e Tiranes, cikli filatelik Kostumet popullore shqiptare- foto Tabani Visuals
Ekspozitën e parë përsonale e ka realizuar në vitin 1991 në Tiranë. Ky ekspozim ishte një surprizë e vërtetë, pasi autori prezantoi rreth 170 vepra në gjininë e pikturës, grafikës dhe skulpturës. Pas kësaj ekspozite që u prit mjaft mirë nga kritika, ai ka ekspozuar në ekspozita të përbashkëta apo individuale.
Nga viti 1971 merret me ilustrime. Është autor i kopertinës së romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadares dhe të poemave “Nënë Shqipëri” dhe “Përse mendohen këto male” të Dritëro Agollit, si dhe të autorëve të tjerë.
Naxhi Bakalli ishte bashkëpunëtor shumëvjeçar i revistës “Shqipëria e Re”, që botohej në tetë gjuhë dhe shpërndahej në botë. Në këte revistë ai realizoi një galeri vizatimesh, që paraqisnin tema dhe ngjarje nga më të ndryshme, si dhe përsonazhe të rëndësishme të historisë e kulturës kombëtare. Për t’u përmendur janë portretet e shkrimtarëve dhe artistëve si Naim Frashëri, Sami Frashëri, Fan Noli, Janaq Paço, Lazar Nikolla, Kel Kodheli etj.
Mjaft me interes janë edhe vizatimet për legjendat dhe gojëdhënat tona, si ato që paraqesin “Gjergj Elez Alinë”, “Kështjellën e Rozafës”, “Tomorri dhe Shpiragu”, “Sopoti” e të tjera. Ndërkohë edhe vizatimet e valleve shqiptare janë realizuar me ndjeshmëri e në mënyrë ekspresive nga piktori. Përmendim vallet e Tiranës, Kosovës, Devollit, Kukësit, Dropullit, etj.
Muralja Perballja realizuar nga Naxhi Bakalli - foto ATSH
Naxhi Bakalli është një piktor që pikturon mjeshtërisht. Vizatimet e tij janë realizime të shpejta, konturime të theksuara, sintezë vijash të shkëputura, të shoqëruara nga ndjenja të fuqishme lirike. Figurat e që ai vizaton interpretohen me vizion, elegancë dhe butësi.
Përveçse një piktor me emër, ai është dhe një grafist i mirënjohur. Arti i tij merr frymëzim nga heronjtë shqiptarë dhe përgjithësisht frymëzohet nga arti ynë mesjetar. Ai është një përcjellës i mirë i karakteristikave tona etnografike në pikturë.
Piktori Naxhi Bakalli është marrë edhe me dizenjimin e pullave postare. Ai me shumë sukses e ka pasuruar fondin e filatelisë shqipëtare, duke dhënë kontribut të madh në këte shkencë mbi pullat postare. Artisti tiranas vlerësohet për këte krijimtari, që është jo vetëm shqiptare por edhe universale, si nga studiues të vendit po ashtu dhe nga studiues e filatelistë të huaj. Nga viti 1977 e deri sot, ai është autor i më shumë se 50 serive pullash, të cilat janë të koleksionuara dhe në qarkullim në tërë botën. Këto seri janë me 2 e më shumë pamje, madje deri në 12.
Në këte gjini të arteve aplikative artisti ynë ka trajtuar tema nga më të ndryshme, të historisë e kultures tradicionale shqiptare. Ai paraqet figurat e shquara të ilirëve si mbretërit Genc dhe Teuta, kompozitorin Jan Kukuzeli; figura nga legjendat shqiptare si Konstandini dhe Dorontina, Rozafën, etj, pa harruar seritë e valleve, kostumet dhe instrumentet popullore shqiptare, që paraqesin vërtet interes.
Piktori Naxhi Bakalli i ka krijuar një stil pikturik simbolik, duke u mbështetur në artin tradicional dhe folklorik, që shërben si gurrë e pashtershme për krijuesin.
Neritana Kraja