Meri Mezini gjate promovimit te librit (Foto personale)
Meri Mezini, me profesion inspektore policie i ka frymëzuar të gjithë me historinë e saj, të një njeriu që i do dhe kujdeset për të tjerët. Ajo është autore e katër romaneve, të frymëzuar nga historitë njerëzore brenda mureve të burgjeve. Shkrimi dhe policia ishin dy ëndrrat e saj të hershme, që Meri tashmë i ka realizuar. Meri nuk ndalet së shkruari dhe di më së miri që t’i ndajë dy profesionet e saj me të cilat është lidhur ngushtë. Merin e gjejmë çdo ditë në punën e saj në ruajtje të rendit dhe të qetësisë, ndërsa pasdite zhvishet nga ky petk dhe merr atë të romancieres. Që në fillim të dorëshkrimeve të saj, autorja e ka pasur të qartë se ato do të njohin dritën e botimit. Ajo mban shënime për çdo gjë, në çdo rrëfim. Në një intervistë për Radio Ejani Meri Mezini na tregon punë e saj si inspektore policie, si nisi ideja për të shkruar dhe librat që ka botuar.
Shkrimtarja Meri Mezini (Foto personale)
CMG: Sa vite ke që ushtron profesionin e inspektores së policisë së shtetit?
Meri Mezini: Kam gati nëntë vjet në këtë profesion, ku policia është profesioni im i dashuruar që nga rinia, por që e realizova me vonesë. Kur njeriu do të bëjë gjëra të reja dhe të bukura ka gjithmonë kohë dhe një herë të parë. Unë këtu jam me dëshirën time të plotësuar sepse këtë profesion doja.
CMG: Sa e përkushtuar ke qenë gjatë këtyre viteve në policinë e shtetit?
Meri Mezini: Sigurisht që e bëj me shumë përkushtim. Unë kam punuar te burgu i grave, te gjykata dhe aktualisht punoj te Ministria e Drejtësisë. Këtë punë e bëj me përkushtim se aty ka njerëz, që kanë nevojë për dikë që t’i mbështesë për të vazhduar jetën normale, si gjithë të tjerët.
CMG: Je pjesë e uniformave blu dhe shkrimare. Çfarë i bën bashkë këto të dyja?
Meri Mezini: Mendoj se një shkrimtar për të shkruar një libër duhet të ketë një histori. Unë nuk kam pse ta fantazoj një histori kur në fund të fundit aty brenda ka histori të ndryshme, që vërtetë janë në librin tim, por janë me emra të ndërruar dhe janë pjesë e jetës. Në librat e mi ka pjesë të hidhura, por dhe të bukura, sepse ata janë njerëz si ne, dhe fati i tyre është që kanë gabuar dhe janë aty, por pjesën e bukur e kanë jashtë, kanë dashurinë, familjen dhe fëmijët. Kështu që unë i kam gërshetuar të dyja pjesët e tyre të jetës dhe i kam sjellë në librin tim.
CMG: Romanet që keni botur janë të gjithë me ngjarje të vërteta nga jeta?
Meri Mezini: Të katër romanet e mia janë me histori të vëteta. Romani i parë titullohet “Dashuri të humbura të një gruaje”, ku kam sjellë dashuritë e humbura nga adoleshenca deri në fund të jetës të një gruaje, sepse dashuritë kanë një fillim dhe një mbarim.
Romanet e autores Meri Mezini (Foto personale)
CMG: Si e menaxhon kohën, punën e përditëshme, angazhimin me familjen dhe të shkruarit?
Meri Mezini: Unë kam ardhur nga rrethet në Tiranë dhe kam bërë edhe një poezi që titullohet “Krahët e një nëne i gjetëm në Tiranë”. Fillimi ka qenë shumë i vështirë për mua, sepse nuk isha as në profesionin e duhur për të bërë gjërat që doja. Martesa t’i vjedh ëndrrat dhe duhet t’i përkushtohesh familjes dhe fëmijëve, dhe ëndrrat e tua duhet t’i lesh mënjanë. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për ne që donim letërsinë, sportin dhe profesionin që dashuronim. Kështu që u ndeshëm me ekonominë dhe bëmë ato gjëra që t’i merrnim jetës atë ekonomi që na duhej.
Unë kam punuar në punë të ndryshme. Dikush mund të thoshte që më kishte parë duke punuar në punë të ndryshme, por sot jam aty ku duhej te profesioni im, sepse u rritën fëmijët dhe më dhanë mbështetjen që unë të kem kohë të shkruaj. Ka gjithmonë kohë kur dëshiron të bësh gjëra të bukura.
CMG: Para se t’i botoje dorëshkrimet i ke hedhur si fillim në fletore, apo copëza letrash?
Meri Mezini: Dua të tregoj një kuriozitet, që në vitin 1997 më është djegur shtëpia dhe nuk kam qarë për mobiljet apo se çfarë mu dogj brenda në shtëpi, por qava vetëm për thesin e dorëshkrimeve të mia rinore, që nga klasa e parë ku kisha bërë copëza vjershash të vogla dhe deri tek hartimet që do t’i botoja libër. Unë fillimisht kam shkruar nëpër fletore dhe më vonë evoluoi koha me kompjuterin që mua për herë të parë ma ka mësuar im bir. Pra isha shumë e vonuar në këtë pjesë, por e arrita teknologjinë dhe tani shkruaj në telefon, kompjuter dhe ku të më jepet mundësia.
Meri Mezini me aktoren Mrgarita Xhepa (Foto personale)
CMG: Cili nga katër romanet është pëlqyer më tepër nga lexuesit?
Meri Mezini: Secili roman ka bukurinë e vet. I pari tregon për dashuritë e humbura të një gruaje, romani i dytë është një rrëfim i katër prostitutave të dhunuara që kanë treguar rrëfimet e jetës si janë dashuruar dhe dhunuar. Libri i tretë “Dielli brenda burgut tim”, është me histori nga djem dhe vajza nga burgu. Ndërsa romani i fundit është pëlqyer më shumë se është shumë voluminoz, ku tregon për një djalë që ka mundësi të kthehet në rrugën e duhur dhe pse gjithë urrejtja e tij ishte nga tradhëtitë e vazhdueshme të babait ndaj nënës së tij. Në romanin e fundit gjithashtu tregoj që njeriu nuk duhet të kushtëzohet që mos të marrë fëmijë nga jetimorja apo të birësojë fëmijë të dhunuar në jetë.
CMG: Sa e vështirë është të botosh një libër sot?
Meri Mezini: Unë vjet u përballa me panairin e librit, sepse shumë kritikë letrarë e kanë lexuar librin tim dhe e kanë pëlqyer shumë. E vërteta është se unë nuk shkova dot në panair dhe pse vajta në disa shtëpi botuese, por ishte shumë shtrenjtë sepse çmimet u rritën dhe nuk e përballoja dot. Librat unë i kam botuar duke marrë kredi bankare dhe vetëm te libri i fundit kam pasur sponsorizime shumë të vogla dhe arrita ta nxjerr atë libër me shumë pak kopje. Dua të falenderoj fëmijët që më kanë bërë pjesë të këtij tregu, sepse ata me mundësitë e tyre të vogla më kanë ndihmuar që të botoj dhe pse kam nxjerrë pak kopje por të gjitha janë të shitura. Kur marr fitimet e një libri arrij të dal në treg prapë, sepse unë e shes librin me ndjekësit e mi në rrjetet sociale. Mendoj se dhurata më e mirë për t’i bërë dikujt sot është libri.
CMG: Ke botuar dhe libra me poezi. Cili është stili juaj në të shkruarit poezi?
Meri Mezini: Unë poezinë në fakt e kam marrë si pjesën e kohës së kafes sepse dashuroj prozën, por poezia më ka pëlqyer shumë dhe kam marrë shumë çmime. Jam e lumtur që në Suedi një prej poezive të mia është përkthyer në 12 gjuhë të botës. Gjithashtu në antologjinë e Ilir Hoxhës është përzgjedhur një prej poezive të mia, si poezitë që vijnë nga jeta e përditëshme. Unë si në roman ashtu dhe në poezi shkruaj ngjarje nga dita dhe jeta reale, e kam fabulën ditore.
Meri Mezini (Foto personale)
CMG: Përveç dashurisë për profesionin dhe pasionit për të shkruar, keni pasione të tjera në jetë?
Meri Mezini: Unë kam më shumë dëshira se pasione. Kur kam punar në spitalin e burgut kam parë 25 gra të braktisura nga familja dhe i kam ndihmuar. Ka shumë shoqata që nuk janë në funksion të personave të caktuar dhe pse marrin fonde që nuk shkojnë në vendin e duhur. Ndërsa unë kam dërguar disa herë rroba të mbledhura, ju blej ëmbëlsira në ditë të caktuara. Unë do t’i ndihmoj vazhdimishtdhe këtë gjë nuk e bëj për emër, por për shpirt. Dua që dikush që ka nevojë ta ndihmoj me mundësitë që kam dhe këtë mision do ta vazhdoj sa të kem jetë dhe pastaj do ta vazhdojnë fëmijët e mi.
CMG: Ke në plan për të botuar ndonjë libër së afërmi?
Meri Mezini: Kam një libër për fëmijë që do ja bëj dhuratë dy mbesave të mia. Gjithashtu kam dhe një roman që do dalë së shpejti. Pres që dikush të më dëgjojë dhe të më ndihmojë për ta botuar këtë roman. Besoj se ky libër do të jetë më i miri në duart e lexuesve.
CMG: Faleminderit për intervistën, ju uroj gjithë të mirat dhe suksese.
Meri Mezini: Faleminderit juve që jeni mbështetës për ne që shkruajmë. Suksese ju dhe Radio Ejani.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Meri Mezini ne interviste per CMG